Pandemia ka ndikuar në pubertetin e hershëm te vajzat

Vitet e fundit, mosha e fillimit të menstruacioneve të para ishte ulur, për shkak të stilit të jetesës sedentare dhe dietës së pasur me yndyrë. Në një vit e gjysmë të fundit, domethënë që nga përhapja e pandemisë, ekspertët kanë regjistruar një rënie të mëtejshme. Duket se pandemia Covid-19 është ndër shkaqet e pubertetit të hershëm te vajzat.

Çfarë thonë studimet

Dy studime të kryera në Itali konfirmojnë këtë prirje e cila ka dyfishuar rastet e pubertetit të hershëm në krahasim me vitin e kaluar. E para, e kryer nga spitali Bambino Gesù në Romë dhe e botuar në Gazetën Italiane të Pediatrisë, raportoi një rritje të rasteve të familjeve që kërkuan këshillim për pubertetin e parakohshëm (246 raste në 2020 krahasuar me 108 në 2019 me një rritje 108 përqind). Në studimin e dytë, të kryer nga Fondacioni Meyer në Firence, u përfshinë 49 raste të pubertetit të parakohshëm, nga të cilët një grup i diagnozave të reja (37 vajza) ndërsa në grupin e dytë (12 vajza) rastet që tashmë ishin diagnostikuar me pubertet të parakohshëm, por që kishin përshpejtuar zhvillimin gjatë karantinës. Të dhënat u krahasuan me rastet e 5 viteve të mëparshme dhe pati një rritje të konsiderueshme në diagnozat e reja të pubertetit të hershëm tek vajzat.

Ekspertët besojnë se stimuli për prodhimin e hormoneve është për shkak të një sërë faktorësh: para së gjithash, shtimi i peshës për shkak të ushqyerjes së tepërt dhe pasivitetit fizik në favor të një stili jetese të ulur para pajisjeve teknologjike. Stresi psikologjik lidhet gjithashtu me pubertetin e hershëm. Ankthi se mos merrni sëmundjen, distancimi shoqëror, ndryshimet në rutinë, perceptimi i frikës së prindërve për çdo problem financiar ose shëndetësor mund të ketë krijuar paqëndrueshmëri emocionale dhe humbje të ndjenjës së sigurisë. Për më tepër, sipas gjinekologëve, ekspozimi ndaj pajisjeve teknologjike mund të jetë gjithashtu përgjegjës për pubertetin e hershëm tek vajzat. Në fakt, duket se shkakton një ulje të niveleve të melatoninës dhe kjo do të jetë në bazë të ndryshimeve endokrinologjike që çojnë në zhvillimin e pubertetit në një moshë të hershme.

Kujdes nga këto shenja

Gjinjtë fillojnë të shfaqen, qimet shfaqen në sqetull dhe organet gjenitale dhe vërehet një rritje e papritur në gjatësi. Është e rëndësishme të mos nënvlerësoni situatën dhe të kontaktoni menjëherë pediatrin ose gjinekologun, për të kuptuar nëse jeni duke u përballur me një rast të pubertetit të parakohshëm. Nëse është kështu, gjithashtu për të parandaluar që vajza të përjetojë simptoma në nivel psikologjik – sepse e sheh veten ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj – mjeku do të jetë në gjendje t’i tregojë familjes se cilën rrugë duhet të marrë. Mund të jetë gjithashtu thjesht një zhvillim i përshpejtuar i pubertetit që rezulton në fillimin e menstruacioneve rreth moshës 10-11 vjeç, pa ndonjë problem të veçantë.

Prindërit nga vitet e para të jetës mund t’i mësojnë vajzat, por edhe djemtë, në një mënyrë jetese të shëndetshme për të parandaluar fillimin e pubertetit të parakohshëm. Aktiviteti fizik i praktikuar çdo ditë edhe si një formë e lojës në natyrë, një dietë e ulët në mish dhe yndyrë, e pasur me perime dhe drithëra, koha e reduktuar para televizorit dhe telefonëve inteligjentë përmirësojnë zhvillimin fizik.

Add Your Comment