A e di se edhe zemërimi mund të jetë shërues?

Përshkrimi i fotos

Nga Lorela Garuli

Shpesh mendojmë se zemërimi është një emocion “negativ” dhe përpiqemi ta shtypim, ta shmangim, të mohojmë se e ndjejmë apo ta shkëpusim veten prej tij në mënyra të ndryshme.

Ose, ta gjykojmë veten ashpër duke menduar se “Nuk duhet të ndihem në këtë mënyrë!”, gjë që nuk është aspak ndihmuese dhe realiste në mënyrën sesi duhet t’i flasim vetes.

Zemërimi mund të jetë një emocion primar, poshtë të cilit fshihet lëndim, dhimbje, mërzi e thellë. Zemërimi që ndjen mund të jetë duke të të treguar që ke çështje të pazgjidhura, kufij që po të shkelen, nevoja të pashprehura, të paplotësuara, plagë të pashëruara, apo po kërkon të të njoftojë që po të ndodh një padrejtësi.

Prandaj, për të gjitha këto arsye, zemërimi duhet parë dhe trajtuar si një sinjal. Si një sinjal psikologjik emocional që vetja jote është duke të të komunikuar, si një zile që po njofton diçka që është më tej se reagimi impulsiv i atypëratyshëm.

Është mëse në rregull dhe e natyrshme të ndjesh zemërim; zemërimi është një emocion i natyrshëm, njerëzor dhe nuk lidhet me një karakter “të keq” apo të vështirë.

Ama, mënyra sesi ne i përgjigjemi zemërimit tonë bën diferencën; është ok të ndjesh zemërim, por nuk është ok që nga zemërimi të bësh, thuash gjëra që lëndojnë të tjerët apo veten. Kjo, pastaj lidhet me menaxhimin dhe vetkontrollin emocional, por çdo hap i shëndetshëm i vetkontrollit nis nga njohja, identifikimi dhe emërtimi i emocionit që ndjejmë në çastin e dhënë.

Nëse mundemi t’i përgjigjemi pyetjes “Çfarë është kjo që po ndjej?”, me shumë gjasë do ta ndihmojmë veten të kuptojmë nga buron parehatia emocionale që kemi në çastin që jemi të zemëruar, dhe të kuptuarit është hapi i parë drejt qetësimit dhe zgjidhjes.

Zemërimi, ashtu si çdo emocion tjetër i vështirë, është një mundësi e artë për të “gërmuar” tek vetja dhe për të shëruar pjesë të caktuara që kanë nevojë për vëmendje psikologjike.