Si të reagojmë përballë gënjeshtrave të fëmijës?

Për të përcaktuar se cila është mënyra më e mirë për të reaguar përballë gënjështrave të fëmijës, në radhë të parë duhet kuptuar se pse gënjen. Çdo gjë që fëmija bën, thotë, fantazon, sajon dhe tregon, na jep informacion mbi sesi ai ndihet dhe mendon. Për këtë arsye, gënjeshtrat e tij duhen konsideruar si një “material” për të kuptuar më mirë se cfarë e shtyn fëmijën të gënjejë dhe se nga cfarë po përpiqet ai të fshihet. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet. Procesi i njohjes së vetes nga ana e fëmijës, kalon nëpër shumë filtra kë, një prej të cilëve që ndeshen rëndom ka të bëjë me gënjeshtrën. Fëmija gënjen kur ndjen se sjelljet apo perceptimet e tij nuk janë në përputhje me standardet morale të prindërve apo me pritshmëritë e këtyre të fundit ndaj tij. Adoleshentët mund të gënjejnë kur kanë frikë se mund t’i zhgënjejnë prindërit, kur ndjejnë shumë presion prej tyre, kur ndjejnë që po rriten dhe kanë ndryshuar shumë. Ajo që duhet bërë në këto raste nga ana e prindërve është që më shumë sesa të nxehen me fëmijët e tyre, ata të motivohen të kuptojnë pse kjo situatë po ndodh dhe të pyesin veten për të gjetur shkaqet; pa e marrë të gjithë këtë si një sulm ndaj figurës së tyre prindërore dhe edukimit që ata kanë përcjellë tek fëmijët. Është thelbësor komunikimi, transparenca dhe krijimi i një klime dashamirëse në të cilën fëmija të mund të ketë lirinë të shprehet. I duhet shpjeguar se zëri i tij do dëgjohet, me prirjen për ta mirëkuptuar dhe jo se do gjykohet për mendimet, dëshirat apo vendimet që do të marrë. Të pasurit e hapësirave personale do t’i ndihmojë të kuptojnë që nuk është nevoja të gënjejnë për të zgjidhur problemet e veta apo për të marrë atë që duan. Përballë një adoleshenti që gënjen, prindi duhet të ulet dhe t’i kërkojë të vërtetën , shumë qetësisht, duke i shpjeguar pse është e rëndësishme ndershmëria dhe sinqeriteti. Në rast se është fjala për një adoleshent të ndrojtur që ka vështirësi për t’u shprehur verbalisht, mund të kërkohen alternativa të tjera, si psh. fëmija mund të komunikojë fillimisht me një vëlla/motër më të madh apo me atë anëtar që mund të shprehet më lehtë. Është e rëndësishme të mbahet parasysh se fëmija ka nevojë për hapësirën e vet individuale dhe nuk është e nevojshme që prindi të jetë hiper kontrollues dhe kureshtar për cdo detaj. Mjafton ta dijë të vërtetën aq sa për t’u siguruar se fëmija i tij është mirë dhe po zhvillohet shëndetshëm kisht.

Fëmija dhe adoleshenti duhet ndihmuar të arrijë objektivat apo të realizojë dëshirat e veta pa gënjyer. Kompromisi dhe gjetja e ekuilibrave në marrëdhënien prind-fëmijë është një hap i sigurt drejt zgjidhjes së problemeve.

Kryesorja: jo ofendime, jo akuza, jo sharje apo epitete për ta bërë të ndihet keq apo turpëruar. Është një rreth vicioz, sa më shumë t’i drejtohet gishti dhe të ndihet në shënjestër të gjykimeve, aq më shumë fëmija do të gënjejë. Sigurisht që për prindin është e vështirë dhe zhgënjyese fillimisht mbase të marrë vesh që fëmija po e gënjen, por nëse bëhet aleat me të dhe ka dëshirën e mirë për ta kuptuar, me shumë gjasa do të kthehet në një mik të besueshëm dhe do mund të marrë sinqeritetin e fëmijës.

 

Comments

  • Drilona
    Posted 19 Shkurt, 2020 21:32 0Likes

    Pérgézime 😍 Shkirm me shumé vleré, pér prindérit dhe jo vetém… 🤗😍

Bëj një koment