Prindërit kanë një rol të rëndësishëm në përgatitjen e fëmijës në përballimin e situatave të reja apo ngjarjeve. Ata janë një burim i rëndësishëm që sigurojnë mbështetje emocionale.
Fëmijët janë të ndryshëm në aftësinë e tyre për të përballuar ngjarjet e fundit si pasojë e epidemisë së koronavirusit (Covid-19). Mënyra e reagimit të fëmijëve ndaj kësaj ngjarje lidhet me nivelin e zhvillimit dhe aftësisë njohëse, për të kuptuar situatën.
Ngjarjet e fundit kanë ndryshuar stilin e përditshmërisë të shumë fëmijëve, duke shkaktuar tek ata ndikim emocional, distancim social dhe izolim në shtëpi.
Disa nga faktorët që ndikojnë në gjendjen e tyre emocionale janë:
- Fëmijët e kanë të vështirë të ndryshojnë rutinën (izolimin në shtëpi, mbylljen e shkollave, të bëjnë mësim online, të mos shkojnë në sporte apo aktivitete të ndryshme etj) e cila shoqërohet me stres, duke ndikuar në gjendjen e tyre emocionale.
- Mungesa e kontaktit, argëtimit dhe largimit nga bashkëmoshatarët nxit ndjenja trishtimi .
- Fëmijët me ndjenja ankthi shmangin të flasin rreth mënyrës se si ata ndjehen. Ata udhëhiqen nga frika e humbjes së antëarëve të familjes apo shokëve të ngushtë. Shfaqin probleme si impulsivitet, momente nervozizmi, probleme në përqendrim, sjellje të acaruara apo tërheqje sociale.
Disa mënyra sesi prindërit mund të ndihmojnë fëmijët:
- Jepni besim dhe përqendrohuni në mbështetjen e fëmijëve duke i ndihmuar të kuptojnë situatën.
- Bisedoni me fëmijët për atë që po ndodh.
- Nxitini fëmijet të bëjnë pyetje dhe të shprehin paqartësitë.
- Angazhohuni në aktivitete që promovojnë mirëqenie si (lojëra, lexim, biseda me njëri-tjetrin).
- Ndihmoni fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre përmes vizatimit.
- Kontrolloni përdorimin e mediave përpara fëmijëve për sigurinë e tyre.