Vizatimi i familjes nga fëmijët; disa raste interesante me shpjegimet përkatëse. Nga Lorela Garuli

Familja është mjedisi me ndikimin më të madh në jetën e fëmijës. Për të pasur një tablo të plotë të faktorëve dhe situatës ku zhvillohen marrëdhëniet afektive të fëmijës, është i domosdoshëm një eksplorim më i gjatë e më i thellë; eksplorim të cilin e ndihmon shumë mirë vizatimi i familjes nga ana e fëmijës.

Në këtë mënyrë, fëmija ndihet i lirë për t’u shprehur, duke qenë se vizatimi i jep mundësinë për të projektuar lirisht ndjenjat që fëmija ka përkundrejt familjarëve të tij.

Marrë nga libri https://humanum.al/2020/01/05/zbulo-femijen-tend-interpretimet-e-vizatimeve-te-femijeve-au-press-maj-2017/

Pikërisht për këtë arsye, që fëmija të ketë lirinë maksimale të shprehjes, atij nuk do t’i kërkohet të vizatojë familjen e vet reale, sepse kjo do ta limitonte shumë paraqitjen e tij, duke e detyruar në njëfarë mënyre të bënte një imitim të realitetit objektiv familjar të tij. Ndërkohë që nuk është ky qëllimi i profesionistit që punon me fëmijën; sesa anëtarë ka familja e fëmijës apo i sati fëmijë është, janë të dhëna shumë të thjeshta që mund të merren duke pyetur fëmijën vetë apo prindërit e tij. Ajo që ka rëndësi, është njohja me botën e brendshme, ndjenjat, emocionet, frikërat, përjetimet, dëshirat e fshehura, elementë të cilët janë të gjithë individualë për fëmijën dhe do të bëhen të ditur vetëm nëse i lihet rrugë e lirë imagjinatës dhe fantazisë së fëmijës.

Prandaj, për të vizatuar familjen, kërkesa do të parashtrohet në një formë që fëmijës i lejon të zhytet në thellësitë e personalitetit të tij: Vizato një familje sipas dëshirës, imagjinatës tënde. Kjo i jep atij një gamë shumë të gjerë zgjedhjesh, ku ai mund të vizatojë prej familjes reale, familje imagjinare, rastë të ndërmjetme të përziera dhe përfaqësime nga më simboliket, siç është rasti i familjes së kafshëve. Pas paraqitjes së kërkesës për të realizuar vizatimin e familjes, mënyra sesi fëmija zgjedh ta sjellë atë në vizatim ka përmbajtje të konsiderueshme.

 

Në rast të kundërt, kur vizatimi është shumë “racional”, i paraqitur me forma të prera, pa dinamizëm, i varfër në detaje dhe simbolikë, shpreh njëfarë ftohtësie, mungesë e shprehjeve emotive dhe e shkëmbimeve në marrëdhënie.

Lloje familjesh të paraqitura:

  • Paraqitje skematike dhe e varfër- raporte familjare jo të ngrohta, ndjenja ankthi dhe inhibimi, nivel i ulët dinamizmi dhe ndërveprimi, shmangie.
  • Personazh i vizatuar i veçuar apo përgjysmë- konflikte me të.
  • Personazh i vizatuar vetëm në konture-vështirësi në marrëdhëniet ndërpersonale.
  • Personazhe shumë të detajuar- nevojë për kontroll, elementë obsesivë.
  • Shkrimi i emrit të anëtarëve pa iu kërkuar një gjë e tillë- nevojë për të përforcuar identitetin e vet dhe të familjes.
  • Familje e një tjetër race apo epoke- distancim nga familja reale dhe dëshira projektuese për të qenë pjesë e një familje tjetër.
  • Familje e vizatuar brenda një shtëpie- nevojë për dashuri, mbrojtje dhe siguri.
  • Familje e vizatuar brenda një zemre-regresion, papjekuri, idealizim i afeksionit.
  • E parë nga lart- shkëputje emotive.
  • Me anëtarët e vizatuar të bashkuar, shumë ngjitur njëri me tjetrin-varësi, mungesë e hapësirave personale.
  • Me anëtarë shumë të ngjashëm mes tyre, të veshur njësoj dhe që kryejnë të njejtin veprim- mungesë diferencimi dhe individualiteti.
  • Të kapur për dore- varësi.
  • Personazhe të vizatuar me duart në xhepa- vështirësi në marrëdhëniet mes tyre.
  • Një familje që po bën një foto- distancim prej familjes, të parit e saj nga një pozicion i largët.
  • Një familje e shprehur në formë karikature apo tallëse- ironizim dhe zhvlerësim i familjes.
  • Anëtarët e vendosur në vende dhe pozicione të ndryshme- komunikim e bashkëveprim i dobët.
  • Familje e vizatuar me kurriz- vështirësi në komunikim.
  • Një anëtar i vizatuar me kurriz- distancim apo refuzim që merr nga ai person.
  • Me duart në qafë- gjest që shpreh afeksion të madh të fëmijës me atë anëtar të familjes.
  • Vizatimi i një familje kafshësh- fëmija shmang përballjen me dinamikat që lidhen me familjen reale, vuajtjen apo problematikat.
  • Vizatimi i familjes me personazhe fetarë- idealizimi i familjes.
  • Vizatimi i familjes me personazhe prej filmave vizatimorë apo imagjinarë- shkëputje emotive, ikje nga realiteti nëpërmjet fantazisë.
  • Vizatimi i personazheve pa gjymtyrë, fytyrë apo pa kokë- shprehje e ankthit, regresion, vështirësi komunikimi efikas, pasiguri.