Mediat sociale; na ndihmojnë apo na pengojnë gjatë kësaj periudhe? Nga Eduart Tafa, psikolog

Ndërsa karantinimi i shkaktuar nga pandemia e Covid-19  shtyn gjithnjë e më shumë njerëz drejt qëndrimit ne shtëpi, ata kanë filluar të aktivizojnë mënyra nga më të ndryshmet për të argëtuar veten, familjaret dhe miqtë në të gjithë botën përmes rrjeteve sociale.

Rrjetet sociale në këto ditë ju ofrojnë njerëzve mundësinë që të kenë kontakte me miqtë dhe të njohurit e tyre anembanë botës, duke bërë biseda me miqtë e tyre, të shkëmbejnë ide, të ndajnë eksperienca etj. Adoleshentët dhe studentët mund të bashkëpunojnë me bashkëmoshatarët e tyre për të përmirësuar aftësitë e veta akademike, detyra online, aftësitë e komunikimit, praktikimin e gjuhëve të huaja,  por edhe shumë lojera e aktivitete të tjera.

Të moshuarit dhe ata që janë me aftësi ndryshe, apo ata të moshuar të cilët mund të kenë lëvizshmëri të kufizuar, mund të përdorin rrjetet sociale për t’u lidhur me të afërmit e tyre, për të qenë më pranë njëri-tjetrit edhe pse virtualisht, duke i bërë të ndihen më mirë të lidhur jo vetëm me nipërit e mbesat e tyre, por edhe me njerëzit me të cilët ndoshta nuk kanë komunikuar për një kohë të gjatë.

Në ditët e sotme, shumë prej nesh mbështeten në platformat e mediave sociale si Facebook, Tëitter, Snapchat, YouTube dhe Instagram për të gjetur dhe për t’u lidhur me njëri-tjetrin.

 

Cili është roli i mediave sociale në shëndetin mendor?

Qeniet njerëzore janë krijesa sociale që kanë nevojë për shoqërimin dhe ndërveprimin me njerëz të tjerë për të progresuar në jetë dhe forca e lidhjeve tona me të tjerët ka një ndikim të madh në shëndetin dhe lumturinë tonë.

Të komunikuarit virtualisht në këto ditë karantinimi me të tjerët mund të lehtësojë stresin, ankthin dhe depresionin, të forcojë vlerën e vetvetes, të sigurojë rehati dhe gëzim, të parandalojë vetminë dhe madje të gjallërojë dhe zbukurojë castet e dites tënde.

Por, nëse ju po shpenzoni një kohë të tepruar duke qendruar me orë të gjata pa ndërprerje në mediat sociale mund të krijojë varësi me ndikim negativ në jetën tuaj. Moskujdesi dhe mosnjohja e kritereve të përdorimit të këtyre programeve sidomos nga fëmijët dhe adoleshentët mund të sjellë pasoja të pakëndshme për ta.

Fëmijët si shtresa më e ndjeshme e shoqërisë për shkak edhe të vetë moshës së tyre, më lehtë se çdokush tjetër mund të bien pre e varësise, si djemtë ashtu edhe vajzat. Rreziqet më të mëdha që përmban interneti për fëmijët janë pa dyshim aksesi në lojëra video-game të dhunshme, mundësia e të shikuarit foto apo sekuencat e filmimeve jo të përshtatshme për moshën.

Kur fëmijët kalojnë shumë kohë në internet, kjo ndikon në rutinën dhe veprimtarinë e tyre ditore duke zëvendësuar aktivitetet e tyre të mëparshme me të tjera që janë të papërshtatshme dhe joproduktive. Orët e zgjatura në internet bëjnë që fëmijët të neglizhojnë proceset shumë të rëndësishme si: ushqyerje e shëndetshme, gjumi i rregullt, leximi, detyrat shkollore, aktivitetet shoqërore etj.

 

Si të qëndrojmë të shëndetshëm në mediat sociale?

Është e rëndësishme mbajtja parasysh e disa këshillave për fëmijët tuaj që mund t’ju ndihmojnë të krijoni zakone të shëndetshme në ndjekjen e mediave sociale, që t’u mundësoni një ekuilibër,  për të mbrojtur shëndetin e tyre mendor dhe të bëni që media juaj sociale të ketë më shumë ndikime pozitive sesa negative.

  • Mënyra më e mirë për t’i shpjeguar fëmijës tuaj është të zhvilloni një bisedë të frytshme me të duke i folur në mënyrë që të kuptojnë efektet anësore të përdorimit të tepërt të pajisjeve dhe internetit. Pika kryesore e bisedave të tilla duhet të jetë krijimi i vetëdijes midis burimeve të tyre lidhur me rreziqet e padobishme që ata mund të hasin gjatë përdorimit të tyre të internetit.

 

  • Prindërit dhe fëmijët, së bashku, duhet të krijojnë një listë të programit ditor si edhe hapësirat për përdorim të internetit, ku duhet të zbatohen rregullat dhe kohëzgjatja që fëmijët munden ta përdorin internetin.

 

  • Fillimisht, vendosni një orar të caktuar në mënyrë që fëmijët tuaj të mësojnë të përdorin kompjuterin dhe median sociale si një mjet hulumtues dhe përfitues të informacioneve kualitative, në një mënyrë të ekuilibruar dhe racionale.
  • Mënyra më efektive për ta bërë këtë është duke stimuluar fëmijët tuaj me aktivitete të tjera, në mënyrë që ata ta përqendrojnë mendjen e tyre te interesat e tjera.
  • Nëse zbuloni se fëmija juaj kalon orë të tepërta në kompjuter, tablet apo smartphone dhe dyshoni në varësinë nga interneti, është e rëndësishme të veproni me shpejtësi dhe efektivitet, duke kërkuar ndihmën e menjëhershme të ofruar nga profesionistë të shëndetit mendor.

 

Add Your Comment