Adoleshenti me çrregullimin e vëmendjes me hiperaktivitet dhe familja; sugjerime praktike. Nga Lorela Garuli

Është shumë e rëndësishme të krijohet aleanca e mirë e komunikimit në këtë moshë me fëmijën, që sigurisht kërkon durim dhe nuk është një detyrë e lehtë për familjet. Ҫështja është, se kërkohet më shumë kujdes kur hyjnë në adoleshencë pasi problematika që lidhen me abuzimin ndaj substancave, sjelljet antisociale, pjesëmarrja në aktivitete me rrezikshmëri të lartë, konfliktet fizike me bashkëmoshatarët, sjellje të hershme seksuale apo në dëm të vetes, kanë predispozitë të jenë të shpeshta tek ta.

Si rrjedhojë e vetëkontrollit të ulët, vështirësive për menaxhimin e impulseve dhe nxitimit për të vepruar, këta adoleshentë kanë më shumë nevojë për një stil prindërimi pranues, mirëkuptues, orientues ndaj disiplinës pozitive dhe zgjidhjes së problemeve bashkë, më shumë sesa të fokusuar tek kritikat, ndëshkimi dhe fajësimi.

Disa gjëra që prindërit e këtyre fëmijëve mund të bëjnë, janë:

• Të vendosin limite të qarta të rregullave në familje, në përputhje me nevojat e fëmijës së tyre.
• Të nxisin shprehjen e ndjenjave, të ftojnë fëmijën e tyre adoleshent të komunikojë si ndihet, verbalisht.
• Të përpiqen të ekuilibrojnë kontrollin me pavarësinë dhe autonominë e adoleshentit.
• Të kenë pritshëmri realiste.
• Të përpiqen të bëjnë gjëra bashkë, t’i kushtojnë vëmendje asaj që adoleshenti do, pëlqen, kërkon, dëshiron.
• T’i trajtojnë problemet si të përbashkëta, jo “ne” përballë “ti”.
• Të mos i konsiderojnë personale sjelljet sfiduese apo të vështira të adoleshentit në familje apo si thyerje të autoritetit prindëror.
• Ta nxisin fëmijën e tyre të kërkojë ndihmë, duke qenë së pari dëgjues të mirë dhe pranues.

Add Your Comment