Në mënyrë të pashmangshme ardhja në jetë e një anëtari të ri në familje do të ndryshojë dinamikat në cift. Prindërit duhet të ndajnë kohën e tyre, vëmendjen, përkushtimin, dashurinë, energjinë jo më me vetëm me njëri-tjetrin, por tashmë dhe me fëmijën. Kjo ndarje dhe ridimensionim nuk do të jetë vetëm sasior, por edhe cilësor; që do të thotë se marrëdhënia në cift do të ndryshojë në mënyrë të pakthyeshme. Përvoja tregon se shpesh dy partnerët e gjejnë veten larg njëri-tjetrit, në terma të largësisë emocionale dhe ke. Nëna i përkushtohet 100% fëmijës, babai vazhdon punën jashtë shtëpisë, partnerët kalojnë më pak kohë bashkë, intimiteti ndryshon.
Disa nga këshillat që mund të ndihmojnë një cift të kalojë më mirë këtë periudhë tranzicioni dhe të përballen me ndryshimin e ri, janë:
- Ndarja e përgjegjësive dhe kujdesit për foshnjen. Dihet që muajt e parë të ardhjes në jetë të fëmijës janë të vështirë sa i përket rutinave të zgjimit të fëmijës natën dhe pagjumësisë që shkakton tek nëna. Përkujdesja natën mund të bëhet me radhë nga të dy prindërit.
- Izolimi i nënës dhe mbyllja e plotë brenda mureve të shtëpisë duhet evituar. Nëna mund të gjejë kohën një herë në javë apo dhe më rrallë për të kaluar kohë me shoqe/kolege për t’u qetësuar e argëtuar dhe për të mos u shkëputur plotësisht nga jeta e saj sociale.
- Të kërkuarit ndihmë kur fëmija i parë vjen në jetë. Të afërmit apo ekspertët përkatës të edukimit mund t’i vijnë në ndihmë ciftit që po përballet për herë të parë me vështirësitë e rritjes së një fëmije, qoftë dhe rutinat praktike; si ta ushqejnë, veshin, lajnë, vënë në gjumë.
- Të kaluarit e kohës bashkë. Është shumë e rëndësishme që dy partnerët të gjejnë hapësirat për të kaluar kohë cilësore bashkë edhe pas ardhjes në jetë të fëmijës, kur ky i fundit është akoma i vogël. Psh. një darkë në javë, cifti mund ta lërë fëmijën me një prej gjyshërve nëse është mundësia dhe të kalojnë mbrëmjen diku jashtë.
- Pritshmëritë duhet të jenë realiste. Nuk ka prindër perfektë. Dëshira për të mos gabuar me fëmijën, frika për të mos qenë prind i mirë nuk bëjnë gjë tjetër vecse shtojnë tensionet dhe pasiguritë. Fleksibiliteti në kryerjen e detyrave të përditshme me fëmijën e sapolindur është zgjidhje e mirë përballë shqetësimit dhe stresit që sjell përgjegjësia e kujdesit ndaj fëmijës.