Ji unik, jo në modë! Roli i rrjeteve sociale në standardet e bukurisë së të rinjve

 

Nga Valbona Berberi

Eksperte në estetikë

 

Të jesh e bukur apo të ndihesh e bukur?

Të jesh e bukur që të ndihesh mirë me veten?

E bukur si Marilyn Monroe, si Elizabeth Taylor, si Audrey Hepburn, si Sophia Loren, si Kim Kardashian, si Angelina Jolie? Si cila?

Lista e emrave të më të bukurave të botës është e gjatë,sa vetë hollivudi, dhe ndërrimi i herëspashershëm i konceptit mbi të bukurën, e ka bërë atë të papërkufizueshëm. Pikërisht kjo “traditë” e çmimit të së bukurës ka zënë në kurth vajzat. Me avancimin e teknologjisë, me bisturinë e me gjilpërat magjike, çdokush mund të ndryshojë tiparet, madje edhe të bëhet kopja e dikujt tjetër.

Kjo lidhet padyshim me disa vështirësi për të pranuar veten, e me dyshimet mbi personalitetin. Kryesisht prek moshat e njoma, të cilat janë ende në dilema se kush janë dhe se çfarë duan. Të rinjtë që ekspozohen tepër ne mediat sociale dhe peshojnë emocionet e tyre me numrin e ndjekësve apo të pëlqimeve në postime. Të ndjerit mirë, me vetëbesim, e të pranuar në shoqëri, është një nevojë e gjithsecilit prej nesh. Është njerëzore ndjenja e përkatësisë dhe përshtatja në mjedisin ku jetojmë. Po përshtatje deri në humbje të natyralitetit?  E pranuar, sepse po i përshtatesh standardit të kohës mbi bukurinë? Koha rrjedh shpejt, e moda ndërron po aq shpejt.

Ajo që po dëshmojmë çdo ditë është denatyralizimi i portreteve femërore. Vajza, edhe në moshë fare të re, të cilat kanë ndërhyrë në portret. Disa prej ndërhyrjeve sjellin ndryshime të parikthyeshme. A janë penduar një pjesë e tyre? Po. Ç’mund të bëhet? Në të shumtën e rasteve nuk ka më kthim pas, ndaj kujdesi dhe përgjegjësia morale e mjekëve duhet të prevalojë. Përvoja tregon se tashmë klinikat e kirurgjisë plastike e realizojnë pa kokëçarje procesin copy-paste. (Nënvizoj, se ato janë edhe kurues shumë të mirë të imazhit dhe puna që bëjnë shpeshherë e ndryshon për mirë jetën e dikujt.) Mjekët vërtet operojnë me 18-vjeçarë e lart, po a është një 18-vjeçar i maturuar emocionalisht aq sa për të marrë vendime që do t’i ndryshojnë pamjen përgjithmonë?

Si po ndikojnë rrjetet sociale?

Vetë hulumtimet e ekspertëve të medias sociale kanë dalë në përfundimin se 1 në 3 vajza është ndikuar negativisht nga ekspozimi ndaj modeleve perfekte të instagramit. Ato janë nxitësit kryesorë të krijimit të një imazhi të ngjashëm me filtrat. Filtri i instagramit ka kuptimin e kundërt të fjalës filtër në vetvete. Të filtrosh do të thotë të dish të përzgjedhësh, të dallosh, të diferencosh. Nëse shkëpus 3/4 foto të disa vajzave më të ndjekura në instagram, ju siguroj që do ta kishit sfidë t’i dallonit njëra nga tjetra. E trishtë! Ato janë kukullat e ngrira perfekte për foto, por pa shprehi, pa natyralitetit, pa emocion.

Roli ynë? Të ndërgjegjësojmë mbi pranimin e vetes edhe me imperfeksione. Më kujtohet një intervistë e aktores Sophia Loren, e cila rrëfen se i kishin sugjeruar të ndërhynte për të përmirësuar pamjen e hundës së saj, e ajo krenare kishte parapëlqyer të dallohej për atë tipar. Jo vetëm nuk i ndryshoi karrierën, por e bëri unike. Ngjashëm edhe Meryl Streep, e refuzuar në disa audicione aktrimi sepse ishte e “shëmtuar” vijoi pasionin e saj, pa u ndalur e pa bërë ndërhyrje.

Talenti, puna këmbëngulëse, vetëbesimi, e bëjnë gruan të jetë e suksesshme dhe e arrirë.

Ndaj, nëna, gra edukoni vajzat e vogla mbi rëndësinë e dijes, të kujdesit për veten, të dashurisë për veten, të pranimit të vetes. E bukura e secilës qëndron te ai tipar që na bën të ndryshëm. Të edukohen se bukuria e vërtetë qëndron në të qenit mirë me veten, duke u kujdesur për mirëqenien e trupit tonë, të mendjes e të shpirtit tonë. Asgjë nuk vlen më shumë sesa ndërtimi i vetëbesimit dhe i vetëvlerësimit.