Komunikimi tek fëmijët me çrregullimin e vëmendjes me hiperaktivitet; çfarë duhet të dimë. Nga Lorela Garuli

Vështirësitë në komunikim dhe në zhvillimin gjuhësor tek fëmijët me ADHD janë të shpeshta. Sipas rezultateve të marra nga protokollet e vlerësimeve për të kuptuar diferencat e mundshme të disa aspekteve të ndryshme të komunikimit mes fëmijëve me ADHD dhe atyre tipikë, dëshmohet për dallime mes këtyre 2 grupeve të fëmijëve (Kim & Kaiser, 2000), ku ata me ADHD kanë vështirësi në komunikimin spontan, në imitimin e fjalëve/fjalive dhe shfaqin më shumë gabime në artikulim.

Gjithashtu, të dhëna krahasuese mes fëmijëve me zhvillim tipik dhe atyre me ADHD raportojnë se këta të fundit kanë vonesë në fillimin e të folurit, në artikulimin e fjalëve dhe fjalive të para.

Komunikimi pra, është një prej fushave të prekura tek fëmijët me ADHD, që do të thotë se keqfunksionimi i aspekteve të ndryshme të gjuhës i bashkangjitet dhe i mbivendoset atyre të tjera të dëmtuara; që siҫ dihet tashmë, kanë të bëjnë me zhvillimin kognitiv dhe social.

Përgjigjet impulsive dhe të paduruara në klasë, ndërhyrjet e pavend, nxitimi për të folur shpejt dhe shumë, paaftësia për të pritur radhën në bisedë, mungesa e përgjigjeve, ose rastet që duket se nuk dëgjojnë atë që u thotë bashkëbiseduesi, janë disa prej problematikave që shfaqen tek këta fëmijë në moshën shkollore.

 

Karakteristika të komunikimit tek fëmijët me ADHD

“Sjellja” gjuhësore e fëmijëve të prekur me ADHD përfshin disa elementë:

  • Ndërpresin vazhdimisht bashkëbiseduesit
  • U drejtohen të gjithëve në të njëjtën mënyrë, pavarësisht nëse është një i rritur, bashkëmoshatar apo i afërm
  • Kanë një gjuhë më të varfër sesa moshatarët e vet
  • Frustrohen lehtë në biseda kur nuk arrijnë të gjejnë fjalët e duhura për atë që po kërkojnë të shprehin
  • Kanë vështirësi në të kuptuarit e komunikimit joverbal
  • Agresivitet verbal dhe konflikte të shpeshta.
  • Mungesë përshtatje e komunikimit në kontekste të ndryshme sociale.
  • Vështirësi dhe mangësi në komunikimin intrapersonal (komunikimi i individit me veten, monologu i brendshëm që i paraprin planifikimit dhe organizimit të veprimeve komplekse).
  • Vështirësi në aspekte formale të gjuhës dhe të procesimit të komunikimit, si rrjedhojë e dëmtimit të aftësive përgjegjëse për perceptimin dhe riprodhimin e gjuhës së folur.
  • Kanë shpeshherë gjuhë të pakuptueshme.
  • Vuajnë nga ҫrregullime të komunikimit.
  • Gabime të shpeshta në shqiptim (shoqëruar me mungesë vetëdijësimi për këto gabime).
  • Vështirësi për të treguar një histori në rend të saktë e të plotë kronologjik, një tregim, një përrallë, për të treguar një adresë, për të bërë një përshkrim, për të përmbledhur, për të renditur hapat përkatës për një aktivitet dhe vështirësi në ҫdo detyrë të ngjashme që kërkon planifikim dhe organizimi paraprak të informacionit.
  • Vështirësi për të strukturuar me shkrim apo me gojë një tekst.
  • “Humbasin” shumë informacione të shprehura verbalisht, nuk arrijnë t’i memorizojnë.

 

Rëndësia e identifikimit të hershëm dhe trajtimi i çrregullimeve të të folurit tek fëmijët me ADHD, i shërben jo vetëm riparimit të këtyre problemeve por dhe parandalimit të të tjerëve të mundshëm. Duke qenë se fëmijët me ADHD që kanë një bashkëshoqërim me diagnoza të problematikave të komunikimit, rrezikojnë të shfaqin dhe vështirësi apo çrregullime në të nxënë dhe në procesin normal të shkollimit dhe të socializimit. Fatkeqësisht, këta elementë kalojnë të pa vënë re nga edukatorët, mësuesit dhe prindërit, të cilët kryesisht ankohen dhe arrijnë të dallojnë vetëm problematikat e sjelljeve të fëmijëve me çrregullimin e vëmendjes me/pa hiperaktivitet.

Add Your Comment