Personazhi më i vlerësuar është ai më të cilin fëmija zakonisht ka marrëdhënien më të rëndësishme dhe me të cilin do të donte të identifikohej e t’i ngjante, është anëtari që fëmija vlerëson më shumë, i jep rëndësi më të madhe, e ka frikë, zili, e admiron apo e do më shumë.
Nga pikëpamja grafike formale, është personazhi që fëmija vizaton të parin, që e vizaton me shumë detaje, me kujdes të veçantë dhe që e pajis me aksesorë apo përdor edhe ngjyrat për ta ilustruar më mirë atë. Mund të jetë i vizatuar më i madh dhe më i theksuar dhe të jetë ai anëtar ndaj të cilit janë drejtuar të gjithë, pra është i vendosur në qendër të vëmendjes.
Personazhi i konsideruar si më i vlerësuari në vizatim, mund të jetë njëri prind me të cilin fëmija do të donte të identifikohej dhe që i shërben si model. Por, mund të jetë gjithashtu edhe prindi me të cilin fëmija ka raportin më të rëndësishëm afektiv, prindi që kujdeset më shumë për të, që është më shumë i pranishëm në jetën e fëmijës dhe me të cilin kalon më shumë kohë.
Nëse personazhi më i vlerësuar është një fëmijë, me shumë gjasa është ai që fëmija sheh si më të privilegjuar dhe si rrjedhojë mund të donte të ishte në vendin e tij. Ndërsa në rast se fëmija, investon më shumë detaje dhe kujdes në vizatimin e vetes, është fjala për tendenca narciziste.