Më thirr në emër!
Emri i një personi është për të tingulli më i ëmbël dhe më i rëndësishëm në cilëndo gjuhë qoftë, – citon Dale Carnegie.
Në momentin që do të sillni në jetë një fëmijë, një nga sfidat më të mëdha është të vendosni për emrin e fëmijës suaj. Ju jeni mëse të vetëdijshëm se sa i rëndësishëm do të jetë për të ky emër. Në fund të fundit, do të identifikojë fëmijën tuaj gjatë gjithë jetës dhe mbi të gjitha është një vendim që merret vetëm një herë.
Kjo nuk është e gjitha.
A e dinit se “EMRI” I fëmijës tuaj është thelbësor jo vetëm në ndërtimin e karakterit të tij/saj por dhe në ndërtimin e marrëdhënies me ju si prindër dhe zhvillimin e komunikimit social. Për të qënë më e saktë “përdorimi i emrit”.
Nisur nga eksperienca profesionale, shumë prindër shprehen se fëmijët nuk u përgjigjen e as nuk kthejnë kokën kur i thërrasin në emër.
Pyetja e parë që duhet të drejtojmë është “A e njeh fëmija emrin e tij/saj?”
Sipas ekspertëve, bebet fillojnë të kthejnë kokën kur ju i thërrisni që në javët e para të jetës, dhe kjo sepse njohin zërin tuaj, por ende jo emrin e tyre. Ndërkohë që në moshën 5-7 muajsh, fillojnë të kuptojnë që emri që ju po e thërrisni i referohet atyre.
A i referohen gjithmonë prindërit fëmijës së tyre në emër?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, do të përmendim “fenomenin e nicknames”, pseudonimet.
Mendoni një çast, se sa është numri i pseudonimeve me të cilat e thërrisni fëmijën tuaj gjatë ditës dhe sa herë e thërrisnin në emër.
Është më se e kuptueshme që ju i vendosni pseudonimet me dashuri dhe me synimin për t’i përkëdhelur. Por në të vërtetë, kjo i ngatërron fëmijët tuaj dhe i pengon t’i përgjigjen emrave të tyre real, e në disa raste dhe të thonë emrin e tyre. Në këtë vorbull konfuzioni fëmijët zgjedhin të heshtin e të mos reagojnë ndaj “emrit të gabuar”.
Nuk kërkojmë nga ju si prindër të mos i përdorni pseudonimet, pasi ato janë një pjesë e këndshme dhe argëtuese e marrëdhënies suaj. Është e rëndësishme të përdorni emrin e fëmijës.
Thirrini në emër.
Thirrini në emër kur ju uron mirëmëngjes dhe natën e mirë.
Thirrini në emër kur ti përgëzoni apo këshilloni.
Thirrini në emër kur ti ftoni në lojë apo gjatë kohës që luani me ta.
Thirrini në emër kur t’u drejtoni pyetje.
Thirrini në emër kur t’u jepni komanda apo udhëzime.
Thirrini në emër kur të bashkëbisedoni me ta.
Thirrini në emër sa më shpesh.
Në këtë mënyrë fëmijët tuaj do të ndihen të vlerësuar dhe të rëndësishëm për ju. Do të kuptojnë që po u drejtoheni atyre dhe po j përfshini në komunikim. Gjithashtu ndikoni në rritjen e vëmendjes, përqëndrimit, ndërtoni një marrëdhënie besimi me të fortë dhe ndjesinë e empatisë.
Të gjitha këto ndikojnë në ndërtimin e një komunikimi të shëndetshëm me ju si prindër, me familjarë, edukatorët dhe bashkëmoshatarët.
“Te Logopedi”
Qendra e Sherbimeve Logopedike
Adresa: Rr Mithat Hoxha, Sarande