Përse truri ynë preferon më shumë negativitetin? Nga Ira Demko

Përshkrimi i fotos

 

 

Përgatiti: Ira Demko, psikologe
MA Early Childhood Studies, Universiteti i Huddersfield, Angli

Pse na “shkatërron” një fjalë kritike, edhe kur ajo shoqërohet me shumë lavdërime?
Prirja ndaj negativitetit është tendenca jonë jo vetëm për të vënë re më shpejt stimujt negativë, por edhe për t’u ndalur më gjatë tek ta. E njohur gjithashtu si asimetria pozitive-negative, kjo prirje do të thotë që ne e ndiejmë “thumbimin” e kritikës shumë më fort sesa gëzimin që na jep lavdërimi.

Ky fenomen psikologjik shpjegon pse përshtypjet e para negative janë kaq të vështira për t’u kapërcyer dhe pse traumat e së kaluarës kanë efekte të gjata dhe të qëndrueshme. Në pothuajse çdo ndërveprim, ne kemi më shumë gjasa të vëmë re gjërat negative dhe më vonë t’i kujtojmë ato më gjallërisht.
Studimet në psikologji dhe neuroshkencë kanë treguar se truri ynë është i programuar në një farë mënyre për t’i dhënë më shumë peshë përvojave negative. Kjo lidhet edhe me mekanizmat e mbijetesës: në të kaluarën, të vëreje rrezikun ishte më e rëndësishme sesa të përjetoje kënaqësi. Për këtë arsye, reagimet ndaj situatave negative aktivizojnë më fort zona të trurit si amigdala, e cila lidhet me frikën dhe emocionet intensive, duke bërë që këto përvoja të ruhen më thellë në kujtesë. Kjo shpjegon pse një koment i vetëm negativ mund të “mbysë” dhjetë komente pozitive.

Shembuj të prirjes ndaj negativitetit
Prirja ndaj negativitetit mund të ketë një sërë efektesh në jetën reale, duke ndikuar në mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe veprojnë. A të duken të njohura këto situata?
* Ke marrë një vlerësim pune që në përgjithësi është shumë pozitiv dhe thekson performancën dhe arritjet e tua. Disa komente konstruktive përmendin fusha ku mund të përmirësohesh, dhe ti e gjen veten duke u fiksuar pikërisht te ato. Në vend që të ndihesh mirë për pjesën pozitive, ndihesh e mërzitur dhe e zemëruar për ato pak kritika.

* Ke pasur një debat me partnerin/en dhe më pas përqendrohesh te të gjitha të metat e tij/saj. Në vend që të pranosh cilësitë e mira, mendja jote sillet rreth papërsosmërive. Edhe gabimet më të vogla zmadhohen, ndërsa anët pozitive injorohen.

Si njerëz, ne priremi të:
* Kujtojmë më mirë përvojat traumatike sesa ato pozitive.
* Kujtojmë më shumë fyerjet sesa lavdërimet.
* Reagojmë më fort ndaj stimujve negativë.
* Mendojmë më shpesh për gjëra negative sesa për ato pozitive.
* Reagojmë më fuqishëm ndaj ngjarjeve negative sesa ndaj atyre po aq pozitive.
Kërkimet tregojnë gjithashtu se për të balancuar ndikimin e një përvoje negative, shpesh nevojiten disa përvoja pozitive (madje 3 deri në 5), çka e bën edhe më të dukshme peshën disproporcionale të negativitetit në përditshmërinë tonë. Kjo ndikon jo vetëm në humorin tonë, por edhe në vendimmarrje, marrëdhënie dhe vetëvlerësim.

Si ta shmangim prirjen ndaj negativitetit
Për ta shmangur këtë prirje, fillimisht duhet ta kuptojmë atë. Mund të fillojmë duke e njohur kur po përqendrohemi tepër te mendimet negative dhe pastaj të përpiqemi t’i sfidojmë ato dhe t’i zëvendësojmë me mendime më të dobishme. Teknikat si ajo ABC e Albert Ellis mund të ndihmojnë në këtë proces. Gjithashtu, praktika e ndërgjegjësimit (mindfulness) dhe përqendrimi te mendimet pozitive mund të ndihmojnë në reduktimin e prirjes ndaj negativitetit.
Studimet sugjerojnë se praktika të thjeshta si mbajtja e një ditari mirënjohjeje, reflektimi i qëllimshëm mbi përvojat pozitive dhe ndalimi i vetëdijshëm i mendimeve negative mund të ndikojnë gradualisht në mënyrën si truri përpunon informacionin. Me kalimin e kohës, kjo ndihmon në krijimin e një ekuilibri më të shëndetshëm emocional dhe në zvogëlimin e ndikimit të prirjes ndaj negativitetit në jetën tonë të përditshme.