Përralla si një përvojë e përbashkët mes rrëfimtarit-fëmijës. Nga Lorela Garuli

Përshkrimi i fotos

 

Si duhet treguar një përrallë?

Përralla është një përvojë e përbashkët mes prindit-fëmijës, gjyshërit-fëmijës. Kjo do të thotë se nuk duhet konsideruar një punë mekanike, e lodhshme apo si një detyrë e rëndomtë.

Prindi duhet të zhytet në rrëfim, duke i dhënë rëndësinë e duhur të gjitha konflikteve të fëmijës.

Përralla është mjet komunikimi, e si e tillë është pranuese dhe fleksibël ndaj cdo ndërhyrjeje të fëmijës. Ndërhyrjet që bën fëmija gjatë dëgjimit pra, janë absolutisht të rëndësishme.

Një fëmijë mund të kërkojë në mënyrë të përsëritur që prindi t’i tregojë të njëjtën përrallë; ky i fundit duhet ta plotësojë këtë kërkesë dhe të kuptojë që ajo përrallë mbart një kuptim të caktuar dhe domethënës për fëmijën.

Nuk këshillohen përrallat me figura apo ilustrime. Gjatë rrëfimit, fëmija duhet të jetë i lirë të fantazojë. Një imazh, do t’ja kufizonte shumë imagjinatën. Për këtë arsye, përralla duhet rrëfyer dhe nuk duhet lexuar.

Përralla është simbolike, jo didaktike. Fëmijës nuk i duhet shpjeguar kuptimi i saj i fshehur dhe nuk ka nevojë të interpretohet sepse fëmija nuk e zotëron akoma të menduarit kritik e racional.