
Përgatiti Wendy Mema
“Psikoterapitë e gjeneratës së tretë” janë një grup i larmishëm formash të reja të psikoterapisë që janë zhvilluar gjatë 20 viteve të fundit. Ndër këto psikoterapi përfshihen Acceptance and Commitment Therapy (ACT), Dialectical Behavior Therapy (DBT), Terapia Metakognitive, Schema Therapy dhe të tjera.
Këto forma të psikoterapisë quhen “psikoterapi të valës së tretë”, sepse përfaqësojnë një fazë të re zhvillimi, që fillon nga sjellja dhe terapitë sjellore (vala e parë), kalon te terapitë njohëse dhe terapitë njohëse-sjellore (vala e dytë), dhe më pas evoluon në forma më të avancuara. Fillimisht do të shohim disa aspekte të dy psikoterapive të gjeneratave të para.
1.Terapitë e gjeneratës së parë
Terapitë sjellore lindën në vitet ’50, pothuajse njëkohësisht në tre kontinente të ndryshme: në Afrikën e Jugut për trajtimin e fobive dhe ankthit, në Shtetet e Bashkuara për pacientët me skizofreni, dhe në Angli.
Këto terapi, të cilat ishin alternativa ndaj psikoanalizës klasike, njihen si “terapi të valës së parë” apo “terapi të gjeneratës së parë”.
Ato frymëzohen nga studimet mbi kushtëzimin e sjelljes, sidomos nga:
Ivan Pavlov – me kushtëzimin klasik, ku një kafshë mësohet të reagojë (p.sh. me pështymë) ndaj një stimuli neutral (si tingulli i një zile).
Thorndike dhe Skinner – me kushtëzimin operant, ku sjelljet mësohen nëpërmjet shpërblimeve ose heqjes së një ndjesie të dhimbshme.
2. Terapitë e gjeneratës së dytë
Ndryshe nga gjenerata e parë që nuk merrej me proceset e brendshme mendore, gjenerata e dytë lindi me zhvillimin e konjitivizmit (njohjes), një drejtim i psikologjisë që studion proceset njohëse (mendimet, perceptimet, kujtesën etj.).
Aaron Beck, një psikiatër amerikan, është një nga figurat kyçe. Ai vuri re se pacientët me depresion shpesh kanë mendime automatike negative për veten, botën dhe të ardhmen. Terapia njohëse synon të ndryshojë këto mendime për të lehtësuar simptomat.
Në fund të viteve ’80, lindën terapitë njohëse-sjellore (CBT), që bashkojnë elementë të dy qasjeve: sjellore dhe njohëse. CBT është aktualisht forma më e studiuar dhe me më shumë mbështetje shkencore në botë dhe me rezultate të bazuara në evidenca klinike.
3. Terapitë e gjeneratës së tretë
Terapitë e valës së tretë (apo terapitë e gjeneratës së tretë) janë një zhvillim dhe zgjerim i CBT, por shpesh plotësojnë disa nga parimet bazë të saj.
Termi “third wave” u përdor për herë të parë në një artikull shkencor të Steven Hayes (psikolog sjellor dhe themelues i ACT) në vitin 2004 .
Këto terapi kanë disa elementë të përbashkët:
Mindfulness (vetëdije e qëllimshme dhe e pa-gjykueshme për përvojën e momentit të tanishëm)
Pranimi (acceptance)
Shkrirja konjitive – aftësia për të vëzhguar mendimet dhe emocionet pa u identifikuar me to
Vlerat personale si udhërrëfyes për jetën
Stërvitje përmes përvojës – ushtrime imagjinative dhe medituese
Format kryesore të psikoterapive të gjeneratës së tretë
Ja një përshkrim i shkurtër për 6 nga psikoterapitë më të njohura të kësaj vale:
- Acceptance and Commitment Therapy (ACT)
Një terapi sjellore moderne, e bazuar në kontekstualizm funksional dhe teorinë Relational Frame Theory (RFT).
Sipas ACT, vuajtja mendore vjen nga:
Shkrirja konjitive (identifikimi me mendimet)
Shmangia e përvojës (mospranimi i emocioneve të vështira)
Kapja pas vetes së konceptuar dhe të kaluarës
Humbja e lidhjes me vlerat personale
Mungesa e veprimit në përputhje me këto vlera
- Compassion-Focused Therapy (CFT)
Zhvilluar nga Paul Gilbert, kjo terapi kombinon teknika nga disa shkolla brenda një kornize CBT.
Qëllimi: të zhvillohet ndjeshmëria dhe mirëkuptimi ndaj vetes dhe të tjerëve.
