Si ta dallojmë ҫrregullimin e vëmendjes me hiperaktivitet?

Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet (Attention Deficit Hyperactivity Disorder ADHD) përcaktohet si shfaqja e një grupi sjelljesh ku fëmija paraqet nivele impulsiviteti, mungese vëmendjeje dhe hiperaktiviteti më të larta sesa fëmijët e tjerë të së njëjtës moshë. ADHD konsiderohet crregullimi më i përhapur i periudhës së fëmijërisë së hershme dhe prek më shumë djemtë se vajzat. Problematikat e fëmijëve me ADHD bëhen shkak për shfaqjen e një sërë vështirësive në kontekstin familjar, shkollor, në marrëdhënie me prindërit, motrat/vëllezërit, shokët/shoqet e klasës, me mësuesit e me radhë.

Si shfaqet crregullimi?

ADHD ka tre fusha kryesore të cilat shfaqin problematikat dhe simptomat, përkatësisht: vëmendja, hiperaktiviteti dhe sjelljet impulsive.

Mungesa e vëmendjes:

  • Bën gabime të shpeshta pakujdesie.
  • Nuk i kushton vëmendje detajeve.
  • Harron ndjekjen e rutinave dhe detyrave të përditshme.
  • Duket sikur nuk dëgjon kur i flasin.
  • Nuk e mban dot vëmendjen në kryerjen e detyrave apo gjatë lojës.
  • Ka vështirësi në organizimin e detyrave apo aktiviteteve.
  • Nuk i ndjek udhëzimet që i jepen.
  • Ka vështirësi në kryerjen e detyrave që kërkojnë ngarkesë të lartë mendore dhe përqendrim (sic janë rëndom detyrat e shkollës).
  • Shpesh humb gjëra të cilat janë të domosdoshme për detyrat apo veprimtaritë (libra, fletore).
  • Shpërqendrohet dhe hutohet lehtësisht.

Hiperaktiviteti:

  • Bën lëvizje përsëritëse me duar ose këmbë, në shenjë nervozizmi ose padurimi.
  • Nuk rri ulur në klasë apo mjedise të tjera, në të cilat qëndrimi ulur është i nevojshëm.
  • Vrapon, kërcen, hidhet së tepërmi në situata të papërshtatshme.
  • Flet shumë dhe pandërprerë.
  • Është gjatë gjithë kohës në lëvizje dhe duket sikur nuk lodhet kurrë.

Impulsiviteti:

  • Ka vështirësi në mbajtjen e radhës dhe kur i duhet të presë.
  • Nis të kthejë përgjigje përpara se t’i bëhet pyetja e plotë.
  • Ndërpret të tjerët kur flasin, futet në mes të një loje, bisede apo aktiviteti që të tjerët po kryejnë.

 

Comments

  • Grace
    Posted February 19, 2020 7:19 pm 1Likes

    👏🤩

Add Your Comment