Karantina, Ekonomia dhe Lufta ndaj Koronavirusit. Nga Rigels Lenja, studiues

Corona-Virus ka futur në kolaps total mbarë rendin botëror. Më shumë ngjan si një nga ato filmat e Hollywood. Dy janë viktimat më të mëdha nga ky virus. Shifrat tregojnë se pothuajse 90% e viktimave, janë mosha e tretë apo persona me sëmundje kronike. Viktima e dytë e kësaj krize është Ekonomia.

Nëse qeveria shqiptare nuk mund të bëjë asgjë për të parën, pasi nuk është përgjegjëse për virusin, po ashtu askush nuk pret që laboratorët e mjekësisë shqiptare (nëse mund të quhen laburatorë) të arrijnë të shpikin vaksinën për t’i dhënë fund këtij virusi. Ajo se çfarë qeveria shqiptare duhet të bëjë është të gjejë një zgjidhje ekonomike.

Vendosja e karantinës është një masë e përkoshme por efikase në uljen e përhapjes. Fakti që Italia ndodhet në një katastrofë, mund ta kthente Shqipërinë në situatë më të rëndë. Italia por jo vetëm, Franca madje dhe SHBA-së, anëtare të G8, deklarojnë se janë jashtë kapaciteteve, gjë që nuk lë vend për imagjinatë se çfarë mund të ndodhë në Shqipëri. Karantina në formën e shtetrrethimit, në realitet është një masë e vendeve pa kapacitet. Kjo si një mënyrë për të shmangur kolapsin e institucioneve shëndetësore. Në kushtet kur Shqipëria, operon akoma me spitalet e ngritura në kohën e regjimit komunist dhe kur mjekët, largoheshin në përmasa eksodi në drejtim të vendeve perëndimore, sigurisht që karantina ishte vendimi më efikas ose më saktë i vetmi.

Një shifër prej 2000 të shtruarish, do ta dërgonte shëndetësinë shqiptare në kolaps të plotë. E vetmja mënyrë për të shmangur një katastrofë është testimi masiv; masë e cila nuk ka gjetur zbatim sa duhet në Shqipëri. Vende si Gjermania, apo Korea e Jugut, kanë numër të lartë infeksionesh por falë testimit masiv dhe falas, kanë reduktuar në minimum numrin e jetëve të humbura.

Masat rreth ekonomisë

Duke filluar nga superfuqitë si Kina, SHBA-ja, Kanada dhe vendet e BE-së, e kanë bërë të qartë që ky virus do të shkaktojë dhimbje ekonomike. Prodhimi do të jetë në rënie, lëvizja e mallrave në një kohë më të gjatë që do të thotë kosto më të lartë, kurse turizmi në një kolaps total. Duke patur parasysh që ky vit nuk do të ketë as 10% të numrit të turistëve të një viti më parë, buxheti i shtetit do të jetë “viktima” që vështirë t’i gjehet ndonjë vaksinë. Vaksinimi i ekonomisë shqiptare vështirë të duket në plan afatshkurtër. Ndihmat nga jashtë do të jenë të pakta, pasi vendet Europiane do të përqëndrohen në zgjidhjen e problemeve të brendshme. Qeveria shqiptare nuk ka asnjë masë se çfarë do të bëjë në muajt në vazhdim. Planet ekzistojnë në letër, por në realitet vështirë të zbatohen. Ndërkohë, vendet fqinje mes tyre edhe Greqia kanë paraqitur një plan konkret: subvencionim të sektorëve të ekonomisë, mos-pagesë taksash, rimbursim qiraje, shtyrje pa afat për pagesat e shërbimeve jetike si uji dhe dritat. Një bonus, për prinderit të cilët kanë fëmijë dhe mund të jenë detyruar të qëndrojnë në shtëpi. Qeveria po pret, e duket si ata nomadët në shkretërirë që presin shiun aq shumë të dëshiruar. Qeveria po pret, por se çfarë këtë as vetë ata se thonë dot. Mbase po pret vaksinën, sipas shkencëtarëve kjo do të dalë në së paku 1 vit.

Më shumë se një drejtues politik, Edi Rama e sheh vetën një herë si Alexander Fleming e një herë tjetër si Dalai Lama. Askush nuk pret që kryeministri i Shqipërisë të dalë orë e çast, vend e pavend, për të dhënë këshilla se si mund të mbahet higjena. Kjo mund të jetë punë e mjekëve, studiuesve dhe e Ministres së Shëndetësisë. Edhe në vende ku drejtuesit e ekzekutivit, janë me profesion mjek, askush nuk ka dalë për të dhënë të tilla këshilla. Një drejtues ekzekutivi, nuk është një lider shpirtëror që duhet të këshillojë apo motivojë. Kjo mund të jetë punë e institucioneve fetare. Po mbase, pamundësia për të marrë vendime që kanë të bëjnë me ekonominë dhe menaxhimin, ka bërë që kryeministri ta shohë daljen nga emergjenca si dhënia e këshillave. Edhe në rastin e shteteve autoritare si Rusia, Putin iu drejtua popullit të tij me një plan masash që kishin të bënin, me çfarë do të ndodhte me ekonominë. Këshilla e vetme ishte “qëndoni në shtëpi”. Lufta ndaj corona-virusit, u la në dorë të mjekëve dhe specialistëve.

 

Add Your Comment