Prishja e dhëmbëve të fëmijëve, faktorë shkaktarë dhe si ta parandalojmë

Dr Ledja Adri, stomatologe

 

Prishja e dhëmbëve fillon që në fëmijërinë e hershme dhe faktorët që ndikojnë janë të shumtë, duke nisur nga koha e mbajtjes së biberonit, përdorimi i barnave, ushqimet që konsumohen si dhe kujdesi që ndiqet në larjen e tyre. Një ndër problematikat më të shpeshta të dhëmbëve që shfaqet tek moshat nën 5 vjeç është kariesi dentar që ndodh për shkak të kujdesit dhe higjenës së ulët dentare që ndiqet nga këto grupmosha në shtëpi.

 

Ata që fillojnë vonë me larjen e dhëmbëve,që nuk kanë shkuar për vizitë tek dentisti asnjiherë,të vegjëlit që i kanë larë dhëmbët më rrallë se dy herë në ditë,fëmijët që i lajnë gjithnjë vetë dhëmbët pa u mbikëqyrur dhe ndihmuar nga një i rritur,si dhe rastet kur kanë përdorur biberon për t’u ushqyer,apo për tu qetësuar’biberon fals’. Gjithashtu prishja e dhëmbëve është mjaft e lartë edhe tek fëmijët që konsumojnë shumë sheqer dhe ëmbëlsira,lëngje të ëmbëlsuara dhe të gazuara si dhe që kanë pirë gjatë natës pije të tjera përveç qumështit.

 

Si ndikon ushqimi tek dhëmbët e fëmijëve nën 5vjeç?

Sheqeri dhe acidet në ushqime shkaktojnë prishje dhe rënie të dhëmbëve,fazë e cila nis që në fëmijërinë e hershme. Zhvillimi i kariesit dentar varet nga ndërlidhja midis sipërfaqeve së dhëmbit,karbohidrateve dhe sheqernave në ushqime dhe baktereve të veçanta orale. Acidet organike që prodhohen nga fermentimi bakterial i karbohidrateve me ushqime pakësojnë pehashin e pllakës dentare. Shfaqjet fillestare të lezionit karioz duken si një njollë opake,ngjyrë qumështi në smalt dhe më vonë me humbjen progresive të mineralit të dhëmbit shfaqet kaviteti. Mundësia për zhvillimin e kariesit dhe dëmtimin e dhëmbëve shtohet nga përdorimi i biberonit për një kohë të gjatë. Karamelet ngjitëse që mbahen në gojë për periudha të gjata shtojnë rrezikun e zhvillimit të kariesit. Kariesi më i përhapur në foshnjat dhe fëmijët më të vegjël njihet si karies i fëmijërisë së hershme. Pakësimi ose evitimi i ushqimeve dhe pijeve me këto përmbajtje mbron dhëmbët e fëmijës nga prishja dhe rënia. Nëse fëmija nuk e ndalon vetë zakoni i përdorimit të biberonit duhet dekurajuar mbas moshës 3vjeç sepse shkakton probleme me dhëmbët dhe zhvillimin e nofullës së fëmijës.

 

Ndikimi i barnave në prishjen e dhëmbëve

Fëmijët që duhet të marrin shpesh barna për probleme të ndryshme shëndetësore rrezikojnë më shumë për prishje dhe rënie të dhëmbëve dhe duhet të jenë në kontroll të vazhdueshëm tek dentisti. Parandalimi efektiv i sëmundjeve të dhëmbëve duhet të jetë një prioritet që në moshë të vogël. Në rastet kur është e mundur duhet të nxitet përdorimi i barnave që janë pa përmbajtje të sheqerit.

 

Add Your Comment