Xhena Vrapi, mes vështirësive dhe dashurisë; mbështetja e palodhur për vëllain me autizëm!

 Isha shumë e vogël kur jeta ime ndryshoi tërësisht.

Por pse do pyesni ju?! Nuk e di pse në çastin që dëgjova fjalën “Autizëm”, bota ime mori më shumë ngjyra por për prindërit e mi ndodhi e kundërta.

Autizmi për ta u bë një tunel i gjatë dhe i errët ku kërkonin shumë pyetje pa përgjigje, ato pyetje jua kishin bërë kohën të ndalonte për një çast, nuk mendonin se do të kishte një përmirësim ky çrregullim tek vëllai im.

Unë isha fëmijë dhe nuk e dija kuptimin e fjalës “Autizëm” por prapë mamaja kërkonte, kërkonte pa pushim se çfarë ishte kjo hije e errët që mbuloi jetën tonë.

Megjithatë, unë isha e sigurt që edhe pse çrregullimi do të ndikonte tek mënyra sesi Lorenco mendonte ose vepronte në jetën e përditshme, përsëri ai për mua do mbetej vëllai më i bukur dhe me sytë e shkruar.

Shpesh pyes veten dhe u rrita me pikëpyetjen sesi do të ishte vëllai im po mos të kishte këtë çrregullim?!

A do të luante me shokët e tij, a do të luante me mua dhe a do të pranonte shumë gjëra që ne hasim në jetën e përditshme?

Mbase prindërit do të ëndërronin shumë gjëra për Lorencon që kjo hije jua këputi në mes këtë dëshirë, mbase do të kujdeseshin njësoj për ne të dy dhe më kryesorja; mbase jeta e tyre do të ishte më e bukur.

Kjo letër e bardhë ka qenë gjithmonë mbështetja për të shkruajtur dhe shprehur historinë e gjatë të jetës time.

Lorenco ishte fëmija me sytë e ndritur sa herë ai vështronte mamin, e shtrëngonte aq fort atë saqë nuk donte ta ndante as me mua, ai nuk donte që unë të bëhesha pjesë e tyre!

Mendoja se Lorenco do të më pranonte një ditë, por jo, nuk ndodhi kështu për sa kohë ai ishte i vogel nuk donte që unë mos t’i prekja lodrat e në shumë raste as atë vetë.

Qëndroja dhe ndjeja aromën e vëllait tim vetëm kur ai ishte në gjumë, së bashku me mamin që qante për djalin e saj të vetëm!

Ditët kalonin dhe Lorenco nuk ishte po ai djalë i vogël që mbështeste kokën tek mami, por ai mbështetej vetëm tek reklamat që shihte në TV, adhuronte kompjuterin dhe atë që ndodhej brenda tij.

Kur ne dilnim ndonjëherë që të bënim Pazar, ai merrte vetëm ato gjëra të cilat atij i pëlqenin dhe mbase me tepri, por mami dhe babi ishin të detyruar t’ja plotësonin që ai mos të qante sepse na shikonin të gjithë më pas.

E kështu jeta jonë u bë një kalvar i gjatë ku brenda saj gjendej dhe lumturia por dhe dhimbja për vëllain tim të vogël, të cilin autizmi e kishte mbërthyer fort me kthetrat e tij.

Dielli lindte çdo ditë përsëri, por për familjen time gjërat sa vinin dhe vështirësoheshin. Lorenco falë trajtimeve dhe përkushtimit të familjes, sidomos të mamit, filloi të ndryshonte dhe të shtypte ngjyrat e errëta e të kalonte tek më të çelurat dhe plot jetë.

Sot pranë ditës ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit të Autizmit dua që historia ime të jetë frymëzim dhe jo hidhërim.

Të fshijmë lotët dhe t’i gëzohemi jetës duke luftuar Autizmin!

Add Your Comment