JONA SALI
FARMACI “MAJLINDA” DURRES
Me stinën e verës dhe rritjen e temperaturave dëshira për t’u ekspozuar ndaj rrezeve të diellit është e lartë për këdo e sidomos për fëmijët. Duke qëndruar për të paktën 20min nën rrezet e diellit, ato stimulojnë lëkurën tonë të prodhojë Vitaminën D (Vitamina antirakitike).
Megjithatë ekspozimi ndaj rrezeve të diellit në orare të zgjatura dhe të papërshtatshme mund të sjellë efekte të dëmshme në lëkurë. Në këtë shkrim do të flasim pikërisht për përkujdesjen e lëkurës së fëmijëvë gjatë stinës së verës.
Lëkura është organi më i madh në trupin e njeriut dhe luan rol vital në mbrojtjen e organeve të brendshme ndaj faktorëve të jashtëm. Duhet theksuar fakti se lëkura e fëmijëvë nuk është e njëjtë me atë të të rriturve, është shumë e ndryshme në strukturë, përbërjë dhe funksion ndaj dhe ka nevojë për një përkujdesje të vecantë.
Por, si ndikon rrezatimi diellor në lëkurë?
Drita e diellit përmban rrezatimin ultravjollce (UV) i cili përbëhet nga tipe te ndryshme rrezesh. Llojet e rrezatimit UV më të njohur janë UVA, UVB dhe UVC.
Lëkura e njeriut është e ndërtuar nga tre shtresa (epiderma, derma, hipoderma).
Epiderma e mbulon lëkurën nga jashte. Rrezatimi UVB depërton në pjesën e sipërme të lëkurës pikërisht në epidermë. Ky rrezatim është përgjegjës për djegien nga dielli, reaksionet alergjike etj. Nëse ekspozimi ndaj këtij lloj rrezatimi është afatgjatë shkakton demtim ne DNA.
Derma gjendet nën epidermë. Përbëhet nga indi lidhor, i cili i jep lëkurës elasticitet dhe fortësi. Rrezatimi UVA përfaqëson atë pjesë të rrezatimit që ka gjatësi vale më të gjatë dhe depërton thellë në lëkurë (në dermë).Ky rrezatim është përgjigjës për përshpejtimin e plakjes së lëkurës, krijimin e melanomave. Ky rrezatim mund të depërtojë dhe nëpërmjet reve dhe dritareve.
Rrezet ultraviolet te tipit C (UVC) kanë gjatësinë më të shkurtër të valëve dhe nivelet më të larta të energjisë nga të tre llojet e rrezeve UV. Ndaj si rezultat ato mund te shkaktojnë dëme serioze në të gjitha format e jetës. Për fat të mirë rrezatimi UVC filtrohet plotësisht nga shtresa e ozonit. Si rezultat këto rreze dielli nuk arrijnë kurrë në tokë.
Ҫfarë karakteristikash duhet të ketë një produkt për të ofruar mbrojtje nga rrezatimi UV? Po termi SPF cfarë nënkupton?
Duhet zgjedhur një produkt që ka një spektër mbrojtje të gjërë: konkretisht të jetë i aftë të veprojë ndaj tipit UVA dhe UVB të rrezatimit.
Mbrojtja ndaj rrezatimit UVB manifestohet me anë të treguesit SPF.
SPF (Sun Protection Factory/ Faktori mbrojtës ndaj rrezeve të diellit) i referohet aftësisë që ka kremi kundër diellit për të bllokuar rrezet ultravjollce të tipit B (UVB). Ky indeks tregon kohën që ne mund të qëndrojmë nën rrezet e diellit pa u djegur.
Akademia Amerikane e Dermatologjisë rekomandon për fëmijët përdorimin e një produkti ku faktori i SPF të jetë 30 por dhe më shumë.
Thuaji PO përkujdesjes së lëkurës ndaj rrezeve te diellit dhe JO kancerit të lëkurës është moto që kjo Akademi përdor në median sociale për informimin e popullatës.
Mbrojtja e lëkurës së fëmijëvë nga rrezet e diellit është mjaft e rëndësishme, pasi parandalon rrezikun për shfaqjen e kancerit të lëkurës në moshë të rritur.
Në treg ndodhen një larmishmëri produktesh kundër rrezatimit diellor të cilat dallojnë nga mënyra e veprimit.
FDA sugjeron përdomin e një produkti te fëmijët që vepron porsi një mburojë, pra reflekton dhe kthen rrezatimin diellor para se ky i fundit të penetrojë në lëkurë. Dhe dy elementët bazë të cilët janë konsideruar të sigurtë për përdorim te fëmijët janë oksid zinku dhe dioksid titanium ndaj duhen lezuar me vëmendje elementët përbërës në etiketën bashkëshoqëruese.
Si duhet aplikuar produkti mbrojtës?
Pasi prindërit kanë marrë të gjithë informacionin e nevojshëm për karakteristikat që një produkt duhet të përmbajë rol të rëndësishëm luan gjithashtu dhe mënyra e përdorimit. Këshillohët përdorimi i produktit rreth 30min përpara ekspozimit ndaj rrezatimit diellor dhe 30g sasi janë të mjaftueshme për një aplikim në të gjithë trupin. Këshillohet riaplikim cdo 2 ore dhe gjithashtu nëse fëmija lahet në det, pishinë, djersin etj. Në kohën e aplikimit të produktit duhet treguar kujdes që të shmanget zona e syve, fytyra etj. Nje rol te rëndësishëm luajnë dhe aksesorët mbrojtës të cilët nuk mund të mungojnë sic janë kapele, syze.
KUJDES!! Duke qënë mjaft delikate lëkura e fëmijëve mund të ndodhin reaksione alergjike ndaj rrezeve të diellit dhe vizita te mjeku në këtë rast është shumë e nevojshme.