Tregues të mundshëm të devijimeve të zhvillimit në vizatime; elementë konkretë. Nga Lorela Garuli

Marrë nga libri https://humanum.al/2020/01/05/zbulo-femijen-tend-interpretimet-e-vizatimeve-te-femijeve-au-press-maj-2017/

Vitet e para të jetës, pa dyshim që shënojnë periudhën më kyçe në zhvillimin e fëmijës. Si një pjesë aktive e këtyre viteve të para, vizatimi është një proçes kompleks i cili lidhet e shprehet në shumë nivele, duke nisur prej atij motorik e deri tek një zhvillim i shëndetshëm. Disa prej devijimeve të zhvillimit kanë elementë të cilët pasqyrohen edhe në vizatim, ku përveç përmbajtjes, arrijnë të shfaqen edhe në aspekte të formës, të tilla si:

  • Përmasat e figurave- kur janë shumë të vogla apo ekstremisht të mëdha.
  • Mosruajtja e proporcioneve- kur figurat në të njëjtin vizatim dallojnë shumë mes tyre në forma dhe përmasa.
  • Theksim i tepruar i kontureve apo brendësisë së vizatimit.
  • Kontrolli motorik i të vizatuarit- kur fëmija nuk mundet të koordinojë lëvizjet, kur ngjyros jashtë kufijve dhe kur nuk arrin të realizojë format bazë të vizatimit, të tilla si harqet, vija, rrethi, katrori.
  • Shpërndarje e pakuptimtë e vizatimeve në fletë- kur mungon koherenca mes elementëve të ndryshëm të vizatimit, kur në fakt është një vizatim i vetëm por si rezultat i paraqitjes kaotike duken si disa, të palidhur logjikisht me njëri-tjetrin.
  • Stereotipi ose përsëritje e vazhduar e të njëjtit detaj ose figurë.
  • Përdorim i varfër i ngjyrave.
  • Përdorim i papërshtatshëm i ngjyrave, psh kur vizatohet dielli blu, deti i kuq, qielli i zi, etj.
  • Përdorimi i një ngjyre të vetme, e cila mbizotëron në shumicën e vizatimeve.
  • Vizatimi i elementëve që duket sikur pluskojnë në ajër, pa një bazë mbështetjeje.
  • Vizatimi i një figure njerëzore të paplotë, me gjymtyrë dhe tipare munguese.
  • Vizatime nën nivelin e moshës kronologjike të fëmijës, kur vizatimi shfaq karakteristika të stadeve më të hershme sesa stadi në të cilin duhet të ishte, sipas kritereve të moshës.

Duke e konsideruar shprehjen grafike të fëmijëve si një nga format me anë të të cilave jo vetëm dalin në pah dinamika të personalitetit të tyre, por njëkohësisht edhe shfaqjen elementë të një zhvillimi të ndryshëm apo atipik, lind nevoja të sqarohet se cilët mund të jenë këto shkaqe.

Është fjala për faktorët më të zakontë të cilët bëjnë të mundur që ndryshimet që ka një fëmijë me zhvillim atipik, t’i shfaqë dhe në vizatime. Këtu pra, nuk është rasti për të marrë në shqyrtim të gjitha shkaqet e vonesave në zhvillim apo çrregullimeve të zhvillimit, por vetëm ato raste alteracionesh ku një prej fushave në të cilat manifestohen është dhe vizatimi. Ndër këta faktorë, renditen fillimisht ata që kanë të bëjnë me mjedisin në të cilin rritet e zhvillohet fëmija, faktorë të llojit social.

Pra, në formë të përmbledhur, faktorët kryesorë të cilët ndikojnë që në vizatime të ketë detaje që tregojnë se në jetën e fëmijës ka elementë shqetësues, janë faktorët socialë, ato të humbjeve apo mungesave dhe faktorët që lidhen me ndryshimet përgjatë ciklit jetësor.