Aftësia krijuese dhe interpretuese e trupit është një potencial i heshtur, potencial i cili nëse nxitet dhe ngacmohet në mënyrën e duhur, nxjerr në pah dinamika shumë të dobishme dhe interesante; si për individin që e zbaton, ashtu dhe për procesin terapeutik që ai përshkon.
Teknikat e dancoterapisë janë shumë të përshtatshme jo vetëm në terapinë individuale, por sidomos në grup, si në rastet e grupeve me fëmijë, adoleshentë e të rritur.
Marrë nga libri “Terapia e artit”- për më shumë shikoni https://humanum.al/2024/09/04/terapia-e-artit-nje-botim-i-ri-nga-lorela-garuli/
Një nga qëllimet kryesore të këtij grupi të madh teknikash ka të bëjë me mbrujtjen e ndërgjegjësimit, konkretisht në lidhje me mënyrën se sa shumë ndikim kanë lëvizjet, qëndrimet, mimika, postura, lëvizjet, shprehjet e fytyrës, mbajtja e duarve, e krahëve, e këmbëve etj, në atë që jemi dhe në atë që bëjmë e ndjejmë në një çast të caktuar.
Trupi nuk flet me fjalë, por komunikon jashtëzakonisht shumë me të gjitha mundësitë e lartpërmendura. Krahasuar me komunikimin përmes fjalëve, komunikimi joverbal është në një raport më të madh, ndaj si i tillë konsiderohet të jetë më afër të vërtetës së emocioneve që ndjejmë, sepse është në të njëjtën kohë i pamanipulueshëm, ose të paktën është vështirësisht i pamanipulueshëm.
Ashtu si të gjitha teknikat e tjera të terapisë së artit, edhe dancoterapia shfrytëzon imagjinatën e fantazinë për të materializuar dinamika të brendshme.
Të shprehurit e një dinamike të caktuar emocionale pa përdorimin e fjalëve, por vetëm me trup, duar apo fytyrë, është një mënyrë shumë e mirë për të menduar fillimisht mbi këtë emocion, për t’i dhënë “trup” e figurë, që gjithashtu është sinonim i zhvillimit të një shprehie të inteligjencës emocionale.
Në një masë të madhe të rasteve, teknikat e dancoterapisë kryhen bashkë me ato të muzikoterapisë, ku tingujt ndihmojnë të krijohen hapësirat dhe sfondi i duhur, ku individi të vihet në kontakt më të mirë e më të drejtpërdrejtë me veten e vet fizike.
Dancoterapia rezulton efikase në trajtimin e rasteve të ndryshme vështirësish emocionale, psikomotorike dhe të motorikës fine e globale, kur është pjesë integrale e planeve të ndërhyrjes.