Ka disa rregulla bazë sesi mund të komunikojmë në mënyrë më efikase dhe më të saktë me fëmijët, në mënyrë që të zgjidhim problemet, por njëkohësisht edhe të jemi një shembull e model i mirë për ta. Fillimisht, duhet të jemi koherentë në atë që themi dhe sesi e themi; pra në atë që quhet komunikimi verbal dhe jo verbal. Përmbajtjen e asaj që themi duhet ta përshtasim me mimikën, gjesten, shikimin, tonin, volumin dhe intonacionin e zërit. Në të kundërt, fëmija mund të ngatërrohet sepse e ka të vështirë të mirëkuptojë mesazhet e dyfishta apo nënkuptimet.
Është e rëndësishme që cështjet të cilat diskutohen apo problematikat që dalin të kenë një lloj radhe dhe hierarkie, në mënyrë që dhe fëmija të dijë t’i japë përparësi atyre më të rëndësishme.
Ta lavdërojmë fëmijën kur bën dicka mirë apo ndryshon një sjellje pozitivisht. Fëmijët më shumë se për cdo gjë tjetër, kanë nevojë të marrin vlerësimë pozitive objektive nga ana e prindërve të tyre. Përkëdheljet, lavdërimet dhe shprehja verbale e meritave janë një shpërblim shumë i rëndësishëm.
Fëmijët nuk duhet të krahasohen me të tjerët, duke përdorur si standart fëmijë të tjerë brenda apo jashtë familjes. Kjo do t’u dëmtonte vetëvlerësimin dhe nuk shërben për gjë tjetër por vec si një paragjykim mbi aftësitë dhe kapacitetet e fëmijës. Mos harroni, cdo fëmijë ka prirjet e tij dhe kërkesat që u bëjmë atyre duhet të jenë përherë objective dhe në përputhje me zhvillimin, moshën dhe personalitetin e fëmijës.
Është gjithashtu e rëndësishme që me fëmijët të jemi të qartë, të saktë dhe korrektë. Nuk duhet të japim reagime të ndryshme për të njëjtat cështje, fëmijët duhet të dinë qartazi se disa sjellje të caktuara mbështeten nga prindërit e disa të tjera jo.
Mbi të gjitha, mbetet thlebësore që fëmija të dëgjohet. Të tregohemi të ndjeshëm ndaj fjalëve dhe heshtjeve të fëmijës, por duke pranuar njëkohësisht dhe dilemat tona. Të flitet dhe të komunikohet me të ashtu si me një të rritur, me sinqeritet e ciltërsi. Të dëgjohen dëshirat e tij, mendimet, nevojat, frikërat. Vetëm kështu do mund t’i krijojmë një mjedis të ngrohtë, dashamirës dhe të besueshëm!