13 strategji për të qetësuar fëmijët me Çrregullime të Spektrit të Autizmit kur shfaqin sjellje të papërshtatshme

Nga Mariglena Muci, pedagogji e specializuar

Studime të ndryshme kanë treguar se fëmijët me Çrregullime të Spektrit të Autizmit e kanë të vështirë të menaxhojnë sjelljen e tyre. Megjithatë, kjo varet nga fëmijët, disa e kanë më të vështirë menaxhimin, ndërsa disa më të lehtë, prandaj kemi të bëjmë me një spektër.

Shkaqet, që mund të ndikojnë në shfaqjen e një sjelljeje të papërshtatshme, gjendje ankthi, irritim, madje deri në sjellje agresive janë të ndryshme. Ato mund të vijnë, sepse një fëmijë me autizëm e ka të vështirë ndryshimin e rutinës, për të arritur një rezultat të dëshiruar (si psh marrjen e lodrës së preferuar), vështirësi për t’iu përgjigjur “sulmeve “shqisore”, vështirësi për të vendosur kontroll mbi emocionet etj. Si pasojë e tyre shpërthimet emocionale janë të zakonshme. Por e rëndësishme është që prindërit, kujdestarët, mësuesit ose terapistët t’i dallojnë këto shenja dhe t’i trajtojnë ato në mënyrë sa më efektive dhe me më pak ankth.

Kështu, më poshtë listohen disa mënyra ose strategji se si ju të ndihmoni fëmijën apo nxënësin tuaj (disa mund të praktikohen në klasë, disa në shtëpi)

1. Dalloni shenjat që shkaktojnë këtë ndryshim tek fëmija

Ashtu siç e përmendëm edhe më lart, mundohuni të dalloni se çfarë ndikon në ndryshimin e sjelles së fëmijës. Jini të vetëdijshëm për këtë ndryshim dhe kontrolloni çdo gjë në mjedis (kjo mund të përfshijë dhe gjëra të thjeshta si: mbyllja e derës, ngritja e muzikës, ndezja e dritës etj).

2. Mundohuni të ruani një rutinë

Mënyra më e mirë për të mbajtur një fëmijë të qetë është të kufizoni ndryshimet. Ju mund të ndiqni një strukturë të caktuar, për aktivitetet e përditshme të klasës ose të shtëpisë. Madje mund të ndërtoni një orar të etiketuar qartë dhe me imazhe, që tregojnë aktivitetet. Kur ndodhin aktivitet të reja, përpiquni t’i jepni njoftim ose udhëzim të mëparshëm. Psh do të zhvillojnë një konkurs pas pushimit, çantat dhe mjetet do t’i lemë në klasë për të shkuar, në klasën tjetër. Këtë mund t’ia paraqesni dhe me imazhe vizuale. Në këtë mënyrë fëmija nuk mërzitet nga një ndryshim i papritur në rutinë. Kjo vlen dhe për aktivitetet e zhvilluara në shtëpi, psh pas drekës, do të bëjmë disa vizatime etj.

3. Mos e lini fëmijën vetëm

Nëse fëmija ose nxënësi juaj nuk ëshë në rrezik të dëmtojë veten, jepini fëmijës hapësirë të qetësohet vetë. Qëndroni afër për tu siguruar, që të mos mbetet vetëm, por shmangni grumbullimin ose përpjekjen e të tjerëve për të rregulluar gjërat. Edhe pse me qëllime të mira, shumica e njerëzve nuk janë të trajnuar për të menaxhuar një fëmijë me ÇSA, të mërzitur. Kështu, merrni vetë përgjegjësitë tuaja!

4. Përdorni aktivitete qetësuese në klasë ose në shtëpi

Mbajtja e fëmijës osë nxënësve të zënë me punë është një nga strategjitë më të mira të relaksimit. Fëmijët me ÇSA janë shpesh të stresuar, sepse nuk dijnë çfarë të bëjnë. Për këtë krijoni një plan të strukturuar të aktiviteteve të ndryshme, që do të zhvillojnë gjatë ditës. Nëse ata janë të përfshirë në aktivitete gjatë gjithë ditës, do ta kalojnë ditën me më shumë lehtësi dhe me produktivitet si psh vizatime, ngjyrosje të figurave, vendosje të rruaza në pe, rreshtimit të kubave etj.

5. Vendosni muzikë të qetë në klasë ose në shtëpi

Prej kohësh muzika është cilësuar si një terapi e veçantë. Për këtë arsye, rekomandohet të përdoret edhe në klasë një muzikë sa më e qetë, e lehtë, relaksuese për veshin. Gjatë kohës që fëmijët punojnë ose mësojnë, ju mund të vendosni në sfond një muzikë relaksuese dhe me zë jo të lartë. Studiuesit kanë provuar se fëmijët kanë gjasa të qëndrojnë më të qetë kur dëgjojnë një muzikë të lehtë, kur punojnë. Kjo gjithashtu, mund t’iu ndihmojë edhe juve të relaksoheni!

