Mariglena Muci, pedagogji e specializuar
Shpeshherë, në jetën e përditshme, dëgjojmë se arti dhe muzika kanë fuqinë për të shëruar. Ato janë përdorur që në lashtësi, për të ndihmuar në trajtimin e problemeve të ndryshme shëndetësore.
Edhe në ditët e sotme, studiuesit theksojnë rëndësinë e artit, në trajtimin e problemeve shëndetësore apo përmirësimin e gjendjes së rënduar të shumë njerëzve. Nga ana tjetër, ai është shndërruar në një profesion (terapia e artit), e cila e përdor procesin krijues të artit për të përmirësuar gjendjen fizike, mendore, emocionale të individëve të të gjithë moshave. Ajo bazohet, në besimin se procesi krijues, i përfshirë në vetëshprehjen artistike, i ndihmon njerëzit të zgjidhin konfliktet dhe problemet, të zhvillojnë aftësi ndërpersonale, të menaxhojnë sjelljen, të redukrojnë stresin, të rrisin vetëvlerësimin dhe vetëdijen.
Por pyetja, që mund të lindë, është pse duhet ta përdorim këtë terapi për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit?
Një nga shenjat dalluese të çrregullimeve të spektrit të autizmit është vështirësia në komunikimin si verbal dhe atë social. Në disa rate, fëmijët janë joverbalë dhe nuk mund ta përdorin fjalën. Në raste të tjera e kanë të vështirë të përpunojnë gjuhën dhe ta kthejnë në një bisedë normale dhe të qetë. Kanë vështirësi të shprehin dhe kuptojnë një shaka, një sarkazëm etj. Por, shumë të tjerë, kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të menduar vizualisht. Kështu, mund ta përdorin këtë aftësi në përpunimin e kujtimeve, rregjistrimin e imazheve, informacionit vizual dhe shprehjen e ideve përmes vizatimit ose mjeteve të tjera artistike.
Arti është një formë shprehjeje, që kërkon pak ose aspak ndërveprim verbal, që mund t’i hapë dyert komunikimit. Gjithashtu, ai jo vetëm e ndihmon të përmirësojë aftësitë dhe angazhimin social, por pjesëmarrja aktive në programet e arteve në komunitet, mund të rrisë përfshirjen dhe vetëbesimin. Pra, përfitimet e artit janë të shumta. Më poshtë po listoj disa prej tyre:
1. Terapia e artit e ndihmon fëmijën të zhvillojë komunikimin dhe vetëshprehjen
Siç e theksuam edhe më lart një nga vështirësitë e fëmijëve me ÇSA është komunikimi. Ata mund të kenë vështirësi të shprehin dëshirat dhe nevojat e tyre përmes shprehjeve verbale. Arti ëshët një rrugëdalje, që i lejon fëmijët të shprehen. Ata mund ta bëjnë këtë nëpërmjet vizatimit, pikturës apo ngjyrosjes. Psh. nëse terapisti kërkon që fëmija të tregojë anëtarët e familjes dhe emrat. Ai mund t’i vizatojë ata dhe vizatimi tregon më shumë informacion se sa është në gjendje të shprehë verbalisht. Ose nëse fëmija dëshiron diçka ai mund ta vizojë, psh nëse kërkon një mollë, vizaton mollën.
2. Terapia e artit ndihmon në zhvillimin e aftësive dhe përfshirjes sociale
Kur zhvillohet një projekt artistik, e dijmë se kërkon nevojën për bashkëpunim të shumë personave të tjerë. Kështu, terapia e artit mund të zhvillohet individualisht vetëm me terapistin ose sëbashku me fëmijë të tjerë. Terapia ndihmon që fëmijët të luajnë, të komunikojnë dhe bashkëpunojnë me njëri –tjetrin. Kështu, ata zhvillojnë edhe më tepër aftësitë e tyre sociale, kuptojnë sesi veprimet e tyre ndikojnë tek të tjerët, të ndihmojnë të tjerët dhe kjo i bën empatikë. Por, gjithashtu mund të kenë vështirësi për të kuptuar tjetrin, por duke parë veprat mund ta kemi të lehtë, të kuptojmë opinionet apo pikëpamjet e tyre. Pikturat e tyre u japin mundësi të shprehin veten. Gjithashtu, fëmijët me ÇSA mund të kenë vështirësi të përfshihen në programe të tjera si sporti, noti etj. Por në art, ata mund të përfshihen plotësisht si pjesë e një grupi bashkëmoshatarësh.