Veçanërisht e dobishme për:
Zemërim të pakontrolluar
Ankth të fortë
Turp
Vetëkritikë e tepruar
- Dialectical Behavioural Therapy (DBT)
Zhvilluar fillimisht për çrregullimin borderline (kufitar) të personalitetit, për të reduktuar sjelljet vetë-dëmtuese dhe suicidale (vetëvrasëse)
Përmban:
Trajnim të aftësive sociale
Menaxhim të emocioneve të vështira
Teknikat e mindfulness
Më pas u përdor edhe për:
Varësi nga substancat
Çrregullime të të ngrënit
- Mindfulness-Based Cognitive Therapy (MBCT)
Zhvilluar nga Segal dhe kolegët e tij, MBCT u krijua për të parandaluar rikthimin e depresionit madhor.
Bazohet fuqishëm në praktikat e mindfulness-it, me qëllim që:
Të vërehen mendimet/emocionet si fenomene të përkohshme, jo si pjesë e vetes
Ka treguar efikasitet në kushte klinike.
- Terapia Metakognitive
Një evolucion i drejtpërdrejtë i CBT.
Sipas kësaj qasjeje, problemet mendore lidhen me proceset mendore të përsëritura, si:
Shqetësimi obsesiv
Ruminimi
Strategjitë joefektive të përballimit
Qëllimi: të zhvillohen aftësi për menaxhimin e vëmendjes, mindfulness i shkëputur (detached mindfulness), dhe ushtrime metakonjitive.
- Schema Therapy
Fillimisht e zhvilluar për çrregullime të rënda të personalitetit dhe probleme kronike.
Një qasje e integruar që përfshin:
Teorinë konjitive
Teorinë e lidhjes (attachment)
Psikoterapinë Gestalt
Psikodramën
Veçori: përdor shumë ushtrime imagjinative, me pak fokus në mindfulness sesa terapitë e tjera të gjeneratës ës së tretë.
Psikoterapitë e gjeneratës së tretë dhe Terapitë e Integruara
Zhvillimi i këtyre terapive tregon një krizë të pjesshme të modelit klasik CBT, dhe futje të elementëve përvojësorë në trajtim.
Mindfulness, një praktikë meditative me origjinë në Indinë e lashtë (rreth 2500 vite më parë), u integrua në terapinë moderne falë Jon Kabat-Zinn. Sot është një nga elementët më të përdorur në psikoterapitë moderne.
Ky zhvillim solli diversifikim, por edhe rrezik për konfuzion, për shkak të numrit të madh të qasjeve të ndryshme
Terapia e Pranimit dhe Përkushtimit (ACT): Një qasje e re në trajtimin psikologjik
Terapia e Pranimit dhe Përkushtimit (Acceptance and Commitment Therapy – ACT) është një formë e avancuar e terapisë sjellore, që i përket gjeneratës së tretë të psikoterapive. Kjo terapi bazohet në dy teori themelore: kontekstualizmin funksional dhe Teorinë e Kuadrit Relacional (Relational Frame Theory – RFT).
Qëllimi kryesor i ACT është të ndihmojë individët të përballen me vuajtjet psikike duke ndryshuar mënyrën sesi ata i perceptojnë dhe i menaxhojnë mendimet dhe emocionet e tyre. Terapia fokusohet në disa procese kyçe psikopatologjike që shkaktojnë vuajtje të brendshme:
Shkrirja konjitive – ku mendimet dhe emocionet përzihen me vetë-identitetin, duke bërë që individi të ndihet i mbërthyer prej tyre.
Shmangia e përvojës – tentimi për të shmangur ose mohuar përvojat emocionale të pakëndshme, që në fakt përkeqëson vuajtjen.
Lidhja me vetveten dhe të kaluarën – mbajtja e lidhjeve të forta me imazhin verbal të vetvetes dhe të kaluarës, që kufizon lirinë për të vepruar në mënyrë të shëndetshme.
Konfuzioni mbi vlerat personale – mungesa e qartësisë për atë që është vërtet e rëndësishme për individin.
Mungesa e përkushtimit në veprim – pamundësia për të vepruar në përputhje me vlerat personale, që ndikon në ndjenjën e plotësisë dhe lumturisë.
Përmes ACT, individët mësojnë të pranojnë mendimet dhe emocionet e tyre pa gjykuar, duke u përqendruar në veprime konkrete dhe të drejtuara nga vlerat e tyre të brendshme. Kjo qasje ndihmon në reduktimin e vuajtjeve psikike dhe promovon një jetë më të kuptueshme dhe të qëndrueshme.