Karakteristika dhe vecori
Diskalkulia është ai crregullim specifik i të nxënit i cili lidhet me shfaqjen e vështirësive në aftësitë matematikore; me njohjen dhe përdorimin e simboleve matematikore, kryerjen e veprimeve aritmetike, identifikimin dhe të kuptuarit e shumave numerike. Këto aftësi janë të dëmtuara në rastin e diskalkulisë, që do të thotë se këta fëmijë paraqesin performancë të ulët në matematikë dhe ndeshin shumë pengesa në këtë lëndë gjatë ecurisë së tyre shkollore. Kanë vështirësi në mbajtjen mend të procedurave edhe shumë të thjeshta matematikore dhe kujtesë pune shumë të varfër kur arsyetojnë mbi numrat. E kanë shumë të vështirë të bëjnë përparime në matematikë duke qenë se logjika e tyre matematikore është në nivele bazike fillestare. Edhe kur arrijnë disa përmirësime në kohë të shkurtër, e kanë shumë të vështirë t’i konsolidojnë ato ndryshime dhe të vazhdojnë progresin, por harrojnë atë që kanë mësuar.
Ekzistojnë evidenca se diskalkulia ka baza gjenetike. Rezultatet e një studimi që analizoi të dhënat nga familjet me fëmijë diskalkulië treguan se vëllezërit dhe motrat e fëmijëve me këtë crregullim, kanë 5-10 herë më shumë gjasa të jenë të prekur nga diskalkulia, sesa mesatarja e popullsisë.
Diskalkulia është studiuar më pak sesa disleksia, duke qenë se është dhe më pak e përhapur sesa ajo. Megjithatë, studiuesit e kësaj fushe i ndajnë në dy profile të mëdha problemet e lidhura me diskalkulinë:
o Kognicioni numerik (ndryshe, inteligjenca numerike) i cili lidhet me mekanizmat matematikorë të krahasimit, mbledhjen e shumave, vendosjen e numrave në seri dhe numërimit, strategji të kryerjes së llogarive përmendësh.
o Procedurat ekzekutive të cilat kanë të bëjnë me anën formale të veprimeve matematikore, me mënyrën e të shkruarit, lexuarit dhe vendosjes në radhë të numrave gjatë kryerjes së përllogaritjeve.
Diskalkulia interferon cilësisht në rendimentin shkollor të fëmijëve që vuajnë prej saj dhe në aktivitetet e jetës së përditshme, të cilat kërkojnë përdorimin e aftësive llogaritëse.
Sa i përket simptomave të diskalkulisë, ato që shfaqen fillimisht dhe që janë kryesoret, duke hedhur dritë mbi nevojën e një vlerësimi të mëtejshëm, janë:
o Mungesë njohurish mbi simbolet numerike (-, +, /) dhe vështirësi në mbajtjen mend të tyre.
o Paaftësi në të kuptuarit e koncepteve matematikore dhe në përzgjedhjen e veprimit të duhur për t’u zbatuar.
o Vështirësi të mëdha në kryerjen e llogaritjeve dhe veprimeve matematikore.
o Vështirësi të mëdha në kryerjen e operacioneve të thjeshta aritmetike me mendje.
o Vështirësi të mëdha në kryerjen e veprimeve që përmbajnë numra me presje dhjetore dhe atyre me shumë shifra.
o Vështirësi për t’i emërtuar numrat e veprimet matematikore në mënyrën e duhur.
o Vendosje e gabuar dhe organizim i pasaktë i mënyrës sesi shkruhen numrat në fletën e ushtrimeve.
o Vështirësi për të numëruar mbrapsht.
o Paaftësi në të mësuarit dhe mbajtjen mend të tabelës së shumëzimit.
o Paaftësi për të kuptuar njësitë matëse.
o *Është e rëndësishme të mbahet parasysh se diskalkulia nuk lidhet me vështirësitë që shfaqen më vonë në zgjidhjen e problemave dhe ushtrimeve komplekse matematikore, por me të gjitha shprehitë dhe aftësitë bazë, të renditura më sipër.
Mosha më e përshtatshme për të vendosur diagnozën e diskalkulisë është ajo që përkon me fundin e klasës së tretë fillore. Përvec vlerësimit të aftësive matematikore, është e rëndësishme të ekzaminohen dhe kompetencat vizuale-hapësinore bashkë me kujtesën, pasi të gjitha këto luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e të mësuarit matematikor (Passolunghi & Mammarella, 2012; Szücs, 2016).