Kur plotësohen karakteristikat moshore të leximit të fëmijës tuaj?
Çdo fëmijë zhvillon aftësitë e leximit në një mënyrë unike dhe, si rrjedhojë, do të arrijë normat e zhvillimit në pika të ndryshme nga bashkëmoshatarët. Megjithatë, ekziston një ecuri e ngjashme për shumicën e fëmijëve. Këto karakteristika moshore janë paraqitur më poshtë:
Mosha 0 – 1 vjeç
-Fëmija prek, kap dhe kthen faqet e librit. Zakonisht, bëhet fjalë për libra me faqe të forta, të krijuara posaçërisht për këtë grup-moshë, meqënëse motorika fine e tyre nuk u lejon të shfletojnë apo mirëpërdorin librat për më të rritur.
-Vogëlushi reagon ndaj historive dhe shikon pikturat në libër. Ai / ajo mund të lëshojë pasthirrma kënaqësie, habie, mërzitjeje në varësi të ngjarjeve të librit, si dhe tonit tuaj të zërit.
Mosha 1 – 3 vjeç
-I vogli juaj identifikon dhe kërkon librat e parapëlqyer. Nëse ju keni një bibliotekë apo një kënd të caktuar në shtëpi, do të vini re se fëmija mund t’ju marrë për dore për tek libri, t’ju tregojë me gisht librin ose të thotë titullin e tij apo emrin e personazheve.
-Fëmija kthen faqet e librit siç duhet. Në këtë moshë është zhvilluar motorika fine, e cila mundëson kapjen e fletës siç duhet, si dhe aftësia për të kuptuar që fletët kthen një nga një.
-Vogëlushi tregon me gisht figurën, emrin e së cilës dëgjon. Gjatë leximit tuaj, një fëmijë i vëmendshëm do të njohë personazhet nga përshkrimi juaj dhe do t’i tregojë në libër.
-Fëmijët, në këtë moshë, bëjnë sikur lexojnë. Ata imitojnë uljet dhe ngritjet e tonit tuaj të zërit; ritmin e leximit dhe fjalët që mbajnë mend nga historia.
-I vogli juaj dëgjon histori dhe flet rreth personazheve të librit. Kjo aftësi zhvillohet kur fëmija ka një përqendrim të mirë, por edhe dëshirën për të lexuar / dëgjuar histori. Nëse elementi “përqendrim” mungon, kjo aftësi mund të zhvillohet më vonë.
Mosha 3 – 4 vjeç
-Fëmija rrit vëmendjen dhe flet rreth librave më kompleksë. Deri në këtë moshë, historitë dhe ngjarjet e librave sillen rreth një personazhi dhe kanë një zhvillim të thjeshtë. Duke nisur nga mosha 3 vjeç, historitë bëhen më të ndërlikuara, kanë më shumë imagjinatë, ngjarjet sillen rreth disa personazheve dhe mund të ndodhin njër pas tjetrës.
-Vogëlushi merr librat nga rafti dhe shfleton në mënyrë të pavarur. Ai / ajo ka arritur që të zhvillojë konceptet njohëse, duke filluar që nga njohja e librit dhe deri tek “leximi” i figurave, që rrëfejnë ngjarjet.
-I vogli juaj fillon të njohë disa shkronja, simbole ose fjalë të thjeshta, si p.sh.: macja, qeni, topi, mami, babi, bebi, etj.
-Fëmija lexon disa prej shkronjave që njeh, sepse në këtë moshë zotëron aftësitë për të njohur të paktën shkronjat e emrit të tij / saj.
Mosha 4 – 6 vjeç
-Fëmija njeh dhe lexon shkronjat e alfabetit. Kjo moshë lidhet me frekuentimin e kopshtit, si dhe maturimin e qendrave trunore, të cilat i mundësojnë fëmijëve që të njohin paraqitjen grafike të shkronjave.
-Vogëlushi identifikon shkronjën e parë të një fjale. Fëmija ka zhvilluar konceptet hapësinore, që i lejojnë të kuptojë që fjalët lexohen nga e majta në të djathtë, dhe si rrjedhojë, të gjejë me cilën shkronjë fillon fjala.
-I vogli juaj lidh fjalën që dëgjon me atë të shkruar në libër. Kjo aftësi shërben për mbajtjen e shenjës kur ju apo mësuesi / mësuesja lexon një tekst.
-Fëmija identifikon shumë fjalë nëpërmjet leximit, që do të thotë se shumë prej fjalëve mund t’i lexojë edhe automatikisht pa qenë nevoja t’i lexojë shkronjë për shkronjë ose t’i ndajë në rrokje.
Siç mund ta lexoni nga ky artikull, këtu janë të përshkruara aftësi të shumta që mund të arrihen nga fëmijët e grupmoshave të ndryshme. Nuk është për t’u shqetësuar nëse një karakteristikë e moshës mund të arrihet disa muaj me vonesë. Por, nëse ju apo mësuesi i fëmijës tuaj vëreni disa elemente shqetësuese, është mirë t’i drejtoheni një specialisti logoped. Ndërhyrja e hershme është trajtimi më i mirë, që mund t’i ofroni fëmijës tuaj.