Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë….
Një lidhje e dukshme, por ende për t’u eksploruar, bashkon zgjedhjet e ushqimit dhe mirëqenien mendore. Dhe në rastin e shumë të rinjve duket se ka një rëndësi thelbësore.
Lidhur me këtë tematikë është kryer një hulumtim me rreth 9000 nxënës në 50 shkolla angleze, që tregon sesi fëmijët dhe të rinjtë që ndjekin një dietë të shëndetshme, të pasur me fruta dhe perime, kanë shëndet më të mirë mendor.
Vëmendje ndaj mirëqenies emocionale
“Ne e dimë se mirëqenia e dobët mendore është një problem i madh për të rinjtë dhe ka të ngjarë të ketë pasoja negative afatgjata,” shpjegoi Ailsa Ëelch, studiues në Universitetin e Anglisë Lindore dhe autore kryesore e studimit të botuar në “British Medical”. “Edhe pse lidhjet midis të ushqyerit dhe shëndetit fizik janë kuptuar mirë, deri më tani – shtoi ai – nuk dihej shumë nëse ushqimi luante një rol në mirëqenien emocionale”.
Studiuesit e përqendruan vëmendjen e tyre në këtë aspekt, duke analizuar të dhënat e 7570 fëmijëve të shkollave të mesme dhe 1253 fëmijëve të shkollës fillore në Norfolk të Britanisë së Madhe.
Rëndësia e një diete të shëndetshme dhe të rregullt
Ekipi ekzaminoi lidhjen midis faktorëve ushqyes dhe mirëqenies mendore, të matur përmes testeve që përfshinin lumturinë, momentet e relaksimit dhe marrëdhëniet ndërpersonale. U gjet një lidhje e fortë midis ushqimit të shëndetshëm dhe rezultateve më të larta të mirëqenies. Konsumimi më i madh i frutave dhe perimeve u shoqërua ndjeshëm me mirëqenien më të lartë. Përveç kësaj, ata që nuk hëngrën drekë kishin rezultate më të ulëta të shëndetit mendor ashtu si edhe ata që nuk hanin mëngjes. “Si një faktor potencialisht i modifikueshëm, ushqimi i duhur përfaqëson një qëllim të rëndësishëm të shëndetit publik për strategjitë për të trajtuar mirëqenien mendore të fëmijërisë”, përfundoi studiuesi.
Sporti është gjithashtu i rëndësishëm
Aktiviteti fizik gjithashtu nxit rritjen dhe zhvillimin. Fëmijët dhe adoleshentët duhet të kryejnë të paktën 60 minuta aktivitet fizik me intensitet mesatar deri në energjik çdo ditë, duke përfshirë aktivitete për forcimin e sistemit muskuloskeletor të paktën 3 herë në javë.