Teknika që NUK rekomandohen për trajtimin e çrregullimeve të të shkruarit. Nga Lorela Garuli

  • Ndër teknikat që nuk rekomandohen për trajtimin e disortografisë, janë:

o Diktimi

o Të kopjuarit e një teksti

o Lista fjalësh

Diktimi

Mund të jetë një mënyrë efikase për të vlerësuar shkrimin e fëmijëve, por jo një mënyrë e mirë për të trajtuar vështirësitë.

Diktimi thjesht do të nxiste gabimet në të shkruar në rastet që fëmija atë gabim po e bën si rrjedhojë e faktit që nuk e di saktësisht sesi fjala shkruhet. Duke qenë se i duhet të mbajë ritmin e të vazhdojë të shkruajë për diktimin, fëmija nuk ka kohë të mendohet dhe të shkruarit e asaj fjale në mënyrë të pasaktë do të përsëritet. Kështu, fëmija do ta memorizojë dhe automatizojë shkrimin e asaj fjale, duke mos pasur mundësi ta korigjojë apo ta shkruajë saktë. Ndërkohë që, mësuesja nuk mund ta korigjojë diktimin në cast dhe fëmija e sheh atë të korigjuar më vonë ose të nesërmen. Kjo e bën thuajse të pamundur që nxënësi i cili ka vështirësi në të shkruar, të mund të mësojë nga korigjimi.

Diktimi i një teksti dhe leximi nga ana e mësuesit sipas një toni dhe intonacioni të caktuar, mund të ngatërrojë nxënësin i cili ka vështirësi në përdorimin e shenjave të pikësimit dhe rregullave gramatikore. Në të njëjtën kohë, duke qenë se diktimi është një prezantim oral i gjuhës së folur, shton mundësinë që fëmijët të cilët shfaqin vështirësi në të nxënë, të ngatërrojnë fonemat e ngjashme (p me b, t me d e me radhë) dhe t’i shkruajnë fjalët që dëgjojnë me gabime.

Diktimi nuk është mënyra më e mirë për të zhvilluar aftësitë e të shkruarit. Megjithatë, diktimi mund të përdoret i integruar bashkë me teknika të tjera. Diktimi mund të gjejë zbatim si një ushtrim pasi fëmija është njohur paraprakisht me tekstin, janë pikasur dhe analizuar fjalët ku ai shfaq vështirësi, është punuar me to dhe nxënësi është ushtruar duke shkruar secilën fjalë vecmas. Më pas, mund t’i nënshtrohet diktimit.

Të kopjuarit

Kur nxënësit shkruajnë me gabime, shpesh mësuesit u jepnin detyrë që të shkruanin disa herë rresht atë fjalë që kishin shkruar gabim. Kjo është përdorur si metodë edhe për mësimin e fjalëve në gjuhë të huaja. Përtej përqasjeve tradicionale mbi vlerën dhe efikasitetin e kësaj teknike, rezulton të mos ketë qenë fare produktive dhe e përshtatshme. Të kopjuarit e fjalëve apo e një teksti sipas shembullit dhe modelit të dhënë, e kthen këtë veprimtari në një detyrë të automatizuar dhe mekanike. Në këtë mënyrë, fëmija nuk ka më përqendrimin maksimal dhe vëmendjen aktive për të kryer detyrën, por duke e bërë automatikisht, me shumë mundësi ai do t’i shkruajë fjalët përmendësh ashtu sic i ka të strukturuara në mendje, pra rritet probabiliteti që t’i shkruajë po njësoj, me gabime.

Listat e fjalëve

Është fjala për një detyrë që i jepet nxënësit me qëllim fuqizimin e kujtesës së tij, duke i dhënë një listë fjalësh për t’i mësuar përmendësh për një kohë të shkurtër. Edhe kjo teknikë, si dy të mësipërmet në vend të ndihmojë, ndikon negativisht. Listat e fjalëve që duhet të memorizohen përbëhen nga fjalë të vështira të cilat nuk janë pjesë e leksikut të përditshëm të fëmijës, duke vështirsësuar të mësuarit e tyre. Nga ana tjetër, përpjekja dhe sforcimi për t’i mbajtur mend mund të shkojë dëm, sepse nxënësi mund të mos i mbajë mend fare ato më vonë, ose janë fjalë që përdoren rrallë.

Add Your Comment