Pema si një simbol dhe figurë ka qenë përherë e pranishme në çdo kohë përgjatë historisë së zhvillimit njerëzor. Nën një këndvështrim pak metaforik, pema mund të shihet si një manifestim ndërmjetësues mes njeriut dhe natyrës; një element lidhës mes tokës dhe qiellit, por nga ana tjetër me një cikël të vetin jetësor, veçoritë e lindjes, zhvillimit, rigjenerimit, plakjes dhe ripërtërimit të të cilit përngjajnë shumë me ciklin jetësor njerëzor. Një pemë nis si një filiz i vogël, rritet dhe ndryshon,
në stinë të ndryshme mund të ndërrojë trajtën dhe gjethet, pastaj, vyshket, thahet, procese pra që janë analoge me plakjen e njeriut. Do të thotë se simbolikisht pema paraqet konceptin e njeriut për veten dhe sesi ky i fundit e gjen veten në lidhje me të tjerët.
Kështu psh. pema dhe kuptimet përkatëse që i bashkëngjiten, kanë zanafilla të hershme në mitologjitë e shumë kulturave: kineze, kelte, gjermanike, skandinave, greke, egjiptiane, kristiane, budiste.
Në njëfarë mënyre, të vizatosh pemën, do të thotë të bësh një lloj autoportreti; nis me rrënjët që përfaqësojnë mënyrën sesi i përqasemi mjedisit tonë, vazhdon me trungun si baza dhe pjesa më e qëndrueshme e personalitetit, duke përfunduar me kurorën e degët e pemës që janë si një “çati” apo nëse do të paralelizohej me trupin njerëzor, do të simbolizonte kokën, pra të menduarit racional.
Duke qenë se është një test i thjeshtë për t’u aplikuar, mund të përdoret me persona të çdo moshe e kulture, por përdoret tek fëmijët me qëllimin e marrjes së një informacioni më të madh duke qenë se ata do ta vizatojnë pemën ashtu siç e mendojnë dhe imagjinojnë, e jo ashtu siç është në të vërtetë.
Pema përfaqëson personin që e vizaton, pra do të konsiderohet si një projektim i vetes.
Është një nga testet grafike projektive më shpesh të përdorura për arsye të natyrës që ka, ku projektohen shumë prej tipareve të personalitetit. Pema dhe elementët e saj (rrënjët, trungu, pjesa e gjetheve dhe frutave) që janë të gjalla
dhe natyrale, kanë një simbolikë shumë të afërt me elementët e trupit njerëzor, përafri e cila lejon projektimin në një masë të madhe të të pandërgjegjshmes tek ky vizatim.
Fëmijës i kërkohet: vizato një pemë çfarëdo, ashtu si të vjen në mendje. I kërkohet t’i vendosë një emër/emërtim, të shkruajë tre cilësi/karakteristika dhe moshën e pemës. Pasi ka mbaruar vizatimin, i kërkohet të bëjë një pemë të dytë, të ndryshme nga e para, duke ndjekur të njëjtën procedurë; tre karakteristika dhe moshën.
Çfarë do të vëzhgohet dhe interpretohet tek vizatimi i pemës?
• Një vlerësim i përgjithshëm i vizatimit
• Karakteristikat kryesore të vizatimit
• Detajet me imtësi të pjesëve përbërëse të pemës
• Përputhja e pemës së parë me të dytën
• Krahasimi mes dy moshave përkatëse të pemëve