Introspeksion muzikor; një teknikë efikase muzikoterapie

Nga Franc Koruni dhe Lorela Garuli

Muzika ka aftësinë e madhe të nxjerrë në pah tek individi ndjesi të dimensioneve të ndryshme që mund të jenë: trupore, imagjinative, mendore, emocionale, intuitive, sensoriale etj etj. Në këtë artikull, do të shpjegohet konkretisht një nga teknikat e muzikoterapisë që aplikohet në qendrën e shërbimeve psikologjike “Humanum.

Nëpërmjet kësaj teknike synohet të zhvillohet tek individi, që mund të jetë fëmijë ose i rritur “dëgjimi i brendshëm”, që më shumë sesa fizik është një dëgjim psikologjik. Duke i prezantuar pjesë të përzgjedhura muzikore (përzgjedhje që bëhet nga terapistët), që kanë shumëllojshmëri emocionale dhe timbrike, individit i kërkohet të përshkruajë me fjalë të thjeshta ndjesinë që i shkakton dhe zgjon ajo muzikë.

Qëllimi i teknikës është një lloj analize muzikore, jo në sensin teknik; por në atë psikologjik. Në këtë mënyrë shihet përputhja e asaj që muzika transmeton dhe asaj që pacienti percepton, psh nëse vepra në fjalë përcjell qartazi elementë dramatikë, të tilla duhet të jenë dhe ndjesitë e dëgjuesit). Ose, muzika përcjell gëzim dhe pacientit të terapisë muzikore i sjell ankth. Në këto raste mund të kuptojmë një papërshtatshmëri në perceptimin emocional apo në asocimin që pacienti i bën asaj muzike me përvoja të veta të caktuara.

Pasi ka dëgjuar pjesën e përzgjedhur, i kërkohet individit të shkruajë ose të shprehë verbalisht ndjesitë që ajo pjesë muzikore i zgjon, të ndara në tre grupe: trupore, emocionale dhe mendore. Konkretisht, cfarë efekti fizik i shkaktoi? Relaksim, tendosje muskujsh, irritim, kënaqësi, clodhje etj. Cfarë përvoje emocionale shkaktoi? Entuziasem, ankth, qetësi, eufori, frikë, bezdi, frymëzim, dashuri, etj.

Cfarë përvoje mendore zgjoi? Kujtime të mira, zhgënjime, ndonjë person apo ngjarje konkrete, një periudhë të caktuar të jetës apo një fragment imagjinate që ia nxitën tingujt muzikorë?

Përjetimet që identifikohen përgjatë një seance të tillë muzikoterapie, interpretohen bashkë me pacientin, si një mënyrë e mirë dhe direkte për të zgjidhur konflikte dhe dinamika të brendshme. Njëkohësisht, është një katarsis dhe clirim i natyrshëm emocional. Në seancat në vijim, terapistët përzgjedhin pjesët e duhura muzikore në përputhje me nevojat psikologjike individuale të cdo rasti.

 

Add Your Comment