Si zhvillohen tek fëmija konceptet e numrave? Aftësitë përkatëse matematikore sipas secilës moshë.

Nga Lorela Garuli

SI FORMOHEN KONCEPTET NUMERIKE DHE VETËDIJËSIMI MATEMATIKOR

Përvetësimi i vetëdijes numerike është për fëmijën një nga zbulimet dhe risitë kryesore të fëmijërisë së hershme. Por, si zhvillohen dhe evoluojnë tek fëmija konceptet e numrave dhe të numërimit?

Krijimi i sensit mbi numrat ka të bëjë me aftësinë për t’i njohur dhe për të operuar në mënyrë efikase me to. Konsiderohet se kjo është një kompetencë e lindur dhe e pranishme tek shumë specie kafshësh, të cilët kanë aftësi numerike pa i mësuar apo ushtruar (Agrillo et al, 2012). Ndryshe nga shkrimi dhe leximi, që janë “shpikje” shoqërore e kulturore dhe bazohen mbi edukimin dhe të mësuarit, numërimi dhe veprimet me to kanë baza të caktuara neuronale dhe janë rrjedhojë e evolucionit

Fillimisht, numri është koncept abstrakt. Sa e lehtë apo e vështirë duhet të jetë për një fëmijë 3-4 vjeçar të familjarizohet me një nocion të tillë? Si t’ja shpjegojmë një fëmije se 5 kukulla janë njësoj për nga sasia se 5 makina lodër?

Sipas Piaget, i cili ka qenë i pari që ka formuluar idetë mbi mënyrën sesi fëmijët formojnë konceptin e numrit, fëmija fillon të numërojë pa e pasur të kristalizuar mirëfilli nocionin numër. Ai verbalizon sekuencat e numrave duke ditur që një objekti i korrespondon fjala “një”, dy objekteve u korrespondon fjala “dy”, e kështu me radhë.

Nga pikëpamja evolutive, rreth moshës 2-3 vjeçare fëmijët përvetësojnë parimin e përputhshmërisë së fjalës me numrin; ku një numri të caktuar i korrespondon vetëm një emërtim. Këtu, fillimisht fëmijët mësohen të mos përgjithësojnë kur numërojnë dhe së dyti, përvetësojnë parimin e rendit të pandryshueshëm. Numërimi ndjek një vendosje fikse të mirëpërcaktuar. Fëmija mëson se numërohet 1, 2, 3…10 dhe jo ndryshe. Parimi i fundit, ai i përmbledhjes totale të numërimit, kristalizohet rreth moshës 5-vjeçare; ku fëmijët dinë tashmë shumë mirë se objektet e numëruara prej tyre, janë shuma totale.

 

ETAPAT EVOLUTIVE TË ZHVILLIMIT TË AFTËSIVE NUMERIKE

Krijimi i vetëdijësimit numerik dhe matematikor ndjek një ecuri të caktuar dhe kalon nëpër disa faza, ashtu si çdo element tjetër përbërës i zhvillimit kognitiv.

Sipas moshës, këta hapa janë:

  •  I sapolinduri – mund të diferencojë në bazë të sasive të ndryshme
  • 0-4muajsh – mund të shtojë dhe të heqë 1
  • 1 vjeç – arrin të dallojë sekuencat numerike nëse janë në rend zbritës apo rritës
  • 2 vjeç – fillon të mësojë emërtimet e numrave
  • 3 vjeç – mund të numërojë pak objekte
  • 4 vjeç – bën mbledhje duke u ndihmuar me gishtat e duarve
  • 5 vjeç – mund të numërojë përafërsisht deri në 40 dhe fiton më shumë shkathtësi në veprimet e mbledhjes
  • 6 vjeç – fiton konceptin e shumës së pandryshueshme
  • 6 vjeç e gjysmë – mund të numërojë deri në 80. Fillon kupton që lidhja e mbledhjes me numërimin është si lidhja shkak-pasojë
  • 7 vjeç – memorizon veprime të thjeshta aritmetike.

Add Your Comment