Çfarë mund të kuptohet për fëmijët nga mënyra e vizatimit të flokëve tek figura njerëzore? Nga Lorela Garuli

Simbolikë e seksualitetit, si një element i lidhur ngushtësisht me imazhin, shprehin gjithashtu dinamizmin e personit, narcizismin dhe tek të rinjtë kryesisht, dëshirën për aprovim social.

Është normale dhe e zakonshme kur flokët vizatohen me kujdes të veçantë në adoleshencë prej vajzave; konsiderohet që shprehja e një vëmendjeje të madhe në vizatimin e flokëve nga djemtë, bashkë me elementë të tjerë shumë të detajuar të shprehur në vizatime (qërpikë, vetulla, fytyrë e trukuar), mund të jetë tregues i një ambivalence seksuale.

Fillimisht flokët vizatohen prej fëmijëve si të drejtë, të shkurtër dhe pak të ngritur, që interpretohet si formë ankthi të cilin fëmija ka frikë se nuk do të mundë ta kalojë.

Kur flokët vizatohen të mbuluar nga një kapele/kapuç mbi kokë, janë shprehje e dëshirës për të qenë më i madh, për t’u rritur. Kjo do të interpretohet në këtë formë kur kapelja nuk është pjesë e pamjes së personazhit të vizatuar. Në të kundërt, është normale që fëmija ta vizatojë me kapele, sepse ashtu është mësuar ta shohë gjithmonë (një coëboy, një shtrigë). Nëse flokët vizatohen me një kapele që mbulon fytyrën ose me baluke që krijojnë të njejtin efekt, qëllimi i pavetëdijshëm i fëmijës në këtë rast është një nevojë për t’u fshehur ose një ndrydhje e seksualitetit të vet.

Kur figura njerëzore vizatohet pa flokë, interpretohet si refuzim i seksualitetit, refuzim për ta kuptuar, njohur, eksploruar dhe shprehur seksualitetin e vet individual.

Mjekra dhe mustaqet. Prania e tyre në vizatime lidhet me shprehjen e karakteristikave mashkullore të personalitetit. Ndeshen shpesh në vizatimet e djemve me problematika të mundshme të spektrit seksual. Në rastin që një vajzë i shton vizatimit të saj këto elementë, konsiderohet si një vlerësim dhe rëndësi e veçantë që ajo i jep cilësive mashkullore në jetën e saj.

 

Kujdes! Vizatimet nuk janë diagnozë, por informacione dhe mënyrë komunikimi!

Add Your Comment