Ky test projektiv është një formë interesante e testit të vizatimit të figurës njerëzore, por në këtë rast është me specifik dhe konkret sepse përpiqet të zbulojë sistemin e brendshëm të mbrojtjeve që fëmija përdor. Qëllimi i këtij testi është njohja me mekanizmat mbrojtës, me rezistencat dhe me sistemin e sjelljeve përshtatëse që fëmija aktivizon në një çast vështirësie të veçantë që simbolikisht përfaqësohet në formën e shiut. Synimi është të kuptohet si reagon individi që është në shi, pra nën presionin e një situate të lartë stresante.
Leximi i vizatimit bëhet për elementë dhe detaje që tërheqin vëmendjen në mënyrë të veçantë, sepse nuk është qëllimi të interpretohet si është vizatuar personi, por fokusi është tek “instrumentët mbrojtës”, që shfaqen në vizatim.
Kryerja e vizatimit: Fëmijës i kërkohet të vizatojë një njeri që është në shi.
Elementët tipikë të përdorur janë:
- Çadra, si më e zakonshmja.
- Mushamaja, bashkë me çizme, kapele, etj, që është një mbrojtje më e vogël por gjithsesi efikase.
Nëse çadra është e ulët, aq sa mbulon fytyrën ose personin, do të interpretohet si një rast ku individi zgjedh t’u shpëtojë streseve duke u fshehur, duke u izoluar apo duke u shmangur. Pra, mbulimi i fytyrës simbolikisht përfaqëson mungesën e përballjes me vështirësinë, aq sa individi refuzon edhe ta shohë atë.
Nëse çadra është vizatuar transparente, fëmija nuk i shmanget të parit të problemeve, por megjithatë ai reagon ndaj tyre duke u izoluar ose ikur.
Kur çadra vizatohet e vogël, konsiderohet se sistemi mbrojtës është i vogël, i pafuqishëm, i papërshtatshëm ose jo efikas.
Në rastet që çadra vizatohet e madhe, interpretohet si ekzagjerim i problemeve dhe streseve nga ana e personit; sado të vogla apo të papërfillshme qofshin ato, individi në këtë rast ka prirjen t’i shtojë, dramatizojë e t’i bëjë më të mëdha sesa realisht janë.
Nëse çadra thyhet nën shi, simbolikisht përfaqëson thyerjen e mbrojtjeve, duke e lënë personin të zbuluar dhe të pambrojtur. Reagimet e mundshme që përjetohen në këtë rast janë zemërim, inat, panik, ankth, pafuqi për të ndryshuar situatën, ndjenja frustruese.
Nëse çadra është harruar të vizatohet dhe fëmija kujtohet për këtë pasi ka mbaruar vizatimin, do të interpretohet si një njeri vulnerabël, të cilit i mungojnë mbrojtjet e përshtatshme dhe me nevojën për të justifikuar në mënyrë të vazhduar sjelljet e veta.
Nëse fëmija vizaton personin nën një shi shumë të rrëmbyer dhe pa çadër, shpreh që fëmija përjeton ndjenja shtypjeje dhe presioni, ndaj të cilave është i pambrojtur dhe nuk ka mundësi e as aftësi për të reaguar.
Nëse fëmija nuk e vizaton shiun, shpreh një mohim që ai i bën problematikave të pranishme në jetën e tij. Në të kundërt, nëse shiu është i dendur dhe i rrëmbyer, fëmija e percepton mjedisin si shumë stresant.
Nëse grafikisht shiu paraqitet me pika, jo shumë intensiv, është tregues i një përshtatjeje të mirë të fëmijës ndaj situatave stresante.
Nëse pavarësisht shiut që bie në sasi të mëdha, fëmija vizaton një çadër që e mbulon të gjithin, do të interpretohet si aftësi shumë e mirë e personit në gjetjen e mënyrave të duhura dhe efikase për të zgjidhur vështirësitë dhe për t’u përshtatur pa iu shkaktuar trauma apo pasoja të tjera.
Kur vizatohet individi me çadër, por pavarësisht shiut që bie e mban të mbyllur, konsiderohet si një besim i madh në vetvete si dhe formë ekzibicioniste e shprehjes së aftësive të tij.
Kur paraqitet një shi i imët dhe çadra e mbyllur, interpretohet si formë e një përshtatjeje të mirë dhe përdorimit të duhur të mekanizmave mbrojtës; personi në këtë rast e di se nuk është e nevojshme t’i aktivizojë ato pa qenë plotësisht e nevojshme, por më rastin e parë që vështirësitë shtohen, ai është i ndërgjegjshëm se i ka mundësitë për t’i bërë ballë.
Nëse vizatimi paraqet personin i cili nën shi mezi dallohet dhe është i pambrojtur, është fjala për një rast ku fëmija percepton një rrezik ekstrem dhe një tensión shumë të lartë, ndaj të cilit kërkon të disociohet, të shkëputet ose zhduket.
Nëse pranë personit nën shi vizatohen edhe objekte të tjera, njerëz, apo kafshë, shprehet nevoja e fëmijës për përkrahje dhe vështirësi në përballimin e stresit vetëm.
Nëse vizatimi paraqet personin që laget nën shi qëllimisht, është tregues i mohimit që fëmija i bën stresit në jetën e tij, fëmija nuk pranon të mbrohet si rrjedhojë e ndjenjave të fajit, karakteristikave ekzibicioniste të personalitetit të tij. Kjo paraqitje vizatimi ka përmbajtje të ngjashme me rastin kur fëmija nuk vizaton shi fare.