Pse duhet t’u themi fëmijëve gjëegjëza? Avantazhet që kanë në zhvillimin e komunikimit

Nga Klaudia Sinani, logopede

Gjëagjëzat janë një nga metodat më të mira për t’u mësuar fëmijëve se si ta përdorin apo manipulojnë gjuhën.

Në moshën 1 vjeçare te fëmijët fillojnë të zhvillohen aftësitë metalinguistike, të cilat janë aftësitë për të kontrolluar komponentët linguistikë të gjuhës, e thënë më thjesht; aftësitë për të menduar dhe përdorur gjuhën.

Në këtë moshë vini re se si fëmija juaj, ndyshon tonin e zërit kur ju thërret mami në situata të ndryshme, pra ndryshon të folurin sipas nevojave të tij. Pas moshës 2-vjeçare, fëmijët aftësohen ta përdorin të folurin në varësi të dëgjuesit, përdorin zë të qetë ose të lartë, zë bindës ose kërkues etj.

Rreth moshës 4-vjeçare arrijnë të identifikojnë sinjale të gjuhës trupore, si psh.tundja e kokës pra dëgjuesi e ka kuptuar mesazhin e tij. Ata janë të vëmendshëm dhe eksplorojnë tingujt, fjalët e reja dhe intonacionet e zërit.

Me rritjen e moshës, aftësitë metalinguistike zhvillohen edhe më shumë. Fëmijët fitojnë aftësinë për të kuptuar pjesët përbërëse të gjuhës si shkronjat, fjalët, fjalitë dhe fillojnë të kontrollojnë përdorimin e gjuhës, aftësi e lidhur me zhvillimin e aftësive pragmatike. Dhe mjaft e rëndësishme, arrijnë të krijojnë dhe thonë shaka apo gjëagjëza të ndryshme, falë aftësive metalinguistike.

Duke cituar Wilson dhe Kutiper, autorë të librit “Educational Implications for Joke and Riddle Books in the Elementary Classroom” : Përdorimi i humorit rrit fjalorin, nxit zhvillimin e gjuhës, promovon të menduarin kritik, si dhe nxit të lexuarit dhe të kuptuarin tek fëmijët.

Gjëagjëzat janë një nga format më të mira të humorit për fëmijët:

–  Nxisin kuriozitetin

–  Kuptojnë fjalët me nënkuptime, metaforat, idiomat, shprehjet me dykuptimësi

–  Aftësohen të kuptojnë perspektiva të ndryshme

–  Mësojnë nëpërmjet lojës

–  Nxitin imagjinatën dhe njohuritë e fëmijës

–  Motivojnë fëmijët për ti angazhuar në bashkëbisedim

–  Krijojnë marrëdhënie më të afërta me familjarët dhe bashkëmoshatarët

–  Dhe ndër më të rëndësishmet, fëmijët argëtohen

 

Shpjegojini fëmijës suaj çfarë është gjëagjëza, psh.një pyetje e kthyer në shaka apo një tekst i shkurtër, përgjigjia e të cilave do të na habisë dhe do na bëjë të qeshim.

Mund të gjeni gjëagjëza të gatshme ose t’i krijoni ato bashkë me fëmijët.

Luani, qeshni dhe argëtohuni sëbashku.

Add Your Comment