Investo në humanizëm, investo në lumturi!

Nga Babeta Rexhepi
Kryeinfermiere në kujdes Parësor

E keni dëgjuar ndonjëherë shprehjen: “Duke humbur veten  në shërbim të tjetrit është mënyra më e mirë për ta rigjetur atë”? Shumë kohë pasi e kisha dëgjuar për herë të parë këtë shprehje unë vetë arrita t’ia gjeja kuptimin asaj.

Quhem Babeta dhe jam infermiere. Për të gjithë ata që nuk e dinë, ky profesion konsiston në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve, pra ka të bëjë me ndihmën që u jepet individëve për të plotësuar ato nevoja, të cilat ata vetë nuk janë të aftë t’i plotësojnë.

Kur isha studente dhe pedagogët tanë na thoshin vazhdimisht se ne, infermirët, shpëtojmë jetë njerëzish, ndjeja një emocion shumë pozitiv në tërë qënien time, edhe pse, atëherë, ende nuk e kuptoja mirë se si unë do të mund ta bëja këtë. Kjo pasiguri zgjati derisa, një ditë, e pashë veten me një përparëse të bardhë mbi supe, duke rendur në dhoma pacientësh, të cilët supozohej t’i shëroja unë.

Nuk them se t’u përgjigjesh të gjitha ankesave të pacientëve dhe të plotësosh të gjitha nevojat e tyre është një gjë e lehtë, sidomos në turnet e natës, kur ti lë pas nevojat e tua për të plotësuar nevojat e tyre. Këto janë pikërisht momente kur ti e humb veten në shërbim të tjetrit dhe jeton për të.

Ti duhet të ndodhesh aty, vazhdimisht pranë të sëmurit, për ta ndihmuar atë të ngrihet, të kryejë nevojat e tij, ose thjesht të qetësohet, edhe nëse është e dhjeta herë që e bën këtë brenda pak minutave.

Ti duhet të dëgjosh dhimbjen e një gruaje, që porsa është diagnostikuar me një sëmundje të pashërueshme, ndërkohë që njeriu yt më i afërm e ka humbur prej kohësh këtë betejë.

Ti duhet t’i qëndrosh pranë një tetëdhjetë vjeçari në minutat e fundit të jetës së tij, ndërkohë që e gjithë familja e tij e ka braktisur.

Ti duhet të japësh mbështetje dhe të ofrosh ndihmë e përkujdesje duke e trajtuar tjetrin, cilido qoftë ai, në po atë mënyrë me të cilën do të doje të të trajtonin ty, nëse do ishe në vëndin e tij.

Në këtë shërbim, ku kërkohet po aq humanizëm e dashuri, sa edhe profesionalizëm, kupton se merr më tepër sesa jep. Ti merr—përmes syve të mallëngjyer dhe buzëqeshjeve që flasin mijëra fjalë—vlerësimin, mirënjohjen dhe dashurinë e njerëzve që s’i kishe njohur deri atëherë dhe me të cilët s’të lidh asgjë, veç dashurisë për njeriun dhe për jetën. Mbi të gjitha, ti përjeton brenda teje atë ndjesi të bukur që të krijon ndihma që ti, si individ, jep në përmirësimin e shëndetit të tjetrit, dhe ndryshimi që sheh të ndodhë te ky individ për shkak të asaj që ti bën për të. Mendoni për një çast: ka njerëz që përpiqen një jetë të tërë se si të ndihmojnë dikë, ndërkohgë që infermieri e bën këtë çdo ditë.

E në këtë udhëtim të njeriut nga lindja drejt stacionit të fundit të jetës, në dyluftimin e vazhdueshëm mes së mires dhe së keqes, mes sëmundjes dhe shendetit, mes egos dhe altruizmit, ti ke zgjedhur rrugën e vetme drejt paqes—Humanizmin.

Të gjitha qëniet njerëzore kanë humanitet brenda tyre; humaniteti nuk krijohet nga ne, ai vetëm zhvillohet te ne. Dallimi mes humanistëve dhe njerëve që s’janë të tillë është se, ndërsa të parët e zhvillojnë humanitetin e tyre me njohuritë që fitojnë dhe me energjinë pozitive që përçojnë te njerëzit e tjerë, të dytët e mbysin atë brenda vetes nën peshën e paragjykimeve e të frikës.

 

Unë kam zgjedhur të bëj pjesë në grupin e parë.

Unë i dua njerëzit dhe dëshiroj që t’i shoh gjithnjë e më mirë. I dua të shëndetshëm, buzëqeshur dhe krahëhapur, për të dhënë e për të marrë humanitet.

Unë jam e mbushur me humanizëm dhe dua ta investoj atë në profesionin tim, në familjen time, në rrethin tim shoqëror dhe te të gjithë njerëzit me të cilët kam munduar të lidhem dhe, për këtë shkak, nuk kam kohë të mendoj negativisht, të ushqej pakënaqesi, frikë, ose dyshime te të tjerët. Këto, për mua, janë humbje, ndërsa investimi në shërbim të njerëzve më pasuron edhe më shumë. Unë kam kohë vetëm për lumturi. Dhe lumturia që unë përjetoj buron nga humaniteti im dhe krijon më shumë HUMANITET.

Unë kam krijuar formën më të bukur të gjëndjes sime falë kësaj dhuntie. Tanimë kam gjetur të vetmen qënie që dua të jem përgjatë gjithë jetës sime.

Comments

  • klea
    Posted January 5, 2021 3:45 pm 0Likes

    shume e bukur

Add Your Comment