Kur i duhet hequr biberoni fëmijëve? Mënyrat dhe koha e duhur. Nga Logopede Aurora Lushej

“Çuçi” ka kohën dhe vendin e tij por kur fëmija fillon të flasë, është koha e duhur për ta hequr atë…

Nuk ka një përgjigje definitive se kur duhet t’i heqim biberonin (çuçin) fëmijës! Por, sa më shpejt të ndodhë ky proces, aq më mirë do jetë për fëmijën pasi nuk do krijojë varësi nga ai.

Në moshën 2 vjeç, fëmijët mund të bëhen shumë të lidhur me “çuçin” dhe madje mund të fillojnë ta shikojnë si pjesë të tyre pasi edhe pse në fillim u përdor vetëm gjatë kohës së gjumit, më pas, u bë pjesë e përditshmërisë gjithashtu. Më e mira është që rreth moshës 12-18 muajsh, t’I hiqet biberoni fëmijës dhe për ta ndihmuar në këtë proces, vlejnë disa këshilla:

Zgjidhni kohën e duhur

Nëse fëmija juaj është 18 muajsh dhe ju akoma nuk e keni filluar procesin e heqjes së “çuçit”, atëherë është koha e duhur për të filluar. Pas moshës 6 muajsh, biberonat ofrojnë shumë pak ose aspak benefite dhe mundet të shkaktojnë probleme të tilla si: kafshim jokorrekt. Shmangni heqjen e biberonit në një periudhë që fëmija po përjeton ndryshime. Fillojeni këtë proces kur fëmija juaj ka një rutinë ditore dhe orare të organizuara gjatë ditës, në mënyrë që ai të jetë më i qetë. I shpjegoni fëmijës se nuk e kuptoni kur ai flet me biberon në gojë.

Jini të vendosur

Nëse ju ia hiqni biberonin fëmijës por ia jepni përsëri, kjo do ta konfuzojë shumë atë. Kur e keni ndërmarrë hapin për t’ia hequr, mos ia jepni sërish. Sigurisht që do keni ditë të vështira dhe shumë lot, por duhet të jeni të vendosur!

Priteni majën e biberonit

Priteni një pjesë të vogël të majës së biberonit. Kjo do ulë mundësinë e fëmijës tuaj për të thithur dhe ai dalëngadalë do humbasë interesin apo do t’ju thotë që “çuçi” është i prishur dhe kështu, është për tu hedhur në kosh

Thërrisni “Zanën e Çuçit”

Njësoj si Zana e Dhëmbit, edhe Zana e Çuçit vjen natën për të marrë diçka që nuk na duhet më dhe ta zëvëndësojë atë me një dhuratë. I shpjegoni fëmijës tuaj që tani është rritur dhe nuk ka më nevojë për biberonin dhe Zana do vijë ta marrë dhe ti lërë një dhuratë.

Hiqini fare nga shtëpia biberonat

Fëmija juaj do të ketë nevojë për ekstra-përqafim për disa ditë apo javë, në varësi të fëmijës. Ndërkohë I jepni alternativa të tjera fëmijës për tu relaksuar: mund të përqafojë një arush kur ndihet I mërzitur, të pijë kos me pip, të fryjë flluska me një pip, të përqafojë një lodër të butë etj.

I qëndroni planit për së paku 7 ditë

Ditët e para janë më të vështirat por ju duhet ta vazhdoni detyrën tuaj. Mbani shënim ditët dhe vazhdoni me planin për së paku 7 ditë!

 

Add Your Comment