Fokusi dhe qëllimi i kësaj teknike muzikoterapie ka të bëjë me eksplorimin e melodive emocionalisht nëpërmjet rrugëve artistike të ndryshme. Teknika i referohet grupmoshave të ndryshme; fëmijëve me aftësi të mira të të menduarit simbolik, adoleshentëve dhe të rriturve. Mund të aplikohet individualisht, edhe në grup.
Individit i paraqitet një melodi e caktuar e përzgjedhur paraprakisht, muzikë klasike, apo një melodi e improvizuar aty për aty nga terapisti muzikor. Muzika duhet të jetë shumë shprehëse dhe të lejojë përjetime intensive emocionale.
Pasi individi e ka dëgjuar, i kërkohet të vizatojë melodinë; pra konkretisht atë që melodia ka zgjuar tek ai. Nëpërmjet paraqitjes grafike, linjave, ngjyrave, kontrasteve etj, individi do të paraqesë një imazh që mund të jetë abstrakt, një objekt të caktuar që e lidh me përjetimin që i solli muzika, një episod të jetuar, një situatë imagjinare, një projektim dëshire, një frikë, ankth, gëzim, apo cfarëdo emocioni që ka ndjerë nëpërmjet melodisë.
Me anë të produktivitetit artistik, dëgjimit të brendshëm dhe përfaqësimit simbolik grafik, synohet të nxitet tek individi, reflektimi, ndarja e emocioneve, katarsis emocional nëpërmjet muzikës; duke e trajtuar melodinë si një rrugë të bukur dhe të sigurt për të arritur tek emocionet e vështira dhe të ndihmohet individi t’i shprehë dhe t’i përpunojë.