Sugjerime praktike për prindërit; si mund të nxitet loja dhe gjuha në shtëpi. Nga Ertiola Lugji, logopede

 

Ju mund të përdorni objekte të përditshmërisë tuaj, për të nxitur dhe mbështetur zhvillimin gjuhësor dhe të të folurit të fëmijës tuaj. Ja disa ide….

Kartoni i letrës së kuzhinës

-përdoreni kartonin si një tunel për makinat e fëmijës. Kështu, ju mund të praktikoni zhurmat e makinës, të mësoni fjalë bazike (nisu, ndalo, shpejt, ngadalë), ose të përdorni ndajfoljet e vendit për të përshkruar pozicionin e makinës.

-formoni dylbi dhe kërkojini fëmijës të përshkruajë objekte të ndryshme që shikon në dhomë. Mësojini të përdorë sa më shumë mbiemra përshkrues, si: ngjyra, madhësia, forma, etj.

-ndërtoni një fole për zogjtë, duke e mbushur hapësirën e kartonit me fara, krunde, etj. dhe ta varni në pemë. Ky është një aktivitet i mrekullueshëm për të mësuar komanda të ndryshme.

 

Kutia prej kartoni

-lyejeni kutinë si një makinë ose lokomotivë dhe i mësoni fëmijës komandat: “nisu” ose “dua prapë”. Këndoni “Rrotat e autobusit rrumbullak” dhe shoqërojeni me lëvizje.

-hapni një vrimë në kuti dhe futni brenda lojëra ose objekte të ndyshme, duke i thënë “Paçim”. Ky aktivitet i mëson fëmijës të përshëndesë.

-fusni një objekt “misterioz” brenda kutisë, përshkruajeni dhe kërkojini të voglit tuaj të gjejë se çfarë ka brenda kutisë.

 

Kordelet

-mësoni pjesët e trupit, duke vendosur kordelet në kokë, krahë, këmbë, etj.

-bashkoni kordelet e ngjashme në ngjyrë, formë, madhësi dhe tregojini fëmijës pse janë njësoj ose ndryshe.

-fshihni kordelet rreth e rrotull shtëpisë dhe jepini fëmijës instruksione rreth vendndodhjes së tyre, si p.sh. lart, poshtë, mbi, nën, në, mes, brenda, majtas, djathtas, etj.

 

Gota plastike

-përdorni gotën plastike si mikrofon dhe punoni për imitimin e fjalëve ose fjalive të thjeshta.

-ndërtoni një kështjellë me gotat plastike dhe praktikoni komandat dhe shprehjet “edhe një”, “vendose këtu”, “u rrëzua”, etj.

-shkëmbeni rradhën në vendosjen e gotave njëra mbi tjetrën, duke mësuar ndërrimin e rradhës gjatë lojës dhe shprehjet “rradha ime”, “rradha jote”.

Add Your Comment