1 në 3 gra dhe vajza të dhunuara në Shqipëri, deri kur?!

Raporti i fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi dhunën e përjetuar nga gratë në Shqipëri, rezulton në disa shifra, të cilat mund të ngrenë sërish kambanat e alarmit për shoqërinë. Një në tre gra në Shqipëri përjetojnë aktualisht dhunën, ndërsa mbi gjysma e tyre, e kanë përjetuar të paktën një herë.

Sipas raportit, dy, janë kategoritë në të cilat fenomeni ndodh më së shumti: Lidhjet dashurore dhe familja.

Në bazë të të dhënave, aktualisht, janë 61.8% e vajzave dhe grave në një lidhje dashurie, të cilat përjetojnë minimalisht një formë dhune. Në tërësi, rreth 66% e tyre e kanë përjetuar të paktën një herë një situatë të tillë.

Në familje, dhuna nga partneri intim shkon në shifrat e 33.7% të grave, të cilat përjetojnë aktualisht dhunë. Nga ana tjetër, minimalisht një herë, e kanë përjetuar 47% e tyre.

Që nga mosha 15-vjeçare, janë 18.2% e vajzave që kanë përjetuar dhunë. Aktualisht ndërkaq, vetëm 2.4% e tyre kalojnë një situatë të tillë.

Ngacmimin seksual e kanë përjetuar 18.1 e vajzave. Aktualisht, janë 8.5% e tyre që e jetojnë. Po ashtu, edhe përndjekja, është në përditshmërinë e 6.9% të vajzave dhe grave. Janë 12.6% e tyre që e kanë provuar minimalisht një herë.

Kufiri moshor

Jo gjithnjë, dhuna ndaj grave është e njëtrajtshme. Sipas raportit, mbi dhunën në familje, vetëm në 1.1% të rasteve, partneri shfaq sjellje kontrolluese. Është gjatë vitit të parë të martesës, që fillon më së shumti kjo sjellje. 25.7% e rasteve, fillojnë në këtë stad.

Në vitin e dytë deri në të tretin janë 23.3% të rasteve. 15.1% të rasteve ndodhin në vitin e katërt deri në të pestin. Pas gjashtë ose më shumë vitesh ndodh 17.7% e rasteve ndërsa 17% të tjera refuzojnë të përgjigjen.

Dhuna ekonomike, është e hasur më së shumti pas vitit të dytë të martesës. Gjatë vitit të parë gjithsesi, e përjetojnë rreth 20% e vajzave dhe grave.

E njëjta gjë ndodh edhe me dhunën psikologjike. Janë 26.4% e vajzave që përjetojnë dhunë psikologjike përpara martese ose gjatë vitit të parë të saj. Pjesa e mbetur ndodh pas vitit të dytë.

Nga viti i parë deri në të tretin të martesës, përjetohet më së shumti dhuna fizike. Rreth 50% e rasteve ndodhin në këtë periudhë me mbi 17% të paspecifikuar.

Dhuna seksuale është e hasur po ashtu ndërmjet vitit të parë dhe të tretit të martesës më së shumti. Mbi 63% ndodh gjatë kësaj periudhe.

Për sa i përket moshave më të dhunuara, hendeku 45-64 vjeç është ai që përjeton më shumë dhunë. Janë 43% e grave të dhunuara, të cilat bëjnë pjesë në këtë grupmoshë.

Nga mosha 18-24 vjeç, janë 6.5% e të dhunuarave. 19.2% e tyre janë 25-34 vjeç. 18.3% e tyre janë 35-44 vjeç. Mosha mbi 65 vjeç ndërkohë, përmbledh 13% të të dhunuarave.

Shqetësim shfaq edhe dhuna që prej moshës 15 vjeç. Dhunë fizike kanë përjetuar 18.2% e të anketuarave. Gjithsesi, rastet e vazhdueshme, janë në vlerën e 2.3%.

Llojet e dhunës dhe arsimimi

Vetëm 2.3% e autorëve të dhunës në familje janë me arsim të lartë. Kështu shkruhet në raportin e INSTAT-it. pjesa më e madhe e dhunuesve janë me arsim të mesëm të ulët. Pra me arsim 8-vjeçar ose 9-vjeçar. Janë përkatësisht 47.9% e dhunuesve me këtë nivel arsimor.

Me arsim të mesëm, janë 30% e dhunuesve. 7.4%  e tyre janë me arsim fillor ndërsa 1.7%, të paarsimuar.

Sipas kategorive, sjelljet kontrolluese janë ato më të shpeshta të hasura në rastet e dhunës. 25.2% e vajzave e përjetojnë aktualisht ndërsa 41.2% e kanë provuar të paktën një herë.

Dhuna psikologjike renditet e dyta, me 31.$ të vajzave që e kanë provuar dhe 19.7% që e përjetojnë aktualisht. 21% kanë përjetuar dhunë fizike, seksuale ose të dyja njëkohësisht. Aktualisht janë 8.2% që jetojnë me këtë fenomen.

Pjesa më e madhe e grave përjetojnë vetëm një lloj dhune. Gjithsesi, një pjesë e mirë e tyre kanë përjetuar më shumë se një lloj.

Kështu, në shifra konkrete, 15.7% e grave kanë përjetuar dy lloje dhune. Janë 7.6% që kanë përjetuar tre lloje dhe 2.7% që kanë përjetuar katër lloje.

Mbi perceptimin komunitar, shumica e qytetarëve mendojnë se dhuna në familje është çështje private dhe nuk duhet ndërhyrë nga persona të jashtëm.

Mbi 46% mendojnë se gratë duhet të durojnë një farë dhune për të mbajtur familjen të bashkuar. Janë 27.5% që mendojnë se gruaja dhunohet pjesërisht edhe për fajin e saj. 27.6% mendojnë se grave duhet t’u vijë turp nëse flasin me dikë jashtë familjes për dhunën e përjetuar.

Ndër burrat, 13.5% godasin ose rrahin gratë e tyre ndërsa 11.4%, i rrahin gratë nëse këto të fundit refuzojnë të kryejnë marrëdhënie seksuale me ta.

 

Burimi: Albanian Post

 

 

 

 

Add Your Comment