Ҫfarë është loja simbolike apo loja “me sikur” në moshën e fëmijërisë së hershme? Nga Lorela Garuli

 

Është një lloj loje e pavarur e fëmijës, në të cilën fëmijët veprojnë “sikur” të jenë në vendin e tjetrit, “sikur” kanë një profesion të caktuar, pra janë brenda një skenari imagjinar të krijuar prej tyre. Ndihmon fëmijën të vendoset në vendin e tjetrit, të zhvillojë shprehi të komunikimit gjuhësor dhe social, të eksplorojë dhe të eksperimentojë në mjedisin përreth.

 

Koha kur fëmijët e praktikojnë lojën imagjinare

Fëmijët fillojnë të shfaqin elementë të lojës imagjinare që përpara moshës 2-vjeҫare, në moshën 5-vjeҫare praktikimi nga ana e fëmijëve arrin “kulmin”, por kjo mënyrë simbolike loje vazhdon deri 10 vjeҫ. Pra, fakti që ka një kohëzgjatje kaq të shtrirë, në të gjithë fëmijërinë, dëshmon rëndësinë që ka kjo lojë në mirëzhvillimin e fëmijës dhe hapësirat që të rriturit duhet t’i japin.

 

Nëpërmjet lojës, fëmijët rriten shëndetshëm. Nga ana tjetër, duke luajtur në mënyrë simbolike, fëmija ushtrohet të shikojë gjërat dhe nga perspektiva të tjera, që është shumë e dobishme për një zhvillim të plotë psikosocial; më shumë akoma, një domosdoshmëri, që fëmija të dalë shëndetshëm nga egocentrizmi i 5 viteve të para të jetës.

Lojën simbolike/imagjinare, fëmija mund ta zhvillojë vetëm, me një shok apo shoqe imagjinare. Në rastet që fëmija luan vetëm, por komunikon me shokun apo shoqen imagjinare, që e ka krijuar si personazh, shpeshherë prindërit shqetësohen sepse u duket sikur fëmija i tyre po flet “me vete”. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë.

Kur fëmija është duke luajtur dhe flet në kuadër të lojës që po bën, është thjesht pjesë e ndërveprimit të tij me imagjinatën dhe fantazinë. Për më tepër, loja imagjinare jo vetëm që nuk është një tregues negativ apo që dëshmon për problem, por përkundrazi, ndihmon dhe stimulon zhvillimin e gjuhës në mënyrë cilësore.

 

Cilat janë disa nga lojërat simbolike më të shpeshta dhe kontekstet që fëmijët mund të eksplorojnë? 

  • Loja si mjek/infermier
  • Loja mësues-nxënës
  • Të veshurit/maskuarit si personazhe të ndryshme
  • Në kuzhinë
  • Një udhëtim imagjinar
  • Sikur janë të rritur

Ndërkohë, loja imagjinare jo vetëm që zhvillon, por nga mënyra sesi fëmija luan mund të kuptohen shumë dinamika të personalitetit të tij.

Ajo që të rriturit mund të bëjnë në këto raste, është t’i lënë fëmijët të lirë në lojën e tyre,  e nëse të vegjëlit ju ftojnë, mirëpriteni ftesën me entuziasëm dhe bëhuni pjesë.

 

 

Add Your Comment