Pse duhet t’i besojmë shumë komunikimit joverbal?

Gjuha e trupit apo komunikimi joverbal sic njihet ndryshe, përbën jo vetëm një pjesë të konsiderueshme të komunikimit, por sipas studiuesve përbën 93% të tij. Komunikimi verbal pra, fjala, është vetëm 7% e të gjithë komunikimit tonë.

Këto të dhëna shprehin vlerën dhe rolin e madh që kanë gjestet, qëndrimet, mimikat e fytyrës, intonacioni dhe volumi i zërit, pamja e jashtme, pozicionimi i trupit, duarve dhe këmbëve. Kombinimet e të gjitha këtyre dhe interpretimet përkatëse janë të pafund dhe sigurisht nuk mund të pasqyrohen në këtë shkrim, por këtu do të përpiqemi të japim disa udhëzime kryesore se si të dallojmë dhe kuptojmë më mirë komunikimin joverbal dhe të përfitojmë sa më shumë prej tij.

Në radhë të parë, kur jemi në dilemë për një mesazh të caktuar që dikush po na përcjell, duhet t’i besojmë më shumë mënyrës sesi po thuhet, më shumë sesa cfarë po thuhet. Duke qenë se komunikimi joverbal tek individi zhvillohet më herët sesa ai verbal, do të thotë që shpeshherë ai ka elementë të pandërgjegjshëm dhe është më i besueshëm.

Për t’u bërë njohës më të mirë të sinjaleve të gjuhës trupore, mund t’i dedikojmë këtij qëllimi 10 deri 15 minuta në ditë. Këtë mund ta bëjmë kudo në mjedise publike ku njerëzit ndërveprojnë njëri me tjetrin. Në stacione, autobuse, shkolla, spitale, takimet e punës, baret, restorantet janë vende në të cilat njerëzit shprehin me anë të gjesteve dhe qëndrimeve emocionet e tyre në një masë të madhe. Nëse do të vëzhgojmë me vëmendje ndërveprimet mes individëve në këto mjedise dhë të përpiqemi të kuptojmë se cfarë po ndodh, shumë shpejt dhe identifikimi i sinjaleve të komunikimit tonë joverbal do të përmirësohet ndjeshëm.

Një element që konsiderohet i rëndësishëm në cilësinë e komunikimit njerëzor është mbajtja e kontaktit me sy; duke e parë në sy bashkëbiseduesin kur flet shprehim interes, vëmendje, ngjallim besim dhe siguri. Duart e kryqëzuara mbi gjoks tipikisht shprehin refuzim dhe mungesë dëshire për komunikim, mbyllje dhe refuzim. Buzëqeshjet shprehin dëshirë për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët, dashamirësi dhe mikpritje nëse po jemi në një mjedis të ri. Duart e vendosura në xhepa mund të fshehin dicka nga personi, ose kur janë të kryqëzuara mbrapa tregojnë mosbesim. Shpesh mendohet që kur jemi duke thënë një gënjeshtër, pa dashje dhe me një lëvizje të shpejtë preket hunda; ndaj thuhet që gënjeshtarët e kanë hundën e gjatë. Megjithatë, asgjë nuk është absolute sepse elementët e komunikimit joverbal duhen interpretuar sipas kontekstit dhe situatës, ato janë plotësuese të komunikimit.

 

Add Your Comment