Në përputhje me zhvillimin fizik e motor, kognitiv e psikologjik, shkrimi si një veprimtari komplekse psikomotore, normalisht është vështirë të përvetësohet para moshës 4-5 vjeçare. Për këtë arsye dhe vendosja e një diagnoze që lidhet me disgrafinë, nuk mund të bëhet përpara një moshe të caktuar; moshës kur fëmija mëson dhe praktikon shkrimin.
Në mënyrë që të mund të përcaktohet saktësisht nëse është fjala për disgrafi e vështirësi që shfaqen ekskluzivisht me shkrimin, është e rëndësishme që profesionisti përkatës të përjashtojë një sërë faktorësh të cilët shkaktojnë disgrafi e në këtë rast defiçitet e shkrimit do të ishin dytësore.
Pra, që të mendohet për disgrafi, fillimisht duhet kuptuar se nxënësi paraqet kushtet e mëposhtme:
o Kapacitet intelektual normal.
o Nxitje e përshtatshme kognitive e shkollore.
o Zhvillim i përgjithshëm tipik.
o Mungesë e ndonjë çrregullimi neurologjik apo dëmtimi sensorial (shqisor), që mund të dëmtonte ekzekutimin motorik të shkrimit.
Shkaqe të disgrafisë:
o Zhvillim jo i mirë ose dëmtime të aftësive psikomotore.
o Zhvillim jo i mirë i motorikës globale dhe asaj fine (ngadalësi, ngathtësi, mungesë koordinimi).
o Aftësi jo të mira orientuese/hapësinore.
o Çrregullime të ndryshme fizike.
o Paaftësi në mbajtjen e qëndrimit trupor, në përdorimin e mjeteve të nevojshme për të realizuar shkrimin, ritëm i papërshtatshëm i të shkruarit.
o Stile pedagogjike shumë strikte e jofleksibël.
Si shkruan një fëmijë më disgrafi, karakteristika:
o Përmasa të shkronjave shumë të mëdha ose shumë të vogla, që e bëjnë thuajse të pamundur leximin e tyre.
o Shkronjat paraqiten me tjetër formë, të thjeshtuara.
o Hapësira mes shkronjave dhe fjalëve ose është shumë e madhe, ose në të kundërt shkrimi është shumë i ngjeshur.
o Shkrimi është i përkulur dhe i pjerrët.
o Shkrimi mund të jetë shumë i theksuar ose shumë i lehtë, që e bën të vështirë leximin e tij.
Vlerësimi i disgrafisë
Koncepti i mënyrës së vlerësimit të disgrafisë është i ngjashëm, thuajse identik me atë të disortografisë. Kur duhet bërë vlerësimi i problematikave dhe vështirësive të shkrimit, vlerësohen dhe aftësi të tjera të të nxënit, duke qenë se këto problematika kanë prirjen të bashkëshoqërohen tek nxënësit. Megjithatë, krahas vlerësimeve të përgjithshme të aftësive të lexim-shkrimit, ka disa aspekte nëpërmjet të cilave ekzaminohet disgrafia:
o Hapësirat mes shkronjave e rreshtave.
o Linjat e çrregullta.
o Mosndjekja e rreshtave dhe linjave të shkrimit.
o Përmasat e çrregullta të shkronjave.
o Format e ndryshuara të shkronjave.
o Mbajtje jo tipike e lapsit dhe e fletës ku shkruan.
o Qëndrim jo i zakontë mbi tavolinë kur shkruan, pozicioni i krahëve, duarve, qafës e kokës.
o Shpejtësi e lartë në të shkruar, ose shumë e ngadaltë