Nga Orilda Kalami, sociologe
8 marsi – Dita Botërore e Gruas
Eshtë datë shumë e rëndësishme dhe kudo në botë është dita kur:
– festohen arritjet sociale, ekonomike, politike, artistike, kulturore të gruas,
– bëhet thirrje për aktivizim, për të mbrojtur të drejtat e grave,
– kërkohet barazi gjinore, mundësi të barabarta,
– reflektohet kundër dhunës ndaj gruas,
– protestohet për përparimin e gruas
– sensibilizohet dhe ndërgjegjësohet shoqeria dhe opinioni publik për rolin, rëndësinë e gruas, për respektimin e të drejtave të saj dhe sidomos barazinë. Kjo bëhët me lëvizje, simbolika, manifestime, protesta, emisione, koncerte, etj
Historia
Viti 1909. Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u vendos data 28 shkurt për të kujtuar gratë që protestuan një vit më parë (1908) për të kërkuar kushte të mira në punë.
Viti 1910. Europë
Festimi i Ditës së Gruas në Europë daton që nga viti 1910, kur në Kopenhagen të Danimarkës u caktua një ditë për të nderuar lëvizjet për të drejtat e grave dhe për të shtuar mbështetjen për arritjet e grave (19 mars).
(Kështu Konferenca Ndërkombëtare e Grave Socialiste themeloi Zyrën e Informacionit të Grave Socialiste me qëllimin e deklaruar për t’u dhënë të drejtën grave për të votuar dhe për trajtim të barabartë në lidhje me burrat, duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara.)
Viti 1911. Festimet e para
Në shumë vende europiane dhe në Amerikë kujtohet Dita e Gruas. Këto protesta dhe manifestime u bënë më 19 mars (edhe për të kujtuar revolucionin e vitit 1848 – revolucion në Gjermani për bashkim kombëtar, reforma e kushtetutë). Kërkohej: e drejta e votës, e drejta për të punuar, ndalim i diskriminimit në punësim.
Nju-Jork më 25 mars 1911. Zjarri në një fabrikë të prodhimit të këmishave u mori jetën 134 grave. Kjo ngjarje pati një rëndësi të madhe në vendosjen e ligjeve të reja në lidhje me kushtet e punës.
Viti 1913. Rusi. Lëvizjet e grave
Gratë në Rusi protestuan të dielën e fundit të muajit shkurt kundër Luftës së Parë Botërore (shkaku kryesor ishte humbja e dy milion ushtarëve rusë). Një vit më pas në Europë gratë vazhduan të aktivizoheshin të dielën e fundit të shkurtit kundër luftës.
Viti 1915. Hollandë
Prill. Rreth 1100 gra nga 12 vende mblidhen në Hagë në Konferencën për paqe dhe liri.
Viti 1917. Rusi
Protesta “Bukë dhe paqe”. Gratë përsëri protestojnë kundër luftës dhe pasojave të saj më 23 shkurt (8 mars me kalendarin gregorian)
Cari abdikon, qeveria provizore i jep grave të drejtën e votës.
Viti 1921. Moskë
Ishte Konferenca e Dytë e Grave Komuniste, e mbajtur në Moskë në vitin 1921, e cila zgjodhi datën 8 Mars, duke miratuar institucionalizimin e një dite të vetme për festimet dhe unifikimin e festimeve, që deri në atë në moment kur ato filluan, zhvilloheshin në kombe të ndryshme në data të ndryshme.
Pas Luftës së Dytë Botërore 8 Marsi vazhdoi të festohet në shumë vende të botës.
Viti 1945. Itali
Bashkimi i grave vendosi që të festohej dita e gruas.
Viti 1946. Itali
Festohet 8 marsi në formën një protestë e grave feministe, sidomos për kushtet e punës.
Viti 1977. Kombet e Bashkuara shpallin datën 8 mars si ditën Ndërkombëtare të Gruas.
(Në studimet e fundit është vënë në dyshim vërtetësia historike e ngjarjeve të mëposhtëme:
• Viti 1857. Shtetet e Bashkuara. Një grup punëtoresh humbën jetën në një zjarr në fabrikën ku punonin, pasi ishin bllokuar nga punëdhësi i tyre, për të mos i lejuar ato të merrnin pjesë në një grevë.
• Nju-Jork më 25 mars 1911. Zjarri në një fabrikë të prodhimit të këmishave u mori jetën 134 grave.
Megjithatë vlera simbolike e ngjarjeve shkon përtej saktësisë së lajmit.)
Simboli i 8 marsit – Mimoza
Zgjedhja e kësaj luleje daton në vitin 1946 kur gratë e U.D.I. (Bashkimi i grave italiane) vendosën të gjejnë një lule për të përfaqësuar këtë festim. Gjatë organizimit të ngjarjes së 8 Marsit u propozua mimoza, një lule e sezonit e që kushtonte më pak. Prej atij momenti kjo lule u bë simboli i Ditës së Grave.
Mimoza mbetet simboli i Ditës së Gruas në Itali dhe në Shqipëri.
Mimoza është një lule spontane, pioniere, që përfaqëson vullnetin e fitimit të të drejtave të grave dhe luftën që këto të drejta të kenë vlerë.
Mimoza, është një lule solare, e ndritshme, që sjell gëzim, në dukje delikate, por në realitet është një lule e fortë dhe krenare si një grua.