Çrregullimi i vëmendjes dhe hiperaktiviteti në shkollë, marrëdhënia e fëmijës me mësuesin. Nga Lorela Garuli

NDËRHYRJA DHE TRAJTIMI I ADHD NË KONTEKSTIN SHKOLLOR

ADHD dhe ndërhyrjet edukative

Marrë nga libri “Çrregullimi i vëmendjes dhe hiperaktiviteti”, Lorela Garuli 

Fëmija ma ADHD sigurisht që do të paraqesë një sërë vështirësish në shkollë. Duke ditur ecurinë e crregullimit përgjatë jetës, pra, që me kalimin e viteve simptomat e mungesës së vëmendjes vazhdojnë të jenë të pranishme dhe njëkohësisht duke ditur bashkëshoqërimin e crregullimit të vëmendjes me hiperaktivitet, me crregullimet e të nxënit, nuk është e vështirë të merret me mend se cfarë pengesash mund të ketë një nxënës me ADHD në këtë kontekst.

Pikësëpari, shkolla është një institucion që pashmangshmërisht i kërkon fëmijës të ketë një qëndrim dhe një sjellje të caktuar konform rregullave dhe normave që ajo përmban. Nga ana tjetër, procesi mësimor i të nxënit kërkon pjesëmarrjen e një sërë funksionesh kognitive, bashkërendimi i të cilave sigurisht ndërlikohet nga ADHD.

Fëmija me ADHD “dështon” të jetë një nxënës tipikisht “i mirë” dhe nuk është nxënësi ideal që një mësues do të donte të kishte në klasën ku jep mësim. Kjo vjen jo vetëm si rrjedhojë e faktit që një fëmijë me ADHD është realisht i vështirë për t’u menaxhuar, por në pjesën më të madhe të rasteve mësuesve u mungojnë njohuritë, informacionet dhe trajnimi i duhur për të punuar me një nxënës të tillë. Janë shumë të paktë mësuesit të cilët kanë trajnimin e duhur profesional për të edukuar drejt fëmijë me crregullimin e vëmendjes.

Kështu, për të fshehur frustrimin që sjell puna me ta, paaftësinë apo mungesën e teknikave e instrumenteve ndërhyrës, pjesa më e madhe e mësuesve që nuk arrijnë të kuptojnë drejt natyrën e crregullimit dhe që bëhet fjalë për një crregullim me natyrë biologjike/neurologjike, fajësojnë gabimisht prindërit, duke i bërë përgjegjës për “sjelljen” e papërshtatshme të fëmijëve të tyre, me pretendimin se kanë edukuar fëmijë të llastuar.

Mësues të ndryshëm mund të kenë përvojë dhe njohuri për t’iu përgjigjur nevojave të vecanta të fëmijëve me aftësi ndryshe, evolutive apo edukative. Ndërkohë që puna me fëmijët me ADHD ka një tjetër karakter dhe kërkon zotërimin e informacioneve të sakta e të përditësuara mbi crregullimin dhe aplikimin e planeve përkatëse të ndërhyrjeve, strategjive dhe programeve individuale, sipas cdo fëmije.

Më poshtë renditen disa nga problematikat me të cilat fëmijët me ADHD bashkëjtetojnë dhe përballen në jetën e tyre shkollore, krahas kërkesave dhe detyrimeve që ky kontekst paraqet.

 

Cfarë shkolla kërkon:                                 

  • Të dëgjojë shpjegimet dhe të jetë i vëmendshëm
  • Aftësi të të nxënit në mënyrë përzgjedhëse
  • Realizimi i përpjekjeve gjatë aktiviteteve që kërkojnë sforcim mendor
  • Respektimi dhe zbatimi i rregullave në klasë
  • Aftësi organizative
  • Aftësi analitike, sintetike, deduktive
  • Interes për procesin e të mësuarit
  • Vetëkontroll emocional
  • Lokus kontrolli i brendshëm
  • Aftësi metakognitive; të mësojë si të mësojë

Cfarë vështirësish paraqet një nxënës me ADHD:

  • Vëmendje e shpërndarë
  • Vështirësi për t’u përqendruar në detyra të ndërlikuara
  • Aftësi të dobëta për t’u organizuar
  • Aftësi të dobëta për të përzgjedhur dhe për të memorizuar informacionin më të rëndësishëm
  • Paaftësi për të ndjekur udhëzime, rregulla dhe për të zbatuar procedura/orientime/detyra
  • Aftësi të dobëta për të punuar në përmbushjen e objektivave të caktuara
  • Aftësi të dobëta në përcaktimin e strategjive për të kryer detyra apo zgjidhur problema shkollore
  • Aftësi të dobëta analitike, sintetike, deduktive
  • Pak ose aspak motivim ndaj procesit të të mësuarit dhe disiplinave të caktuara shkollore
  • Kontroll i dobët i emocioneve
  • Atribuime të gabuara

Strategji për të menaxhuar sjelljet e ADHD në klasë

Me qëllim reduktimin dhe minimizimin e simptomave të ADHD në kontekstin shkollor, janë zhvilluar e konceptuar një sërë ndërhyrjesh për sjelljet e këtyre fëmijëve; si në nivel akademik, ashtu dhe të vetëkontrollit, të sjelljeve të papërshtatshme, të vëmendjes e me radhë.

Përpara se të shpjegohen me radhë, është e rëndësishme të kuptohet dhe të mbahet parasysh se fokusi i punës me këta fëmijë nuk duhet të jetë mbitheksimi i sjelljeve negative, impulsive dhe hiperaktive që ata shfaqin. Përkundrazi, që të arrihen rezultate efikase dhe që realisht ata të kenë përmirësim, është e domosdoshme që t’i kushtohet rëndësi të gjitha përpjekjeve positive që ata bëjnë dhe sjelljeve konstruktive që shfaqin në klasë. Dhënia e feedback-ut pozitiv është jo vetëm një teknikë e përshtatshme në nivel të formimit dhe nxitjes së sjelljeve të dëshiruara, por është gjithashtu një nxitës shumë i mirë i vetëvlerësimit dhe vetëkonceptit pozitiv të këtyre fëmijëve; vlerësim për të cilin ata kanë shumë nevojë. Kështu psh, nëse një nxënës hiperaktiv i cili qëndron shumë pak ulur në klasë, gjatë gjithë kohës mësuesi i tërheq vëmendjen dhe e qorton për këtë veprim, gjasat janë që frekuenca e këtij veprimi të shtohet. Ndërsa nëse, mësuesi e përgëzon në rastet kur fëmija po qëndron ulur, kjo sjellje do të përforcohet pozitivisht dhe do të jetë më e shpeshtë. Ose një rast tjetër, kur një nxënës i zhurmshëm po punon i qetë, lëvdatat e mësuesit do të rrisin qëndrimin pozitiv dhe të përshtatshëm të këtij nxënësi.

Pra, përdorimi i shpërblimeve, i lëvdatave, i dhëniës së feedback-ut pozitiv, i komplimentave dhe i përforcimeve pozitive, shërben për të mos krijuar atë rreth vicioz të rrezikshëm ku fëmijët me ADHD vetëm kritikohen dhe sjelljet e tyre pozitive kalohen në heshtje pa u vënë re.

Add Your Comment