6. Përdorni video qetësuese për fëmijë

Një mënyrë tjetër për të arritur qetësimin e fëmijës është, nëpërmjet shikimit të videove relaksuese. Ato janë video të animuara, të cilat modelojnë teknika relaksi. Fëmijët duke ndjekur ato video, mundohen t’i imitojnë sjelljet. Në këtë mënyrrë ato shërbejnë si teknika relaksi, (The Koeppen Techniques). Këto video mund t’i gjeni në google ose ne yotube dule klikuar: “Peppa PigVideos”, “Blippi you tube videos”, “Relaxing for kids (The Koeppen Techniques)” etj. Ose mund të përdorni lojra qetësuese si: “Kids yoga flashcards”, “Calm down bingo” etj, aktivitete sensoriale argëtuese si : shape sensory bin, unicorn sensory bin, garden sensory bin, ocean sensory bin etj.

7. Mësojuni teknika vetëqetësuese

Është e rëndësishme që fëmija osë nxënësi juaj të mësojë të qetësohet vetë. Sigurisht, që ju duhet të jeni aty për ta ndihmuar, por është mirë, që ta provojnë vetë.

Disa teknika janë:

• Frymëmarrje e thellë (nëse shikoni përplasjë të duarve, ngritje zëri, vështirësi për tu ulur, lëreni fëmijën të marrë frymë thellë. Këtë mund ta praktikoni edhe me gjithë klasën për disa minuta).

• Kërcim

• Vizatim

• Lexim i librave

• Pirja e një gote uji

• Bërja e një dushi (nëse është e mundur psh kur ndodhet në shtëpi ose vendosja e duarve në ujë të freskët)

• Vendosja e një cope të ftohtë ose të lagur në ballë

• Dhënia e lodrave shqisore si : lodra me drita, tavolina të vogla me rërë ose ujë për punuar me gishta, gishta me bojë etj.

8. Përdorni teknikën e “këndit të qetësimit”

Është mirë, që ju të keni një hapësirë të caktuar në shtëpi ose në klasë, që ta përdorni si “këndin e qetësimit”. Theksojnë që jo të shërbejë si formë ndëshkimi, por si një hapësirë që e ndihmon fëmijët të qetësohet. Ky mund të jetë një kënd i veçantë me një krevat, disa lodra, libra, ku fëmija mund të qëndrojë, për tu qetësuar.

9. Përdorni lodra sensoriale orale

Ku fëmija është i irrituar ose i tensionuar është mirë t’i jepni lodra sensoriale orale për të kafshuar. Lodra të tilla janë ato që përdoren për fëmijë shumë të vegjël, në fazën e daljes së dhëmbëve. Ju mund t’ia jepni fëmijës ose nxënësit tuaj për ta kafshuar dhe ajo e ndihmon të çlirojë tensionin e brendshëm.

10. Përdorni aktivitete relaksuese të grupit

Nëse jeni duke punuar me një grup fëmijësh në klasë ose në shtëpi, mund të përdorni aktivitet në grup. Ato e ndihmojnë fëmijën të relaksohet dhe të ndërveprojë me të tjerët. Disa ide janë si:

• Kërcimi

• Festa kërcimi

• Lojra me ujë

11. Forconi aktivitetin fizik

Aktiviteti i rregullt fizik është një element i rëndësishëm në reduktimin e stresit, hipeaktivitetit, dhe stimulimit të tepërt. Angazhoni fëmijët ose nxënësit tuaj në kryerjen e aktivitetve të yogas për fëmijë, duke kërcyer në trampolinë, duke bërë shëtitjë në natyrë etj.

12. Merrni një kafshë shtëpiake

Në shtëpi, mund të zgjidhni të mbani një kafshë shtëpiake. Studiues të ndryshëm kanë zbuluar se mbajtja e një kafshe ka një efekt qetësues tek fëmijët me autizëm. Ata e shikojnë atë si një mbështetje emocionale.

13. Mos e turpëroni fëmijën tuaj

Në situata të tilla, prindërit, sigurisht që janë të shqetësuar dhe shpeshherë të nervozuar. Mos e ndëshkoni fëmijën tuaj për sjelljen e tij, mos ngrini zërin apo të zgjidhni të largoheni. Mundohuni të ruani qetësinë dhe të zbatoni teknikat e mësipërme.

Këto janë disa mënyra, që mund t’iu vijnë në ndihmë, por sigurisht që ju mund t’i zbatoni apo ndryshoni në varësi të sjelljes së fëmijës tuaj.

E rëndësishme është të qetësoni fëmijën tuaj dhe ta bëni atë të ndihet i relaksuar dhe i kënaqur.

 

 

Add Your Comment