Nga Mariglena Muci, pedagogji e specializuar
Puna luan një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut. Edhe më e rëndësishme, bëhet kur zgjedh të punosh me fëmijët. Puna me ata të jep një ndjesi të veçantë për të jetuar, shpresuar, provuar gjëra të reja dhe ëndrra të mëdha.
Arsimi special është një fushë e gjerë, me shumë përfitime dhe sfida. Por sigurisht, në fillim do të përballeni me një sërë pengesash, që kërkojnë njëlloj përqëndrimi dhe durimi. Megjithatë brenda këtyre përvojave, ju do të arrini, suksesin, gjithashtu!
Disa nga përfitimet që vijnë nga puna me fëmijët me nevojat të veçanta janë:
1. Ju bën më të durueshëm
Thënia e vjetër “ durimi dhe këmbëngulja kanë një efekt magjik” është mjaft e vërtetë në këtë rast. Puna me fëmijët me nevoja të veçanta kërkon një ndjenjë të fortë të përkushtimit, të pranosh nevojat e ndryshme të gjithësecilit dhe vëmendjen e tyre. Psh. një fëmijë mund të kërkojë ndihmën tuaj për të përmbushur një detyrë, por më pas e zhvendos fokusin e tij në një temë tjetër. Nga ana tjetër nxënës të tjerë kërkojnë vëmendje. Kjo mund të bëhet një situatë stresuese, prandaj duhet të bëheni të durueshëm, të njihni modelet e sjelljes dhe të menaxhoni sa më mirë kohën, për të kompesuar çdo vonesë. E gjitha kjo, ju ndihmon ju të forconi edhe më shumë durimin dhe përkushtimin tuaj!
2. Merrni disa role të rëndësishme
N thelb, puna juaj si edukator/mësues i arsimit special do t’iu kërkojë të njiheni me të gjitha llojet e aftësive të kufizuara, si dhe mënyrën e trajtimit të tyre. Gjatë ditës ju mund të merrni rolet e mësuesit, këshilltarit, mbështetësit, apo një koordinatori. Përveç këtyre pozicioneve që ndryshojnë, ju do të bashkëveproni edhe me nxënës të tjerë, që kanë një gamë të gjerë personalitetesh. Gjithashtu, në fund të ditës, prindërit mund të këshillohen me ju në lidhje me problematikat apo shqetësimet, që mund të hasin me fëmijën. Shumë prej tyre nuk e kanë specializimin e duhur, që ju keni fituar me vite, prandaj ata mund të mbështeten tek ju për udhëzime në situata të ndryshme. Sidoqoftë, të dish që do të kesh shumë sfida para, rrit më tepër aftësinë tuaj për tu përshtatur dhe qëndruar përpara çdo problemi në të ardhmen.
3. Përmirësoni komunikimin tuaj
Gjuha dhe komunikimi me fëmijët me nevoja të veçanta është mjaft e rëndësishme, por dhe shumë e vështirë. Në varësi të nevojës që paraqet gjithësecili, duhet të zgjedhësh fjalët e duhura, të flasësh qartë dhe me ngadalë. Gjithashtu ka plot raste kur mund të përdorësh edhe komunikimin joverbal. Po kështu, ju mund të mësoni dhe plot terma të tjera nga fusha e mjekësisë apo psikologjisë, që nuk jeni njohur më parë. Gjithsesi, kjo është një mënyrë e mirë edhe për ju, për të përmirësuar edhe më shumë komunikimin tuaj dhe për të pasuruar fjalorin.
4. Bëheni më krijues
Ndërsa rritemi ne zhvillojmë njohuritë dhe aftësitë tona, por krijojmë më pak se më parë. Gjëja më e mirë, që mund të mësojmë nga fëmijët është të jemi kreativ. Gjatë punës me fëmijët me nevoja të veçanta, ju mund të krijoni dhe bëni punime të ndryshme dore. Mendimi krijues është një zgjidhës i shkëlqyer i problemeve dhe një mënyrë e veçantë për të promovuar karrierën tuaj në të ardhmen. Por njëkohësisht, ju zhvilloni edhe më shumë imagjinatën tuaj.
5. Qeshni më shumë
Të jesh i lumtuar pa arsye ëshë karakteristikë e fëmijëve, e sindomos të atyre me nevoja të veçanta. Ata shpesh i japin përparësi aktiviteteve argëtuese dhe lojërave të ndryshme. Në fakt e qeshura është ilaç! Ajo lehtëson stresin, përmirëson sistemin imunitar dhe çliron endorfinë. Pra, ju mësoni se lumturia dhe buzëqeshja janë çelësi i një shëndeti të mirë!
6. Bëni atë, që ju bën të lumtur
Edhe pse karriera si edukator/mësues i arsimit special mund të jetë e vështirë, ka shumë aspekte për të fëstuar gjatë këtij udhëtimi. Çdo ditë do të përjetoni një ndjenjë përmbushjeje, që buron nga puna me fëmijët. Pavarësisht se mund të duken gjëra të vogla, sjellin suksese të mëdha, në fund. Gjithashtu, nga fëmijët ju mësoni të luftoni pa u lodhur për diçka, që ju doni dhe pëlqeni, sepse edhe ata vetë luftojnë!
Nëse punoni me fëmijë me nevoja të veçanta, ju mund të punoni me këdo! Puna me ata, ju ndihmon t’i menaxhoni sa më mirë situatat, të ruani qetësinë dhe të mos i bëni të ndihen keq të tjerët.
Pra puna, me këta fëmijë, ju bën më solidarë, humanë, empatikë dhe mbi të gjitha, të doni pa kushte!