Nga Lorela Garuli
Xhelozia prek një pjesë shumë të madhe të familjeve kur janë në pritjen e ëmbël.
Puna me fëmijën për pritjen e motrës apo vëllait që po vjen në jetë realisht duhet të nisë herët, që në castet e para të shtatzanisë. Prindërit duhet ta ndajnë lajmin me fëmijën, duke ia treguar që herët dhe duke e nxitur të jetë pjesë aktive e parapërgatitjeve për fëmijën që do të vijë, duke i folur për të në mënyrë që të mos jetë një ngjarje e panjohur. Mundësisht, nëse keni ndonjë të afërme apo mikeshë që sapo ka lindur, mund të shkoni ta vizitoni me vajzën që ajo të njihet më nga afër me foshnjen.
Pasi fëmija i dytë të ketë ardhur në jetë, disa këshilla praktike ndihmuese për të ekuilibruar raportet e reja që po krijohen dhe për të shmangur xhelozinë, janë: gjatë kohës që njerëz të ndryshëm vijnë në shtëpi dhe sjellin dhurata për foshnjën, ju duhet të blini disa dhe për fëmijën e parë; ta bëni pjesë të kujdesit për foshnjen me aq sa mundet dhe ta përfshini në rutina të përditshme, të kaloni kohë vetëm me të, të flisni shumë pozitivisht dhe ta lavdëroni dhe gjatë bisedave me të rritur të tjerë. Qëllimi është që fëmija më i madh të ndihet i përfshirë, i vlerësuar dhe i rëndësishëm si më përpara, të mos ndihet që tani është i rritur dhe nuk do të ketë më privilegjet apo përkëdheljet që i takojnë, sepse mos harroni; dhe ky fëmijë vetë akoma është i vogël.
Është gjithashtu e rëndësishme të zhvillohet lidhja dhe afeksioni mes dy fëmijëve, duke nxitur fëmijën e madh të afrohet dhe krijojë kontakt fizik nëpërmjet puthjeve e përqafimeve me të voglin.
Nuk këshillohet që fëmijën më të madh ta largoni nga shtëpia tek ndonjë i afërm apo gjyshërit gjatë kohës që nëna është në maternitet, sepse mund të ndihet e përjashtuar. Madje, do të ishte mirë që të vinte në maternitet me babain dhe të afërmit e tjerë sapo foshnja të vijë në jetë.