Ndryshimi i papritur i rutinës dhe frika nga Covid –19, padyshim që kanë një ndikim të madh në psikologjinë e gjithësecilit prej nesh.
Të gjithë jemi gjendur përballë një situate të cilën nuk e kishim menduar kurrë , disa njerëz kanë filluar ta pranojnë dhe të përshtaten, ndërsa të tjerë refuzojnë ta pranojnë . Mirëpo, duam apo jo, realiteti është ky që po përjetojmë .
Të gjithë jemi të rrezikuar nga ky virus, pa dallim moshe, por ata që nuk po ja dalin dot ta mposhtin, janë gjyshërit tanë.
Mosha e tretë është kategoria më vulnerabël e shoqërisë dhe është pikërisht kjo kategori ajo që po e vuan më shumë këtë situatë. Le të shohim disa arsye:
- Atyre iu duhet të dëgjojnë çdo ditë, pothuajse në çdo program televiziv, që mosha e tyre është më e rrezikuara dhe se shumica e atyre që nuk ja kanë dalë mbanë kanë qenë në moshë të thyer
- Shumë prej tyre jetojnë vetëm
- Vuajnë nga disa sëmundje njëkohësisht
- Një pjesë e konsiderueshme ka vështirësi ekonomike
- Gjasat janë të mëdha që të moshuarit të jenë përballur dhe me humbjen e njerëzve të dashur, miq apo familjarë (Sidomos ky fakt bën që forca e tyre të shterojë)
Të gjitha këto ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre fizik dhe mendor.
Prandaj, kjo grupmoshë është ajo e cila ka më tepër nevojë për ndihmën tonë.
Në këto ditë të vështira njerëzit janë solidarizuar dhe shumë prej tyre po ndihmojnë sa munden. Ndihmat kanë të bëjnë me ushqime dhe më së shumti ajo që po ndihmohet është mosha e tretë, për shkak të vështirësisë ekonomike dhe pamundësisë për të dalë dhe për të bërë pazar.
Sigurisht që ushqimi është një nga nevojat më bazike të gjithkujt, por a mjafton vetëm kjo? A mjafton vetëm kaq? Sigurisht që nuk mjafton, ajo që të moshuarit vuajnë më shumë është vetmia, sidomos në këtë periudhë ku ata tashmë nuk mund të bëjnë as shëtitjen e tyre apo të mblidhen me miqtë e tyre dhe familjarët.
Ata duhet të qëndrojnë të izoluar, por pasojat e izolimit social sigurisht që janë negative , një ndër to është depresioni.
Si mund t’i ndihmojnë fëmijët, prindërit e tyre të moshuar?
Kjo situatë është shumë e vështirë si për prindërit e moshuar që jetojnë vetëm, po ashtu edhe për fëmijët të cilët e ndiejnë mungesën e tyre, por për shkaqe të ndryshme ndodhen larg tyre.
Ja disa ide konkrete dhe praktike se çfarë mund të bëjnë fëmijët për prindërit e tyre në moshë të thyer:
- Komunikimi me anë të teknologjisë (facetime, skype). Bisedat që mund të bëhen janë të pafundme , mund të flisni për fëmijërinë, për gatime të ndryshme , programe argëtuese televizive, për nipërit dhe mbesa. Kjo padyshim që do të përmirësojë gjendjen emocionale të të dyja palëve. Mirëpo, jo të gjithë kanë mundësi dhe akses në përdorimin e teknologjisë, e në raste të tilla, mund të komunikojnë me anë të telefonit. Në rastin që janë dy, tre ose më shumë fëmijë, atëherë ata mund të bëjnë një plan me njëri – tjetrin që secili t’i marrë prindërit në telefon në orare të ndryshme, kështu dita e tyre do të kalojë më shpejt.
- Mund të përgatisin ushqimet e preferura të prindërve të tyre dhe mund t’i vendosin ato, pas derës së tyre (sigurisht nëse është mundësia ,pra nëse shtëpitë janë afër me njëra tjetrën)
- Gjithashtu, në momentin që bëjnë furnizimet nëpër supermarket një qese me ushqime mund ta dërgojnë tek shtëpia e prindërve dhe me një surprizë brenda, psh një letër ku i shkruajnë se sa shumë i mungojnë, ose ndonjë vizatim nga nipërit e mbesat. Kjo sigurisht që do t’i emocionojë dhe do t’i japë shpresë dhe kurajo.
- Ka dhe gjyshër të cilët kanë pasur ditëlindjen por për shkak të situates i është dashur ta festojnë vetëm. Cfarë mund të bëjnë fëmijët në këtë rast? Mund t’i organizojnë një surprizë edhe me ndihmën e aplikacioneve online që i ofrojnë këto mundësi dhe lehtësime. Do të jetë një kujtim i bukur dhe sigurisht do t’i kujtojë gjyshërve dhe prindërve që nuk janë vetëm.
- Fëmijët mund t’i dërgojnë prindërve të tyrë libra të ndryshëm të cilët ato preferojnë apo edhe kaseta ose CD me këngët e tyre të preferuara. Duke i kujtuar në këtë mënyrë që ata gjithmonë do të kujdesen për ta, pavarësisht largësisë apo situates, kjo gjë padyshim që do i motivojë ata dhe do të ndihen më pozitivë .
Dhe si përfundim, disa mesazhe që mund të japim dhe marrim gjatë kësaj periudhe:
- Mundohuni të gjeni pozitiven në çdo gjë, edhe aty ku duket e pamundur .
- Po në rastin e Covid 19 cfarë mund të jetë pozitive?
- Eshtë pozitiv fakti që jemi të gjithë bashkë në të njëjtën situate, të gjithë kundër një virusi.
- Jemi të gjithë të barabartë (ndoshta për herë të parë).
- Shumë prej nesh kemi kohën që gjithmonë e kemi kërkuar me ngulm; le ta shfrytëzojmë (të kujdesemi për veten, të merremi me aktivitete sportive në kushte të shtëpisë, të lexojmë sa më shumë dhe të bëjmë gjërat që na pëlqejnë).
- Njerëzit po bëhen më solidarë.
Të gjithë bashkë do ia dalim, duhet vetëm DURIM DHE KUJDES!