Nga Mariglena Muci
Tregojuni nxënësve tuaj se çfarë është festa e 7 Marsit
Festa e 7 Marsit është një festë e veçantë për të kujtuar dhe nderuar mësuesit. Që nga hapja e shkollës së parë shqipe e deri në ditët e sotme, qëllimi i saj është falenderimi dhe kujtimi i mësuesve dhe edukatorëve për punën e tyre të palodhur. Për shumë vjet kjo festë është zhvilluar ndërmjet mësuesve dhe nxënësve në formën e aktiviteteve të ndryshme. Me zhvillimin e arsimit gjithëpërfshirës, pjesë e saj janë bërë dhe nxënësit me aftësi ndryshe, të cilët e pëlqejnë, gjithashtu. Por, me zhvillimin e këtyre aktiviteteve, ajo nuk mund të shërbejë vetëm si festë, por edhe si një formë e mirë, për të zhvilluar aftësi të ndryshme tek nxënësit, sindomos ata me aftësi ndryshe. Për këtë arsye, ajo bëhet edhe më e rëndësishme, prandaj më poshtë po listoj disa mënyra se si ju mund ta festoni atë:
Nëpërmjet historive sociale, ju mund t’u tregoni nxënësve tuaj se çfarë është kjo festë. Historitë sociale janë përshkrime të shkurtra të një situate ose aktiviteti të caktuar, që ofron informacion specifik se çfarë duhet bërë dhe pse. Kështu ju mund të ndërtoni një histori të shkurtër për këtë ditë duke u treguar çfarë është, farë ata do të bëjnë, aktivitete, lojra etj. Ju mund t’i tregoni se kjo është një festë për të falenderuar mësuesit dhe për t’u treguar atyre dashurinë që keni. Këto mund t’i shoqëroni dhe me imazhe vizuale, të cilat i ndihmojnë shumë, këta fëmijë, që të kuptojnë më mirë situatat e ndryshme. Ose mund të zgjidhni të tregoni nëpërmjet një videoje të shkurter, gjithë historikun, me anë të një projektori.
Ndihmojini të shprehin dashurinë dhe mirënjohjen
Të japësh dhe marrësh dashuri është një nga emocionet më të bukura për të gjithë, e sindomos kur shoqërohet me mirënjohje. Mësojuni nxënësve tuaj se si ta shprehin atë.
Së pari pyetini se cilat janë personat, që ata duan më shumë. Në masën më të madhe ata vizatojnë prindërit, motrat e vëllezërit, gjyshërit ose gjyshet dhe mësuesit. Më pas kërkojuni të flasin për ta. Pyetini se për çfarë arsye i duan. Kështu, ju i nxisni nxënësit të flasin dhe të shprehin atë që ndiejnë. Së dyti kërkojuni të thonë se cili /cila është mësuesi/ sja e preferuar. Vendosni mbi tavolinë emoji të ndryshme emocionesh dhe figura si: zemra, lule, flutura, etiketa me fjalë etj dhe kërkojuni të zgjedhin nga një për mësuesin e tyre më të preferuar dhe të tregojnë pse zgjodhën atë. Në këtë mënyrë ju nxisni të menduarit logjik dhe shprehjen e emocioneve të tyre.
Së treti, ju mund të krijoni “mesazhet e urimit”, duke krijuar kartolina të vogla prej kartoni me ngjyra e zbukurime të ndryshme (lule, zemra, duar etj) dhe duke shkruar mesazhe urimi për mësuesin/en e tyre. Ose mund të zgjedhin edhe ta vizatojnë atë, së bashku me urimin e shkruar. Të gjitha aktivitetet duhet të tregojnë se çfarë është dashuria dhe mirënjohja për mësuesin/en.
Luani së bashku
Asnjë festë nuk do të ishtë kuptim pa lojëra! Kështu zgjidhni të zhvilloni lojra të llojeve të ndryshme, por që kanë një qëllim të caktuar. Ju mund të zhvilloni kuice të ndryshme ose lojra në dyshe dhe në grup me fëmijët. Mund të luani me argjilë, rërë, plastelinë, duke bërë forma të ndryshme, me të cilat ata të shprehin dashurinë për mësuesin/en. Por që të gjitha lojrat t’i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësitë e tyre motorike, të rrisin ndërveprimin social, bashkëpunimin etj.
Këndoni këngë së bashku
Të kënduarit në klasë është një mënyrë e mrekullueshme për t’u dhënë energji nxënësve tuaj. Gjithashtu, edhe një formë e mirë, në të cilën ata të shprehin dedikimet e tyre për mësuesit. Kështu, ata mund të këndojnë këngët e preferuara në grup, ose edhe individualisht sipas dëshirës. Madje mund të zhvilloni edhe një konkurs për zërin më të bukur, pse jo edhe për kërcimin më të bukur. Ose mund të zgjedhin të recitojnë vjersha dedikur mësuesve. Këto aktivitete i ndihmojnë ata jo vetëm të bashkëveprojnë, por edhe të rrisin besimin tek vetja.
Pasuroni fjalorin
Çdo festë ka shumë fjalë, që mund të lidhen me të si: urimet, falenderimet etj. Kjo festë i ndihmon fëmijët të pasurojnë fjalorin e tyre me fjalët magjike si: faleminderit, mirë se vini, gëzuar, mësues, të dua shumë etj. Të gjitha këto fjalë pasurojnë fjalorin e tyre dhe i mësojnë se kur duhet t’i përdorin më tepër. Gjtihashtu, i ndihmojnë të shprehin edhe emocionet e tyre.
Përmirësoni aftësitë e të shkruarit
Një gjë e rëndësishme në këtë ditë, sikurse e thamë më lart, janë urimet, që u përcjellim mësuesve tanë. Kështu nxitini nxënësit tuaj të shkruajnë urime sa më të bukura në kartolina. Madje edhe ju mund t’u sugjeroni disa shprehje të bukura duke i vendosur në tabelë ose mund të lini ata t’i formojnë vetë sipas imagjinatës së tyre. Në këtë mënyrë ata përmirësojnë aftësitë e tyre të të shkruarit, llojit të shkrimeve që zgjedhin dhe kreativitetin.
Pasi t’i keni përfunduar të gjithë aktivitetet, pyetini nxënësit se çfarë mësuan, çfarë është festa e 7 Marsit? Jepini mundësinë secilit të zgjedhë një etiketë ku është shkruar një fjalë e caktuar si: mësues, festë mësuesish, lumturi, mirënjohje, respekt, dashuri, etj. Më pas lexojini të gjithë së bashku, për të zbuluar kuptimin e fjalës. Pas kësaj, lërini të lirë të festojnë dhe bashkojuni dhe ju duke ngrënë ëmbëlsira, duke pirë lëngje të ndryshme, duke bërë gëzuar etj.
Këto janë disa mënyra se si mund të zhvilloni festën me nxënësit tuaj. Por ju jeni plotësisht të lirë t’i përshtasni ose ndryshoni sipas dëshirës tuaj. E rëndësishme është t’u mësoni se çfarë është kjo festë dhe pse duhet ta festojmë.