Vizatimi i gojës në figurën njerëzore, çfarë na zbulon për ankthin dhe agresivitetin tek fëmijët? Nga Lorela Garuli

Vizatimi i gojës në përmasa shumë të mëdha, ose në të kundërt mungesa e saj në vizatimin e figurës njerëzore, shpreh praninë e mundshme të problemeve të të ushqyerit, të të folurit, të agresivitetit verbal, të zakoneve a veseve (ngrënia e thonjve). Ajo që del në pah në këtë rast ka të bëjë me problematikat që lidhen me gojën në disa aspekte, si organ i artikulimit të gjuhës, të komunikimit dhe të të ngrënit. Pra, e njëjta problematikë paraqitet prej fëmijës në mënyra të ndryshme, deri të kundërta.

Kur goja vizatohet shumë e vogël apo e zbehtë, vështirësi të lidhura me mutizmin, vështirësi në artikulim, anoreksinë.

Nëse goja vizatohet e mbyllur, lineare, si një vijëzim i ngushtë e i hollë, konsiderohet një tregues i ndjenjave të mundshme të fajit që fëmija po përjeton; shprehje e tensionit dhe ankthit, që është më e lartë kur fëmija është më i madh në moshë.

Vizatimi i gojës së hapur ose sensuale konsiderohet shprehje e impulsive e dëshirave me karakter seksual, e si e tillë ndeshet më shpesh tek adoleshentët.

Shpesh goja vizatohet me një vijëzim të harkuar që ngjan si buzëqeshje. Kjo është më e zakonshme për fëmijët e vegjël dhe shpreh nevojën që ata kanë për shpërblim dhe aprovim nga të rriturit.

Kur vizatohen edhe dhëmbët, është një formë e shprehjes së agresivitetit, sidomos tek fëmijët e vegjël.

Add Your Comment