3. Terapia e artit ndihmon në menaxhimin e sjelljes
Fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit shfaqin sjellje të ndryshme stereotipike dhe të papërshtatshme. Për të menaxhuar këto sjellje, terapia e artit i ndihmon shumë në përqëndrimin në punë dhe relaksimin. Kur ju e përfshini fëmijën në një aktivitet, ai përqëndrohet aty me dëshirën për ta përfunduar (zakonisht ata duan t’i përfundojnë) dhe humbet mendjen për të bërë një sjellje të papërshtatshme. Arti dhe sindomos ngjyrat e lehta kanë një efekt qetësues për fëmijën. Gjithashtu, këto sjellje të tij stereotipike mund t’i përdorësh edhe në aspektin e lojës. Psh nëse fëmija përplas duart si pasojë e stereotipisë, ju mund ta përdorini këtë për zhvilluar një lojë me duar, kështu ajo mund të inkurajohet si një mekanizëm qetësues dhe argëtues.
4. Terapia e artit zhvillon aftësitë shqisore
Fëmijët me ÇSA, shpeshherë kanë vështirësi në tolerimin e aromave apo shijeve të ndryshme. Terapia e artit mund të ndihmojë në rritjen e nivelit të tolerancës përmes mjeteve argëtuese dhe krijuese. Psh fëmija mund të mos pëlqejë aromën e trëndafilit si lule, por ju mund ta përdorni atë ose petalet për të zbukuruar vizatimet e tij. Kështu, fëmija ndikohet pak nga stimuli ndijor, edhe mësohet të kanalizojë sjelljen vetëstimuluese në një aktivitet më krijues.
5. Terapia e artit zhvillon aftësitë motorrike
Procesi i vizatimit ose pikturës kërkon një sërë mjetesh për t’u realizur. Kështu, fëmija për të bërë një vizatim duhet të përdore fletën, lapsin, ngjyrat etj. Po kështu, ai mund të presë figura me gërsherë, mund të ngjyejë gishtat në bojë, të bëjë punime me argjilë ose plastelinë etj. Përdorimi i tyre bëhet në saj të lëvizjes së duarve, mbajtjes së lapsit, lëvizjes së gishtave etj. Të gjitha këto procese e ndihmojnë fëmijën të zhvillojë aftësitë e tij motorrike.
6. Terapia e artit shërben si rehabilitim
Rehabilitimi është një lloj terapie që trajnon ose ushtron pjesë të trurit ose trupit që janë dëmtuar nga sëmundje ose lëndime. Të gjitha terapitë, që zhvillojnë terapistët e artit, gjatë ndërhyrjes së hershme për fëmijët me ÇSA, janë terapi rehabilitimi. Ata punojnë për të manipuluar lidhjet e dobëta ose atipike ne tru. Autizmi shikohet si një proces kompleks i lidhjeve atipike të neuroneve në tru. Edhe qëllimi i tyre është pikërisht rehabilitimi i këtyrë pjesëve duke i vënë në shërbim të fëmijës. Ata përqëndrohen tek pjesët që lidhen me krijimtarinë dhe imagjinatën e fëmijës, duke ndihmuar në zhvillimin e aftësive të ndryshme, që rrjedhin prej tyre.
7. Terapia e artit zhvillon pikat e forta të fëmijës
Fëmijët me ÇSA, që në momentin që diagostikohen me të, gjykohen për atë që nuk mund të bëjnë dhe mësohen të bëjnë si të tjerët. Megjithatë, në art, ata kanë avantazh. Shumë prejt tyre janë mjaft të talentuar në vizatim, muzikë, dramë etj. Madje, studime të ndryshme kanë treguar se kanë aftësi edhe më shumë se fëmijët tipikë.
Prandaj, prindër mundohuni t’i angazhoni fëmijët tuaj në terapi arti, sepse ata jo vetëm zhvillojnë aftësitë e tyre, argëtohen dhe krijojnë miqësi, por dhe mund të shkëlqejnë si artistë të ardhshëm.